Veliaj: Të gjitha detyrimet ndaj
bashkisë në një faturë të vetme

Veliaj: Të gjitha detyrimet ndaj<br />bashkisë në një faturë të vetme
Bashkia e Tiranës nuk do ta tolerojë më situatën në të cilën e gjeti UKT-në, një shoqëri me borxhe dhe humbje të mëdha në rrjet. Për këtë qëllim, në Javën Kombëtare të Ujit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ftoi të gjithë qytetarët të paguajnë faturat e ujit të pijshëm dhe të denoncojnë çdo abuzim për të ndaluar vjedhjet, ndërsa paralajmëroi një sërë masash që synojnë përmirësimin e situatës, për të siguruar së pari, furnizimin me ujë për qytetarët e Tiranës dhe, së dyti, për ta kthyer UKT-në në një ndërmarrje që mirëmenaxhohet dhe pa borxhe.

Sipas Veliajt menaxhimi i ri i Ujësjellës-Kanalizimeve do të sjellë një mënyrë të re të pagesës së taksave në Bashkinë e Tiranës.
 
Duke filluar nga fundi i vitit apo fillimi i vitit të ri, qytetarët do të paguajnë të gjitha taksat e bashkisë në një faturë të vetme të shpërndarë në 12 muaj, për të shmangur sorollatjet e qytetarëve nëpër zyra.

"Duke qenë se Ujësjellësi i Tiranës është i vetmi ent i cili hyn me një faturë në çdo shtëpi të qytetarëve të Tiranës, ne parashikojmë që të jetë po ashtu edhe agjenti ynë financiar për të gjitha detyrimet e Bashkisë. Ju vetë e dini, shkoni të merrni një certifikatë në sportelin e njësisë administrative, ju thonë: “Nuk ke paguar taksën e pronës, ik paguaj njëherë atë e pastaj hajde merr certifikatë!” Shumica e qytetarëve me të drejtë thotë: “Po për sa kohë që nuk më sillni një faturë, pse duhet të bredh sportel më sportel, për çfarëdo lloj takse që unë duhet të paguaj?!” Vendimi që kemi marrë është se duke filluar nga fundi i këtij viti e fillimi i vitit tjetër të gjitha detyrimet e Bashkisë do të jenë në një faturë të vetme, të shpërndara në 12 muaj. Kjo do të thotë që nuk rëndon asnjë, por as nuk i mohohet njeriu e drejta kushtetuese për një certifikatë sepse nuk ka paguar një taksë tjetër për të cilën nuk i ka ardhur kurrë fatura nga sistemi që kemi trashëguar në katër vitet e fundit në Bashkinë e Tiranës. Kjo është arsyeja pse të gjitha faturat do të kondensohen në një të vetme, që çdo qytetar në faturën e ujit të ketë të gjithë detyrimet e Bashkisë dhe të mos sorollatet më, duke i rënë pas çdo lloj zyre të Bashkisë së Tiranës, për të kërkuar faturën e vet që kurrë nuk i ka mbërritur në shtëpi," tha Veliaj.

veliaj

Veliaj po ashtu tha se për herë të parë do të aplikohet një skemë e re e cila është e njohur në disa vende të botës, ku klientët e ujit do të jenë edhe aksionerë të Ujësjellës-Kanalizimeve, pasi vetëm në këtë mënyrë UKT mund të dalë me fitime.
 
"Propozimi tjetër që kam është që të aplikojmë një skemë e cila është e njohur edhe në disa vende të ndryshme të botës, ku të gjithë klientët e Ujësjellës - Kanalizimeve, të jenë gjithashtu edhe aksionerë të kompanisë së UKT. Nuk e di në cilin raport, ndoshta 50%, ndoshta diçka më shumë, por kjo është e vetmja mënyrë se si duke dalë me fitim, secilit klient, në bazë të asaj që ka paguar t’i njihet edhe fitimi i kompanisë dhe t’i zbritet nga fatura e ujit. Kjo do të thotë që çdo njeri që paguan faturën e vet të ujit, duhet të dijë që është edhe vetë aksioner dhe do të marrë edhe ai një pjesë të fitimit, kur kompania të dalë me fitim nëse të gjithë e paguajmë ujin e pijshëm, deklaroi kryebashkiaku i Tiranës.
 
Në fjalën e mbajtur në aktivitetin me sloganin “Ndalim vjedhjen e ujit të pijshëm që Tirana të ketë ujë 24/7”, kryebashkiaku Veliaj theksoi se 70% e ujit vidhet.
“Të gjithë kemi jetuar në Tiranë këto 4 vitet e fundit dhe se si janë hapur lavazhet që punojnë me ujë të pijshëm. Sot nuk besoj se ka ndërmarrje që është menaxhuar më keq se sa UKT. 2/3 e ujit që prodhohet humbet. Dua të ftoj të gjithë qytetarët që të na ndihmojnë me denoncime ku abuzohet me ujin”, shtoi ai.
 
Sipas tij tashmë do të marrë fund historia e abuzimeve me UKT-në, e cila ka sot 65 milionë dollarë borxhe dhe detyrime tek të tretët.
 
“Vetëm borxhi ndaj kompanive që janë nënkontraktuar për të bërë punë për hesap të Ujësjellës-Kanalizimeve, është 20 milionë dollarë. Kam dhënë një urdhër, ne nuk do të paguajnë asnjë qindarkë nëse çdo rrugë dhe asfalt që duhej të rregullohej nga kjo kompani, të kthet në gjendjen e tyre të mëparshme. “Nga tani e tutje ne nuk kontraktojmë asnjë kompani, por këtë punë ta bëjnë ndërmarrjet e Bashkisë së Tiranës. Ndërmarrjet tona do të bëjnë punë për Ujësjellësin për të shmangur abuzimet”, tha Veliaj, ndërsa njoftoi se kjo ndërmarrje është në proces binjakëzimi me UKT në Puglia.
 
Po ashtu Veliaj renditi disa nga masat e mara deri më tani nga Bashkia.
 
"Ne kemi bllokuar 15 autobote uji që vidhnin ujin e pijshëm, kemi arrestuar 10 punonjë të ujësjellës-kanalizimeve. Kemi bllokuar veprimtarinë e 13 lavazheve me lidhje të paligjshme të ujit. Kemi ndërprerë lidhjet e disa kompanive të ujit dhe të birrës. Në total, njësitë e ujësjellës-kanalizimeve, kanë ndërpreë 10 mijë pika furnizimi me ujë të pijshëm”, tha Veliaj teksa ftoi qytetarët që të denoncojnë çdo rast të abuzimit me ujin e pijshëm.

Fjala e plotë e kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj

Sot nuk është momenti për t’u gëzuar sepse besoj se më e mira është përpara, por është momenti për të reflektuar dhe ndarë disa të vërteta shumë të vështira dhe të hidhura me qytetarët sa i përket ujit të pijshëm në Tiranë.
 
Ajo që është fakt nga ky muaj i parë i menaxhimit të UKT, është që 70% e ujit që prodhohet në territorin e Tiranës ose vidhet ose shpërdorohet. Pra, mbi 2/3 e ujit që del nga burimet e zonës së Tiranës humbet.
 
Të gjithë kemi jetuar këtu në Tiranë në këto 4 vitet e fundit dhe kemi parë se si kanë “lulëzuar” të gjithë lavazhet të cilat nuk faturohen për ujin, se si në disa zona informale është ndërhyrë dhunshëm në të gjithë tubacionet që sjellin ujë për qytetarët e Tiranës dhe me të drejtë një ndër temat kryesore gjatë gjithë kohës së fushatës, por edhe në këto dy muaj të parë në detyrë, ka qenë tema e ujit të pijshëm.
 
Sot, nuk besoj se ka ndërmarrje dhe korporatë në Republikën e Shqipërisë, në pronë të shtetit shqiptar, që është menaxhuar më keq se sa Ujësjellës - Kanalizimet e Tiranës ku 2/3 e asaj që prodhohet humbet. Megjithatë disa gjëra kanë filluar që të ndryshojnë. Ne kemi gjetur një llogari rrjedhëse të shoqërisë me 1.5 miliardë lekë minus dhe sot është 1.5 miliardë lekë plus. Kjo do të thotë se edhe kur kjo shoqëri, me gjithë këto humbje, menaxhohet mirë, mund të  nxjerrë fitim në një qytet ku e vetmja kompani që ofron ujin është UKT dhe nuk është se ka një konkurrent tjetër që çon ujë në çezmat e shqiptarëve.
 
Kemi marrë disa masa në menaxhimin e ri të UKT.  Kemi organizuar disa grupe pune, task-force, si rezultat i së cilës kemi bërë disa bllokime, sekuestrime dhe disa kallëzime. Ne kemi bllokuar sot 15 autobote uji që ditë për ditë vidhnin ujin e qytetarëve të Tiranës, me ndërhyrje të paligjshme.  Ne kemi denoncuar 10 punonjës të UKT të cilët janë arrestuar për shpërdorim detyre. Do të kemi tolerancë zero për këdo që bashkëpunon në vjedhjen e pronës publike të qytetarëve të Tiranës. Kemi bllokuar gjithashtu veprimtarinë e 13 lavazheve apo subjekteve private me lidhje të paligjshme. Kemi ndërprerë lidhjet në disa kompani uji dhe disa kompani birre, të cilat kanë ndërhyrë në rrjetin ujor duke mos e faturuar dhe duke mos e paguar ujin, ndërkohë që produkti i tyre kryesor ka për bazë ujin, ose ujë i ambalazhuar në shishe, ose baza e ujit për të prodhuar lëngjet e tyre qofshin birrë apo lëngje të tjera të industrisë ushqimore.
 
Në total, njësitë e Ujësjellës - Kanalizimeve vetëm në këtë muaj të parë të menaxhimit tonë kanë ndërprerë 10 mijë pika furnizimi me ujë të pijshëm, për arsye debie. Pra, njerëz që derdhin dhe shpërdorojnë ujin, spërkasin të gjithë rrugët e Tiranës me ujë dhe nuk paguajnë faturën e ujit. Me ujë të pijshëm spërkaten rrugët apo lahen lavazhet, duke mos u paguar asnjë qindarkë qytetarëve të Tiranës, që në fakt janë aksionerët kryesorë të kompanisë.
 
Nëse ju është dukur dramatike që Bashkia e Tiranës është gjetur me 30 milionë dollarë borxhe, e keqja s’paska fund. Shoqëria  e Ujësjellës - Kanalizimeve ka sot 65 milionë dollarë borxhe dhe detyrime tek të tretët. Kjo është një shoqëri e mbingarkuar me burime njerëzore. Vetëm fondi i pagave, për të “parkuar” politikisht mbi 1 mijë vetë shkon në 1 miliard në muaj. Ka sot më shumë staf në UKT, kur Tirana nuk ka ujë 24 orë, sa dyfishi i stafit të gjithë Bashkisë së Tiranës. Imagjinoni vetë se çfarë inefiçence maksimale dhe në çfarë “parkingu” politik është kthyer UKT. Askush nuk duhet të habitet nëse menaxhimi i ri do të shikojë edhe këtë pjesë, që edhe ato pak para që mblidhen nga UKT të mos shkojnë për rroga, por të shkojnë për investime dhe të shkojnë si divident për Bashkinë e Tiranës dhe për qytetarët që janë në thelb aksionerët e UKT.
 
Vetëm borxhi ndaj kompanive që janë nënkontraktuar nga UKT, për të bërë punë për hesap të kësaj shoqërie, - këtu u referohem atyre kompanive që siç e keni parë, i kanë lënë rrugët e Tiranës shqepur, sepse pasi kanë marrë paratë 4 vite nga ujësjellësi, as nuk kanë denjuar të mbyllin gropat e kanalet që kanë hapur në Tiranë -, pra vetëm borxhi ndaj këtyre kompanive është 20 milionë dollarë.
 
Kam dhënë urdhër: Ne nuk do të paguajmë asnjë qindarkë, nëse asfalti dhe territori në Tiranë nuk kthehet në gjendjen në të cilën këto kompani e kanë gjetur. Urdhri i dytë, nga tani e tutje, ne nuk kontraktojmë asnjë kompani që të bëjë punë për Ujësjellësin, këtë punë do e bëjnë ndërmarrjet e Bashkisë së Tiranës, që këto para të mbeten brenda Bashkisë dhe askush të mos vijë e të bëjë punë të papërgjegjshme. Por, ndërmarrja jonë që merret me riparimin e rrugëve, me hapjen e kanaleve, ndriçimin, trotuaret, të jetë po e njëjta ndërmarrje që të bëjë edhe punët për hesap të Ujësjellësit, duke mos vazhduar më kulturën e abuzimit, ku kap para nga publiku dhe kontrakton në mënyrë të papërgjegjshme, për të vjedhur paratë, por edhe për ta lënë Tiranën “të shqepur” nga cepi në cep.
 
Ne po ashtu po hyjmë në një fazë të re në menaxhimin e UKT. Jemi në një proces të formalizimit, binjakëzimit me Ujësjellës-Kanalizimet e Puglias, që është  një ndër Ujësjellës-Kanalizimet më të mira sot në Evropë, për vetë faktin se nuk ka ujë në Puglia, nuk ka burim uji. Zakonisht vendet që nuk kanë ujë janë edhe menaxherët më të mirë të çdo pike të ujit.
 
Ne në fakt bëjmë të kundërtën, “notojmë” në ujë dhe jemi menaxherët më të këqij të ujit. Ndaj dhe po bëjmë një partneritet të tillë, me menaxherët më të mirë të ujit sot në rajonin tonë, për t’u siguruar që eksperienca e tyre e menaxhimit, të një vendi që nuk ka burim uji, por që ka 24 orë ujë, të bëhet mësim edhe për ne që “notojmë” 24 orë mbi ujë dhe kemi shumë pak orë ujë në shtëpitë e familjet tona.
 
Duke qenë se Ujësjellësi i Tiranës është i vetmi ent i cili hyn me një faturë në çdo shtëpi të qytetarëve të Tiranës, ne parashikojmë që të jetë po ashtu edhe agjenti ynë financiar për të gjitha detyrimet e Bashkisë. Ju vetë e dini, shkoni të merrni një certifikatë në sportelin e njësisë administrative, ju thonë: “Nuk ke paguar taksën e pronës, ik paguaj njëherë atë e pastaj hajde merr certifikatë!” Shumica e qytetarëve me të drejtë thotë: “Po për sa kohë që nuk më sillni një faturë, pse duhet të bredh sportel më sportel, për çfarëdo lloj takse që unë duhet të paguaj?!”
 
Vendimi që kemi marrë është se duke filluar nga fundi i këtij viti e fillimi i vitit tjetër të gjitha detyrimet e Bashkisë do të jenë në një faturë të vetme, të shpërndara në 12 muaj. Kjo do të thotë që nuk rëndon asnjë, por as nuk i mohohet njeriu e drejta kushtetuese për një certifikatë sepse nuk ka paguar një taksë tjetër për të cilën nuk i ka ardhur kurrë fatura nga sistemi që kemi trashëguar në katër vitet e fundit në Bashkinë e Tiranës. Kjo është arsyeja pse të gjitha faturat do të kondensohen në një të vetme, që çdo qytetar në faturën e ujit të ketë të gjithë detyrimet e Bashkisë dhe të mos sorollatet më, duke i rënë pas çdo lloj zyre të Bashkisë së Tiranës, për të kërkuar faturën e vet që kurrë nuk i ka mbërritur në shtëpi.
 
Ne jemi të vendosur që për herë të parë në historinë e 25 viteve me Ujësjellës - Kanalizime sh.a. ta nxjerrim kompaninë me fitim. Nuk e di sa do të jetë fitimi në 31 dhjetor, mund të jetë vetëm një lek. Por, historia që një kompani e cila ka monopol ujin në Tiranë dhe të dalë me humbje përfundon me administratën që mbaroi.
 
Propozimi tjetër që kam është që të aplikojmë një skemë e cila është e njohur edhe në disa vende të ndryshme të botës, ku të gjithë klientët e Ujësjellës - Kanalizimeve, të jenë gjithashtu edhe aksionerë të kompanisë së UKT. Nuk e di në cilin raport, ndoshta 50%, ndoshta diçka më shumë, por kjo është e vetmja mënyrë se si duke dalë me fitim, secilit klient, në bazë të asaj që ka paguar t’i njihet edhe fitimi i kompanisë dhe t’i zbritet nga fatura e ujit. Kjo do të thotë që çdo njeri që paguan faturën e vet të ujit, duhet të dijë që është edhe vetë aksioner dhe do të marrë edhe ai një pjesë të fitimit, kur kompania të dalë me fitim nëse të gjithë e paguajmë ujin e pijshëm.
 
Do të doja të ftoja të gjithë qytetarët, sidomos mediat që të na ndihmojnë me denoncime se ku abuzohet me ujin e pijshëm. 10 mijë ndërprerje që kemi bërë në muajin tonë të parë nuk janë asgjë. Me shumë gjasë potenciali është për 50 - 60 mijë ndërprerje, nga mënyra se si abuzohet uji. Duke qenë se Bashkia e Tiranës është edhe 90% aksionere e UKT dhe në minorancë është Bashkia e Kamzës dhe Vorës, jemi në diskutime me dy kolegët që secili të menaxhojë respektivisht Ujësjellës – Kanalizimet e tyre.
 
Ajo që na ndodh është që shumë prej tyre kanë politika të ndryshme. Nuk jam këtu që të bëj politikat e bashkive të tjera, unë jam këtu të bëj politikën e Bashkisë së Tiranës. Kjo do të thotë që i kam inkurajuar kolegët të krijojnë ujësjellësit e tyre. Ujësjellës - Kanalizimet e Tiranës e shesin ujin tek ata me shumicë, pastaj nëse ata duan ta falin, nëse ata duan ta shpërdorojnë, ta vjedhin, kjo është zgjedhja e tyre. Por Bashkisë së Tiranës që prodhon ujin dhe mban në këmbë këtë infrastrukturë do t’i paguhen lekët si shitës me shumicë. Politikat e tyre sociale në vendet e tyre nuk i menaxhoj unë, ata të marrin vendimet e tyre.
 
Do të sigurohem që Ujësjellës - Kanalizimet e Tiranës, në datën 31 dhjetor, pas 25 vitesh humbje, del të paktën me një lek fitim. Vitin tjetër çdo fitim do i shpërndahet si divident në faturë atyre që janë klientë. Kush paguan ujin është automatikisht edhe aksioner i UKT dhe për çdo lek fitim do ndahet në mënyrë proporcionale me të gjithë aksionerët, sipas faturave që kanë paguar atë vit. Kjo është mënyra më transparente për të mbajtur nën kontroll këtë kompani, për të qenë në kontroll të klientëve që janë gjithashtu edhe aksionerë dhe për t’u siguruar që hapim një kapitull të ri të mënyrës se si ne menaxhojmë punët publike në qytetin tonë.
 
E di që sot dhamë shumë informacion, edhe mbi punën  që është bërë këtë muaj, edhe mbi mënyrën se si duam që të vijojmë bashkëpunimin në të ardhmen, mënyrën se si do i kontraktojmë punët në ndërmarrjet e Bashkisë, por shpresoj se ishin informacione të nevojshme. E dini që në këto tre muaj, çdo gjë që kemi thënë, e kemi bërë dhe nuk tërhiqemi nga gjërat që i kemi marrë si vendime. E ndjeva të nevojshme që të gjitha këto vendime publikisht t’i anonçonim sot, që edhe ju të na ndihmoni duke na monitoruar se si do i zbatojmë këto vendime në të ardhmen.
 
Dua të falenderoj shumë menaxherët e rinj të UKT, stafin që punon me ndershmëri. Unë e di që shumica e njerëzve në Shqipëri e Tiranë janë të ndershëm dhe kurrë nuk do të lejoj që në administratën tonë një pakicë e pandershme, një pakicë hajdutësh, një pakicë njerëzish të korruptuar, të influencojë mënyrën se si shërbehet me ujin dhe me cilësinë e punës tonë në Tiranë. Për shumicën tjetër që në fakt zbaton ligjin, shkon çdo ditë në punë, respekton normat e një shoqërie demokratike, punon me transparencë, nuk fut duart në faturën e një qytetari dhe besoj se kjo shumicë morale, nëse bashkëpunon me qytetarët që denoncojnë këto shkelje i ka të gjitha shanset që ta kthejë historinë e UKT në një histori suksesi.
 
Ambicia ime është që aq e suksesshme të jetë UKT sa në fund të mandatit ne të marrim përsipër dhe të menaxhojmë si të ishim një kompani private dhe Ujësjellës-Kanalizimin në bashki të tjera, qoftë duke i blerë, qoftë duke i marrë përsipër menaxhimin. Por fillimisht duhet të kthejmë Tiranën në një histori suksesi, para se të marrim përsipër të menaxhojmë ujësjellës të dështuar në vende të tjera.
 
Kjo që po ju them nuk është habi. Një ndër bashkitë më të suksesshme sot në botë është ajo e Medelinit dhe e Bogotas që sot menaxhojnë deri në 500 ujësjellës dhe hidrocentrale, por që fillimisht rregulluan të tyret para se të bëheshin kompani kombëtare apo edhe ndërkombëtare. Ambicia ime për UKT  është kjo: Të ftillojë punët në shtëpinë e vet, të dalë kompania më e suksesshme në Shqipëri dhe më pas të ketë ambicie dhe të menaxhojë në bashki të tjera ujësjellës - kanalizimet kur ato kanë dështuar apo nuk kanë eksperiencën tonë.
 
E di që ju pret një punë e jashtëzakonshme. Ne kemi nisur edhe një proces auditi. Përtej 10 punonjësve që tashmë janë të arrestuar, do të ketë të tjerë që do të shkojnë para drejtësisë.  Ne nuk mund të vijojmë me një kulturë pandëshkueshmërie ku “grijmë sallatë”, politikanët thonë ç’kanë për të thënë dhe më pas çdo gjë harrohet. Ndaj do të vazhdojë kjo situatë. Por, u them të gjithë punëtorëve dhe administratorëve të ndershëm të UKT të mos kenë asnjë shqetësim. Kush ka respektuar ligjin dhe punon me drejtësi do të duhet të vazhdojë të punojë me drejtësi duke respektuar ligjin, por të tjerët duhet të ruhen, sepse epoka e pandëshkueshmërisë dhe abuzimit në Ujësjellësin ka përfunduar në ditën që morëm drejtimin e Bashkisë së Tiranës dhe UKT.
 
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zikaltrit vuajnë, Thuram shënon tripletë dhe i jep triumfin Interit përballë Torinos

Zikaltrit vuajnë, Thuram shënon tripletë dhe i jep triumfin Interit përballë Torinos