Vangjel Dule: Kodi Zgjedhor
pakt Rama-Berisha

Vangjel Dule: Kodi Zgjedhor<br />pakt Rama-Berisha
TIRANE- Kryetari i Partisë për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me zvarritjen e reformës zgjedhore nga ana e dy partive të mëdha, PD dhe PS. Sipas tij, ka një sinkron të fortë mes dy partive më të mëdha në vend në lidhje me zvarritjen e këtij procesi, ku përtej debateve dhe përplasjeve që afishojnë herë pas herë në publik, ata janë në konsensus për gati gjithçka. Madje Dule shprehet se nuk kanë kontestime ndaj njëri tjetrit. "Nuk ka asnjë kontesim mes PD dhe PD për reformën zgjedhore. Ata duan ta vonojnë dhe pak, duke bërë debat dhe duke e zvarritur herë për një gjë e herë për një tjetër, deri sa të fillojë sfida presidenciale, e cila do të hapë një debat të gjatë duke e lënë në harresë reformën Zgjedhore", ka qënë deklarata e djeshme e kreut të PBDNJ, Dule për gazetën. Sipas tij, vetëm pas shtatorit mund të shpresohet të arrihet përfundimi i kësaj reforme, nga e cila presin shumë partitë e vogla. "Menjëherë pasi të përfundojnë zgjedhjen e Presidentit do të fillojnë sërish debatet mes PD dhe PS për reformën zgjedhore dhe në fund do t'ia gjejnë kohën dhe shpejt e shpejt do të bëjnë ndryshimet në Kod sipas interesave të tyre dhe në kurriz të partive të vogla, siç e kanë bërë gjithnjë", ka nënvizuar kreu i PBDNJ, parti aleate e PS në opozitë. Por nga ana tjetër Dule nuk ka munguar të zbardhë dhe pikat në të cilat mendohet se dy partitë e mëdha mund të kenë kontestet e tyre, por që nuk do të kenë ndikim në konsensusin përfundimtar mes PD e PS. "Të vetmet pika për të cilat dy partitë e mëdha s'kanë rënë dakort deri më tani, pra kanë një kundërshtim të lehtë janë votimi elektronik e kontrolli elektronik i kartës dhe përbërja e KQZ. Por dhe problemi i KQZ është i zgjidhshëm pa hyrë shumë në negociata pasi të gjithë anëtarëve të këtij institucioni zgjedhor u përfundon afati ligjor i qëndrimit në këtë komision, brenda kësaj vere", ka nënvizuar kreu i PDBNJ, Dule. Për të cilin socialistët e marrin pa problem atë që duan, pra përbërjen e re të KQZ, duke mos detyruar as demokratët që të krijojnë probleme me anëtarët e këtij komisioni që janë dhe përfaqësuesit e mazhorancës. Ndërkohë që ajo që mbetet "tabu" për dy partitë e mëdha, është ndryshimi i sistemit zgjedhor, nga sistem proporcional rajonal në proporcional rajonal me korrektim kombëtar, të kërkuar fort nga partitë e vogla, aleate të PD e PS. "Sistemi zgjedhor dhe mosndryshimi i tij është vendosur që para ngritjes së komisionit për reformën sipas parimit 'më jep të drejtën të rreshtoj partinë, të jap të drejtën të rreshtosh partinë'. Kështu Berisha dhe Rama kanë në dorë vendosjen e përmbi 130 deputetëve të Kuvendit me 140 deputetë dhe e detyrojnë popullin shqiptar të votojnë për alternativat e tyre, ndaj nuk e ndryshojnë Kodin Zgjedhor. Kështu që vonesa e reformës zgjedhore është zgjedhje taktike e PD dhe PS për t'u argëtuar me shqetësimin e aleatëve të tyre", përfundon Dule deklarimin e tij për gazetën. Duke shprehur në këtë mënyrë dhe shqetësimin e aleatëve të tjerë të PS dhe PD për lojën që dy partitë e mëdha bëjnë me sistemin zgjedhor, që ka sjellë një sistem dypolar në Kuvend. Madje Milo ka paralajmëruar se nëse nuk ndryshohet sistemi, largohet nga koalicioni me PS.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Plani i investimit për Thethin, Rama: Lehtësojmë taksimin! Projekt i ri për furnizimin me energji, mbështetje për panele diellore

Plani i investimit për Thethin, Rama: Lehtësojmë taksimin! Projekt i ri për furnizimin me energji, mbështetje për panele diellore