“Inovacioni mund të jetë rruga më e sigurtë e zhvillimit për një vend si Shqipëria”. Kështu deklaroi ministri i Mirëqënies Sociale, Erjon Veliaj gjatë konferencës për  inovacionin "Pacinno Public Policy"‏. Ministri Veliaj tha se qeveria e ka kthyer inovacionin në një nga tre prioritetet kryesore të saj, bashkë me Sigurinë dhe Progresin, kjo sipas tij ka ndikim shumë të madh mbi zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës.

“Mjafton të shohim shembullin e Estonisë, një vend i vogël si ne, me një të kaluar të ngjashme me ne, që ka arritur një zhvillim të madh falë teknologjisë. I gjithë ky zhvillim sot, vjen falë internetit dhe masivizimit të komunikimit çka e bën shumë të shpejtë”, deklaroi Veliaj.

Sipas ministrit me sistemin e arsimit professional iu jepet të rinjve dijet e nevojshme, si edhe përdorimin e një teknologjie të cilat kërkohen shumë nga tregu i punës.  

“Por, faktet janë kokëforta dhe shifrat tregojnë gjithmonë të vërtetën. Sipas Anketës së Forcave të Punës të INSTAT, shkalla e papunësisë për të rinjtë që përfundojnë arsimin është vetëm 15%. Ndërkohë, shkalla e papunësisë për personat me arsim të lartë është 16.1% dhe për personat me arsim të mesëm të përgjithshëm është 25.1%. Më në fund, kjo u kuptua dhe falë reformës së këtij viti ku u mbyllën shumë degë që nuk kishin asnjë lloj lidhjeje me tregun e punës e u hapën programe studimi e shkolla të reja TIK, numri i të regjistruarve në sistemin e arsimit profesional u rrit këtë vit me rreth 40%”, deklaroi ministri i Mirëqënies Sociale.  




Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)