Gjykata Kushtetuese përmbylli këtë të mërkurë shqyrtimin gjyqësor të kërkesës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj për shpalljen si antikushtetuese masën e sigurisë “arrest në burg” dhënë nga Gjykata e Posaçme me 9 shkurt të vitit 2025. Gjyqtarët janë tërhequr për vendim ndërsa pritet që në ditët e ardhshme të merret vendimi final. Në argumentet e tij kryebashkiaku pretendo se i janë cenuar liritë personale por edhe të drejtat e tij si kryetar i Bashkisë!
***
Pas një seance që zgjati më pak se dy orë, tetë anëtarët e Kushtetueses shqyrtuan kërkesën e kryebashkiakut Erion Veliaj, kundër arrestit me burg që e mban në qeli prej më shumë se një viti, por nuk ishin të gatshëm të shpreheshin me vendim, duke kërkuar më shumë kohë për t’u bindur për arsyetimin e qëndrimit të tyre.
Në dhjetëra faqe argumente të dërguara në Gjykatën Kushtetuese, kryebashkiaku Veliaj shprehet se i është cenuar liria individuale, por duke qenë se është Kryetar i zgjedhur i Bashkisë, cenimi i lirisë është i dyfishtë, pasi ai nuk mund të ushtrojë detyrën.
Në ankimin e tij, Veliaj thotë se gjykatat kanë dështuar të analizojnë kriteret për vendosjen e masës së sigurimit, pasi, sipas tij, Kodi i Procedurës Penale parashikon që të gjithë, pasi kalon një periudhë kohore, duhet të gjykohen në liri kundrejt një garancie pasurore për të cilën ai ka qenë i gatshëm ta lërë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës deklaron se standardet e një gjykimi të drejtë ndaj tij janë shkelur nga të gjitha shkallët e gjykimit, pasi sipas tij trupat gjyqësore e kanë paragjykuar atë për rrethin shoqëror, statusin dhe pozicionin, por jo duke pasur prova të qartë për shkeljet e pretenduara nga ana e tij.
Nga ana e saj, Prokuroria e Posaçme, e cila ka dorëzuar argumentet e saj, këmbëngul se dyshimi i arsyeshëm se kryetari i Bashkisë ka kryer vepër penale është vërtetuar edhe nga gjykatat, ndërsa fakti që ka bashkëpunuar edhe me të tjerët e ka rënduar pozitën e Veliajt.
Teksa Veliaj argumenton se qenia kryetar në detyrë i Bashkisë duhet të jetë kriter lehtësues për të, Prokuroria e Posaçme argumenton të kundërtën, pasi sipas tyre fakti që Veliaj është në detyrë përbën arsye të mjaftueshme për ndikim tek dëshmitarët dhe tek bashkëpunëtori i drejtësisë.
Kjo është hera e dytë që Veliaj i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e cila në janar të këtij viti, e konfirmoi në detyrë, pas shkarkimit nga kryeministri Edi Rama, duke konsideruar se akti i qeverisë ishte tërësisht jokushtetues dhe e gjithë procedura e ndjekur ishte bërë në shkelje. Kjo është çështja e parë që Gjykata Kushtetuese shqyrton për një person i cili është kryetar bashkie dhe ndodhet në burg njëkohësisht.
Paralelisht, Veliaj është në pritje dhe të një vendimi tjetër, më 28 maj, nga Gjykata e Lartë, ku ai ka kërkuar po ashtu ndryshimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’, dhe zëvendësimin me një tjetër masë më të lehtë sigurie.
Kërkesa e Veliajt, në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025, pasoi vendimin e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, të cilat i bënë një interpretim të ri masës së sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjes së kësaj mase. Vendimi i marrë në unanimitet parashikon se kufizimi më i rëndë i lirisë personale, masa e arrestit me burg duhet të merret pasi më parë të jenë shqyrtuar realisht masat e tjera alternative. Po ashtu kërkohet arsyetim rast pas rasti për personin e përfshirë dhe që të jetë prokuroria ajo që të ketë barrën e provës për të justifikuar nevojën e masës ekstreme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











Lajme te mira po na vijn nga brenda...me ne fund duket drita e drejtesise
Përgjigju