Fjala është për gazin natyror, që do të kalojë në territorin shqiptar falë pozicionit gjeografik të Shqipërisë për të furnizuar Italinë e Jugut, nga çka vendo ynë përfiton edhe si tranzit, edhe si përdorues për herë të parë.
Ndonëse vendimi zyrtar pritet të merret nesër, të dhënat paraprake tregojnë se projekti i gazsjellësit TAP (Trans Adriatic Pipeline), një degëzim i të cilit kalon nga Shqipëria është përzgjedhur tashmë nga Konsorciumi “Shah Deniz 2” i Azerbajxhani si projekti fitues, ndaj rivalit Nabucco. Sipas gazetës greke “Kathimerini”, vendimi i është njoftuar kryeministrit të Greqisë, Antonis Samaras, nga përfaqësuesit e “British Petroleum” dhe të kompanisë shtetërore azere të energjisë “Socar”, gjatë një takimi të zhvilluar në Athinë. Lajmi është konfirmuar dje edhe nga zyrtarë të ministrisë së Ekonomisë, Tragtisë dhe Energjetikës.
Ndërkohë, agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Reuters” citon një njoftim zyrtar të kompanisë austriake të energjisë OMV, sipas të cilës projekti “Nabucco West” nuk është përzgjedhur nga konsorciumi “Shah Deniz 2”.
Po dje, burime shqiptare bënë me dije se, njëkohësisht me projektin TAP, është miratuar si paketë edhe projekti tjetër i degëzimit të gazjellësit nga Fieri drejt Kroacisë, i njohur si projekti Jonian Adriatik apo IAP. Kjo do të thotë që paralelisht me nisjen e punimeve për ndërtimin e gazsjellësit Trans Adriatik, në vijën bregdetare shqiptare mund të nisin punimet për gazsjellësin që kalon në ultësirën perëndimore shqiptare drejt Kroacisë. Ky vendim vjen vetëm pak ditë pasi në Dubrovnik u zhvillua takimi ministror, në të cilin kryediplomatët e Malit të Zi, Bosnje Hercegovinës dhe të Kroacisë iu bashkuan Shqipërisë, Italisë e Greqisë, duke nënshkruar publikisht memorandumin e bashkëpunimit në kuadër të projekteve TAP dhe IAP.
PROJEKTI
TAP-i siguron një rrugë të drejtpërdrejtë nga kufiri greko-turk deri në Itali, pra është një zgjidhje “one-stop-shop” me gjurmën më të shkurtër. Përveç sigurimit të një lidhjeje direkte me tregjet kryesore europiane, ai mundëson burime të shumëllojshme dhe të sigurta furnizimi, të cilat do të sjellin përfitime për vendet e Europës Juglindore dhe krijon mundësi të reja në Ballkanin Perëndimor, në përputhje me politikën energjetike të BE-së. Sipas raportit përmbledhës, gazsjellësi ndjek një gjurmë të mirëplanifikuar tokësore dhe detare, duke minimizuar rrezikun, ndikimin mbi mjedis dhe komunitetet vendore. Një tjetër avantazh që përmendet është edhe fakti se kapaciteti mund të zgjerohet në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë nga një pikë fillestare prej 10 miliardë metrash kub në vit në 20 miliardë dhe më shumë, me kosto minimale.
DETAJE
Tregjet
Volumi i gazit i transportuar përmes TAP-it në Itali mund të transportohet më tej, përmes rrjedhjes në drejtim të kundërt fizik ose asaj virtuale, përmes sistemit Trans Austria Gas (TAG) dhe/ose Transitgas për në tregjet e Europës Veriperëndimore.
Tabela
Gazsjellësi TransAdriatic
Korridori i TAP-it do të jetë afërsisht 870 km i gjatë
550 km kalojnë në Greqi, 210 km në Shqipëri, 105 km në Detin Adriatik, 5 km në Itali
Pika më e lartë e TAP-it do të jetë në lartësinë prej 1800 m në malet shqiptare
Pika më e thellë në pjesën e tij detare do të jetë në thellësinë 810 m
Pjesa tokësore e tubacionit do të ketë një diametër 1.2 m, ndërsa diametri i segmentit detar do të jetë 0.91 m
Trashësia e mureve të tubave të çelikut do të jetë 17.5-31 mm (katër seksione tubash) për pjesën tokësore dhe 21-34 mm për pjesën detare
Pesha totale e tubacionit në pjesën tokësore dot të jetë rreth 400.000 tonë metrik, mesatarisht 500 kg për metër
Pesha në pjesën detare do të jetë rreth 70.000 ton
(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)