TIRANË- Në 1 vjetorin e arrestimit të Erion Veliajt, dy studiot ligjore Kasowitz Benson Torres në Nju Jork dhe Mishcon de Reya në Londër, bëjnë thirrje që paraburgimi për kryebashkiakun e Tiranës të përfundojë. Në një deklaratë të gjatë për mediat, dy studiot ligjore me të cilat kryebashkiaku ka kontrata për ta ndihmuar në procesin juridik, thonë se çështja e Veliajt është bërë shembull kryesor se si drejtësia në vendin tonë abuzon me masën e arrestit në burg. Në deklaratë thuhet se Veliaj është mbajtur në qeli ndonëse nuk ka prova se mudn të pengojë drejtësinë në procesin penal ndaj tij, apo se mund të arratiset.

“Gjatë 365 ditëve të fundit, çështja e Kryebashkiakut Veliaj është bërë shembulli kryesor i përdorimit të tepruar dhe abuzimit me masën e paraburgimit në Shqipëri. Veliaj është mbajtur i ndaluar pavarësisht se nuk ka prova të qarta se ai përbën rrezik arratisjeje, se mund të pengojë drejtësinë, apo se do të mund të kryente sërish krimet e pretenduara për të cilat është akuzuar”, thuhet në deklaratë.

Vetëm një ditë më parë, dosja e Veliajt kaloi për gjykim. Por kryebashkiaku Veliaj dhe dy studiot ligjore thonë se atij i është mohuar e drejta për një proces të rregullt ligjor, pasi ende nuk është njohur me të gjitha aktet hetimore, ndërsa e konsiderojnë çështjen si persekutim politik.

“Nga shkurti deri në korrik të vitit të kaluar, Kryebashkiaku Veliaj u mbajt i ndaluar pa u akuzuar as për krimet për të cilat mbahej në paraburgim”, vijohet në deklaratë.

“Që nga dita e parë, kjo çështje ka qenë një persekutim politik i shoqëruar me abuzime skandaloze të procesit të rregullt ligjor. Sot shënohet një vit i plotë i kësaj padrejtësie të vazhdueshme,” thotë Daniel J. Fetterman, partner në firmën ligjore Kasowitz dhe një nga këshilltarët ndërkombëtarë të Kryebashkiakut Veliaj.

“Çështja e Kryebashkiakut Veliaj i ka të gjitha shenjat dalluese të një gjyqi-spektakël politik dhe trajtimi i tij bie shumë poshtë çdo standardi të pranueshëm amerikan dhe europian të drejtësisë, procesi të rregullt ligjor dhe drejtësisë”, thotë ai.

Dy studiot ligjore ndalen edhe te seanca e 1 shkurtit në GJKKO, ku Veliajt iu rrëzua kërkesa për ndryshim të masës së sigurisë, ndërsa prokurori Ols Dado ankohej për lobimin e kryebashkiakut në SHBA, i cili fshehu faktin se kontrata është e parashikuar edhe për mbrojtje ligjore, madje jo vetëm me një studio avokatie por me dy.  Kasowitz Benson Torres dhe Mishcon de Reya thonë se ky nuk është proces i rregullt ligjor, por ndëshkim se përse kërkon mbrojtje.

“Së fundmi, prokurorët e SPAK kanë argumentuar se mbajtja e vazhdueshme në burg e Kryebashkiakut Veliaj justifikohet sepse ai kërkoi këshillim ligjor në SHBA për t’u mbrojtur, pasi u bë e qartë se nuk mund ta bënte realisht këtë vetë. Ky nuk është proces i rregullt ligjor; është ndëshkim pse kërkon mbrojtje dhe një shkelje e hapur e së drejtës së tij për t’u mbrojtur”, thuhet në deklaratë.

Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK e dërgoi kërkesën për ta kaluar dosjen për gjykim vetëm 5 muaj më parë.  SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

Deklarata e plotë e dy studiove ligjore

Sot shënohet 1-vjetori nga paraburgimi i padrejtë dhe i paligjshëm i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri. Gjatë 365 ditëve të fundit, çështja e Kryebashkiakut Veliaj është bërë shembulli kryesor i përdorimit të tepruar dhe abuzimit me masën e paraburgimit në Shqipëri. Veliaj është mbajtur i ndaluar pavarësisht se nuk ka prova të qarta se ai përbën rrezik arratisjeje, se mund të pengojë drejtësinë, apo se do të mund të kryente sërish krimet e pretenduara për të cilat është akuzuar.

Gjatë vitit të kaluar, çështja e Kryebashkiakut Veliaj është shfaqur si shembull flagrant se si demokraci të brishta, si ajo e Shqipërisë, mund të shkelin të drejtat bazë të procesit të rregullt ligjor të një individi përmes një persekutimi politik të mangët.

Nga shkurti deri në korrik të vitit të kaluar, Kryebashkiaku Veliaj u mbajt i ndaluar pa u akuzuar as për krimet për të cilat mbahej në paraburgim.

Në shtator, ndalimi i tij u përdor nga Këshilli Bashkiak i Tiranës si bazë mbi të cilën u kërkua të shkarkohej nga posti i Kryetarit të Bashkisë – një manovër që duket se synonte t’u hiqte të drejtën e përfaqësimit votuesve të Tiranës, të cilët e kishin zgjedhur atë për tre mandate.

Vetëm muajin e kaluar, Kryebashkiakut Veliaj – i cili ka zgjedhur të mbrohet vetë ndaj akuzave të SPAK – iu mohua plotësisht qasja në mbi 60,000 faqe prova, mbi bazën e të cilave ai mund të përgatisë dhe të ngrejë mbrojtjen e tij në gjyq.

Së fundmi, prokurorët e SPAK kanë argumentuar se mbajtja e vazhdueshme në burg e Kryebashkiakut Veliaj justifikohet sepse ai kërkoi këshillim ligjor në SHBA për t’u mbrojtur, pasi u bë e qartë se nuk mund ta bënte realisht këtë vetë. Ky nuk është proces i rregullt ligjor; është ndëshkim pse kërkon mbrojtje dhe një shkelje e hapur e së drejtës së tij për t’u mbrojtur.

“Që nga dita e parë, kjo çështje ka qenë një persekutim politik i shoqëruar me abuzime skandaloze të procesit të rregullt ligjor. Sot shënohet një vit i plotë i kësaj padrejtësie të vazhdueshme,” tha Daniel J. Fetterman, partner në firmën ligjore Kasoëitz dhe një nga këshilltarët ndërkombëtarë të Kryebashkiakut Veliaj. “Çështja e Kryebashkiakut Veliaj i ka të gjitha shenjat dalluese të një gjyqi-spektakël politik dhe trajtimi i tij bie shumë poshtë çdo standardi të pranueshëm amerikan dhe europian të drejtësisë, procesi të rregullt ligjor dhe drejtësisë.”

Megjithatë, ka shenja se trajtimi i Kryebashkiakut Veliaj nuk po kalon pa u vënë re. Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë përpjekjen e Këshillit Bashkiak për ta larguar Kryebashkiakun Veliaj nga detyra, duke konfirmuar mandatin e tij dhe duke siguruar që ai të mbetet Kryetar Bashkie deri në vitin 2027. Mediat shqiptare kanë identifikuar natyrën ndëshkuese të qasjes së SPAK ndaj Kryebashkiakut Veliaj, duke e quajtur atë një “mentalitet represiv”, të ngjashëm me një “revolucion të ri kinez” që mbështetet te propaganda e sponsorizuar për të justifikuar shkeljet e të drejtave civile. Media të huaja, si EU Reporter, kanë përsëritur ndjesi të ngjashme, duke vërejtur “shthurjen e ngadaltë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri” në një çështje që “tregon shenja të qarta motivimi politik” dhe që mbetet “shumë larg standardeve europiane.” Dhe në dhjetor, Avokati i Popullit i Shqipërisë publikoi një raport ku konstatoi se masat e sigurisë që rregullojnë trajtimin mjekësor të Kryebashkiakut Veliaj në paraburgim ishin të paarsyeshme dhe shkelën privatësinë e tij.

Në mënyrë domethënëse, komuniteti ndërkombëtar ka njohur publikisht të metat me paraburgimin e vazhdueshëm të Kryebashkiakut Veliaj. 76 kryetarë bashkish dhe përfaqësues të “Rrjetit të Qyteteve Ballkanike B40” – që vijnë nga parti dhe prejardhje politike të të gjithë spektrit ideologjik – lëshuan një letër të përbashkët që denoncon paraburgimin e Kryebashkiakut Veliaj. Ata adoptuan një konstatim në Raportin e Komisionit të Venecias të Këshillit të Europës për vitin 2025 se “përdorimi i paraburgimit ndaj kryetarëve të bashkive në detyrë përbën një rrezik serioz për qeverisjen demokratike”, sepse “i privon qytetarët nga e drejta për përfaqësim, duke hequr mënjanë, pa një proces të rregullt ligjor, përfaqësuesit e zgjedhur prej tyre”.

Paraburgimi i Kryebashkiakut Veliaj duhet të përfundojë. Vazhdimi i mbajtjes së Kryebashkiakut Veliaj në paraburgim dhe mohimi i të drejtave themelore të procesit të rregullt ligjor – si mundësia për të shqyrtuar provat kundër tij – tradhton premtimin demokratik të Shqipërisë, hedh dyshime serioze mbi përparimin e reformave të saj dhe mund të vërë në rrezik synimet e saj për anëtarësim në BE.

Udhëheqësit globalë, organizatat demokratike dhe mediat duhet të vazhdojnë ta mbajnë në qendër të vëmendjes këtë padrejtësi dhe të kërkojnë lirimin e menjëhershëm të Erion Veliajt nga paraburgimi.