Protestat për vdekjen e Alex Prettit janë shtrirë edhe në qytete të tjera amerikane, pavarësisht stuhisë që ka goditur 22 shtete dhe temperaturave nën zero. Përplasja politike vazhdon mes autoriteteve shtetërore dhe atyre federale, siç u pa të dielën në Minneapolis nga dy konferencat “rivale” për shtyp ” të guvernatorit Tim Walz dhe Gregory Bovino-s, komandantit të Policisë Kufitare.
Bovino ua ka atribuar vdekjen e Prettit politikanëve lokalë dhe të tjerëve që “shpifin ndaj forcave të rendit” dhe ka akuzuar “turma të dhunshme” se kanë penguar të shtunën arrestimin e një krimineli; ai deklaroi për CNN se agjentët e tij janë “viktimat e vërteta”, se Pretti donte t’i sulmonte dhe se ata janë zhvendosur diku tjetër “me detyra administrative”. Ndërkaq, Ëalz dënoi fushatën e shpifjeve kundër viktimës.
Edhe shefi i policisë lokale, e cila tani po mbështetet nga 20 rezervistë të Gardës Kombëtare, akuzon agjentët federalë, duke thënë se vitin e kaluar njerëzit e tij kanë sekuestruar 900 pistoleta nga rrugët dhe kanë arrestuar qindra kriminelë, “pa qëlluar asnjëherë”. Një pediatër dëshmoi në gjykatë se njerëzit e Bovinos hezituan kur ai u ofrua t’i jepte ndihmë Prettit dhe i kërkuan të shihnin licencën e tij mjekësore.
Kështu, versioni mbi vdekjen e Prettit varet nga ajo se cili nivel qeverisës thotë të vërtetën. Por risia është se një grup i vogël republikanësh, si senatori Bill Cassidy nga Luiziana, kërkon një hetim të pavarur nga autoritetet federale së bashku me ato shtetërore, të cilat deri tani janë lënë jashtë: “Besueshmëria e ICE-it dhe e Departamentit të Sigurisë Kombëtare është në rrezik”.
Republikanë të tjerë, senatori Thom Tillis dhe guvernatori i Oklahomës Kevin Stitt, nuk e kritikojnë Trump-in, por “zyrtarë të tunduar për ta mbyllur hetimin para se të hapet” ose që “e këshillojnë keq” presidentin. Stitt tha se “te shumë amerikanë, ajo që po shohim në televizion po shkakton shqetësime të thella” dhe se ata nuk e kuptojnë “qëllimin përfundimtar”: “Nëse synimi është arrestimi i çdo personi që nuk është qytetar, kjo nuk është ajo që duan”.
Ekziston edhe fakti se, për të justifikuar vrasjen e Prettit, fillimisht një zyrtar i Drejtësisë dhe më pas drejtori i FBI-së, Kash Patel thanë se ai kishte me vete një armë dhe se nuk lejohet mbajtja e saj në protesta të tilla (ndërkohë që disa vunë në dukje se në protestat MAGA shpesh shumë persona janë të armatosur). Këto deklarata prekën sidomos një tel të ndjeshëm për konservatorët, Amendamentin e Dytë: kjo nuk u pëlqeu deputetëve të djathtë Thomas Massie dhe Marjorie Taylor Greene, as edhe lobit të fuqishëm të armëve, NRA-së, e cila kërkon “të mos bëhen përgjithësime” dhe që hetimet të vazhdojnë.
Greene deklaroi se është 100% pro deportimit të emigrantëve të paligjshëm, por se “të mbash ligjërisht një armë nuk është e njëjta gjë me ta përdorur apo tundur atë”; ajo mbrojti gjithashtu të drejtën për të protestuar dhe për të filmuar forcat e rendit. Bovino tha për CNN se mbrojtjet e Amendamentit të Dytë nuk zbatohen “kur kryhet kryengritje, sulm, vonesë, pengim dhe kur u vihet pengesë agjentëve për të zbatuar ligjin”, dhe këmbënguli se Pretti po “tundte” një armë, por nuk ofroi prova.
Edhe çifti Obama ka ndërhyrë, duke thënë se ajo që po ndodh në Minnesota duhet të jetë “një kambanë alarmi për çdo amerikan, pavarësisht përkatësisë partiake, sepse shumë nga vlerat tona themelore si komb janë gjithnjë e më shumë nën sulm”.
Por Bovino këmbëngul se misioni i tij vazhdon për “t’i bërë qytetet e Minnesotës dhe të Amerikës një vend më të sigurt”. Ministrja e Drejtësisë Pam Bondi ka ofruar të tërheqë agjentët nëse Minnesota heq dorë nga roli i saj si “strehë” për migrantët, siç e përsëriti Trump në një postim në Truth, dhe nëse i dorëzon listat zgjedhore dhe lejon hetime mbi “mashtrimet shtetërore”, por Ëalz e ka refuzuar këtë. Ndërkohë, senatorët demokratë synojnë të bllokojnë të premten ligjin e buxhetit që financon edhe Sigurinë Kombëtare, çka mund të çojë në një tjetër mbyllje të administratës publike.
Komente







