Kandidati per bashkine e Tiranes Erion Veliaj merr mbështetjen edhe të veteranëve të luftës përpara të cilëve deklaroi se do ti thotë stop vandalizimit të kujtesës dhe historisë së vendit.

“Unë besoj se është pafalshme që të lejojmë vandalizmin e asaj që është kujtesa jonë, shpirti dhe historia jonë. Ndaj do të doja shumë që të kishim një bashkëpunim për të pasur një inventar të të gjithë objekteve që kanë nevojë për restaurim”,- theksoi Veliaj gjatë një takimi me Komitetin e Veteranëve të Luftës në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në kryeqytet.
 
Në fjalën e mbajtur në takim, kandidati i majtë deklaroi se do të përkushtohet në krye të Bashkisë së Tiranës për të mundësuar që të rikthejë në çdo lagje hapësirat publike në shërbim të veteranëve.

“Do të krijojmë hapësira ku veteranët të kenë mundësi ku me një kosto të ulët të lexojnë gazetat, të pijnë një kafe, ashtu siç Edi Rama bëri deri në vitin 2011 Për të gjitha këto jam shumë i vëmendshëm dhe do të jem shumë i kujdesshëm që në secilën prej 24 njësive të kemi 24 partneritete me Komitetin e Veteranëve”,”,- tha kandidati Veliaj.

Në një takim me Komitetin e Veteranëve të Luftës, i shoqëruar edhe nga deputeti i PS, Pandeli Majko, kandidati Veliaj mori mbështetjen e tyre në garën për kryebashkiak dhe u kërkoi atyre që në ditët e mbetura, deri më 21 qershor, të inkurajojnë të gjithë banorët për të dalë në votime.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Komitetit të Veteranëve të Luftës u shprehën të bindur se me Erion Veliajn si kryetar i Bashkisë së Tiranës do të realizohen të gjithë dëshirat dhe aspiratat e veteranëve dhe pjesëtarëve të familjeve të dëshmorëve. Ata vlerësuan punën e kandidatit Veliaj në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, sidomos për reformën e pensioneve, dhe dhanë mbështetjen e tyre të plotë për kandidimin e tij në garën për Bashkinë e Tiranës, si njeriu i duhur për ta çuar kryeqytetin në drejtimin e duhur.

Redaksia online
(S.M/shqiptarja.com)