Mbetet në fuqi pezullimi i afateve të paraburgimit për kryebashkiakun Erion Veliaj dhe të pandehurit e tjerë që janë me masë sigurie në qeli. Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e 24 marsit të shkallës së parë, vendim që nuk u prit mirë nga pala mbrojtëse.
“Është një standard i vendosur, i kalcifikuar në dy gjykata të shkallës së parë kur pezullimi i afateve të paraburgimit bëhet edhe për arsye që nuk lidhen fare me personin nën akuzë, përkthehet në një zgjatje të afateve të paraburgimit në mënyrë kolektive, nga sjellja e një të pandehuri e pëson edhe një i pandehur tjetër, që në gjykimin tonë është antikushtetuese”, tha avokati Plarent Ndreca.
Ndreca, i cili la procesin ndaj tij për të ndjekur atë për Veliajn, paralajmëroi dërgimin e ankimimit deri në Strasburg, ndërsa bëri thirrje që provat dixhitale të mos preken pa praninë e palës mbrojtëse.
“Ne do i ndjekim të gjitha shkallët deri në Gjykatë Kushtetuese e Strasburgut për të zhbërë këtë lloj praktike të kalcifikuar dhe që është në cenim të plotë të drejtave dhe lirive të njeriut. Arsyeja e dytë është këmbëngulja që kemi me provat dixhitale të pahapura që po kërkoj të mos preken pa prezencën tonë dhe po kërkoj të mos cenohet ajo provë që na jep të drejtë ta godasim në Apel procesin që është bazuar në prova të pahapura nga vetë gjykata. Gjykata ka marrë vendim pa i parë të gjitha provat vetë”, tha Ndreca.
Vendimi për pezullimin u mor në dy seanca nga GJKKO, ku Veliaj mungoi për shkak të parregullsive nga Drejtoria e Burgut të Durrësit, në njoftimin e Veliajt.
Vetë Veliaj e ka cilësuar të padrejtë, duke argumentuar se ai ka qenë i përfaqësuar rregullisht në gjyq nga avokati i tij. Praktika e pezullimit të afateve të paraburgimit për të gjithë të pandehurit në bllok, për shkak të mungesës nga njëri prej tyre, po ngre debate të forta në sistemin e drejtësisë. Avokatët kërkojnë ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, duke argumentuar se kjo qasje cenon të drejtat individuale dhe mban në qeli persona që nuk kanë asnjë përgjegjësi për vonesat.
Qëndrimi në paraburgim njehsohet me një ditë e gjysmë burg, duke patur kështu ndikim të drejtpërdrejtë më pas në përllogaritjen e vuajtjes së dënimit përfundimtar.
Lajm në përditësim…
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Plarent Ndreca, nuk është paraqitur në gjyqin e tij në GJKKO, ku akuzohet për shkelje me tenderët për rikonstruksionin e komisariateve gjatë kohës kur shërbeu si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme. Shkak për mosparaqitjen e tij në gjyq ishte seanca në Apel për kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili mbrohet nga Ndreca. Ky i fundit në procesin e tij gjyqësor nuk dërgoi as avokatin Ermal Yzeiraj, çka ka bërë që GJKKO t’i caktojë një avokat kryesisht dhe ta shtyjë seancën e radhës për më datë 19 prill.
Komente











