Jonida Vokshin e gjetëm në sallën e provave, të Teatrit të Komedisë, ku po finalizonte pjesët e fundit të “Klanit i të divorcuarave”. Me buzëqeshjen e ëmbël që karakterizon bukuroshen Vokshi, ajo shkëputet nga provat dhe na rrëfen jo vetëm eksperiencën e re në teatrin, që ajo aq shumë e do por edhe Jonidën jashtë skenës dhe ekranit. Imazhi i Digitalb, shprehet se të qënurit pjesë e kësaj platforme nuk është përparësia e saj, pasi regjizura dhe aktrimi mbeten prioritetet e saj.

Interpretoni në komedinë “Klani i të divorcuarave”, në rolin e një femre të divorcuar, si e ndjeni veten në këtë personazh?

Shumë mirë pasi u bë një kohë e gjatë që ne bëjmë prova, kështu që një personazh në momentin që ti punon me të, të bëhet shumë i dashur. Ndonjëherë e gjej veten me shoqet apo në familje, duke bërë si Meri dhe them prit kjo nuk është Jonida (qesh).

Kjo do të thotë që është një personazh i veçantë..

Do të thotë që e kam bërë pjesë timen tashmë.

Nga të gjithë personazhet që keni interpretuar, cili ka qenë më interesanti?

Të them të drejtën unë nuk kam luajtur shumë, për vet faktin që u bë 2 vjet që kam mbaruar studimet, dhe përveç eksperiencave dhe rolet në shkollë, përpos edhe një roli në Teatrin e Metropolit nuk kam patur të tjera. Por mund të them që ky është një rol që më ka tërhequr shumë, madje që në fillim kur lexova skenarin.

Meri (personazhi që ju interpretoni) është një femër që e ka zgjidhur vet divorcin, nëse do ndalemi në jetën reale, ju si mendoni është më pak e dhimbshme, të të lenë apo të lësh?

Meri nuk ngjan shumë me Jonidën, ose nuk ngjan fare dhe kjo më ka tërhequr shumë. Ajo është një femër shumë e përkëdhelur, që frekuenton jetën e natës, vlerëson shumë paranë te një mashkull dhe duke qenë kaq ndryshe më pëlqen ta provoja veten në këtë version. Përsa i përket pyetjes nuk besoj se është kjo ajo që e bën të vështirë një ndarje, ta lenë apo ti lësh. Për mendimin tim ajo që është më e vështira është ta humbësh një person dhe nuk ka rëndësi të lanë apo i le.

Po të ndalemi tek jeta juaj personale, ju e keni kaluar një vuajtje të tillë?

Nëqoftëse do ta kisha kaluar mbase do isha më mirë në këtë rol pasi do ta kuptoja, por fatmirësisht për mua është më mirë pasi nuk e kam provuar. Nuk i kam provuar akoma dhimbjet e një ndarje. (qesh)

Jeni diplomuar për regjizurë, çfarë ka të përbashkët regjizura dhe aktrimi?

Janë të ndërthurura, pasi nuk funksionojnë dot pa njëra-tjetrën. Regjisori nuk funksionon dot pa aktorët dhe anasjelltas. I vetmi avantazh i regjizurës është se ajo e përfshin edhe lëndën e mjeshtërisë së aktorit, është 2 në 1 le të themi (qesh).

Do të kishit dëshirë të vinit vet një vepër në skenë?

Ofertat për role nuk më kanë lëne kohë që unë të vendos një vepër në skenë. Sa bëhesha gati të vija një vepër, vinte një ofertë për rol dhe unë e lija pas dore, megjithatë shumë shpejt do të vë një shfaqje timen.

Do t’iu pëlqente një komedi, dramë..

Mjafton të jetë dramaturgji e autor i mirë, kjo ka rëndësi ...

A keni një autor të preferuar?

Kam shumë autor të preferuar bashkëkohor, por e rëndësishme është që vepra të më ngjisë, të më japi dorë nga ana regjisoriale dhe kjo është e rëndësishme.

Si jeni ndjerë pranë Romir Zallës dhe Adriana Tolkës?

Kemi fatin që jemi tre dhe të tre kemi një gjuhë të përbashkët dhe shumë të mirë me njëri-tjetrin, në këtë mënyrë nuk janë ndjerë fare provat.

E pranuat menjëherë ftesën e Inisit?

Të them të drejtën nuk u mendova dy herë, në moment të parë që Inisi më mori në telefon ishte një po e menjëhershme. Inisi është shumë komode dhe një regjisore shumë e talentuar.

Ju kemi parë edhe në kinematografi, kë doni më shumë teatrin apo filmin?

Teatri është dashuria ime e parë, është ajo që kam dashur që fëmijë dhe nuk e ndërroj me asgjë, as me televizonin as me filmin. Por edhe filmi nuk ngelet mbrapa.

Flisni me shumë pasion për aktrimin, pse nuk i vazhduat studimet për aktrim?

Që e vogël shkoja shpesh në Kinostudio, pasi im atë ka punuar përreth 20 vjet atje dhe kam qenë shumë herë prezente nëpër xhirimet e filmave. Ajo që më tërhiqte më shumë ishte puna e regjisorit. Regjisori u bërtiste aktorëve, madje njëherë ka qëlluar edhe një vajzë të vogël që të qante në rol dhe unë thoja që unë s'mund të jem aktore, do bëhem regjisore. Do ti që ngeli që atëhere (qesh) dhe unë realisht studiova për regjizurë dhe nuk jam fare pishman.

Përveç aktrimit, regjizurës dhe televizionit, çfarë ju pëlqen tjetër?

Në fakt mua më ka pëlqyer diçka tjetër nga kjo lloj fushe dhe ka qenë arkitektura , se unë kam dorë edhe për pikturë.

Prej kohësh jeni imazh i Digitalb si u gjendet në të dhe a ju tërheq?

Kjo ka ardhur komplet papritur, në fillim kam qenë imazh i “Super Sport” gjë që unë e mora me qejf, por nuk merrja vesh fare nga sporti (tani që jam imazh i Digitalb e them lirisht këtë sepse kur isha imazh i Super Sport thoja që më pëlqen por nuk mar vesh (qesh) ). Po më ka ndihmuar shkolla për të qenë jo amatore, sepse edhe spoti është një lloj aktrimi, një metrazh i shkurtër që ka një subjekt dhe bën një personazh. U bën 3 vjet që unë jam pjesë e kësaj platforme dhe ia kam marr mirë dhe ndihem komode.

Ndjeni rivalitet sepse ka patur të tjera figura si imazh i kësaj kompanie?

Jo nuk e kam ndjerë këtë rivalitet as në fillim as tani, sepse këtë gjë nuk e patur përparësi. Imazhi nuk është profesion, është një diçka që ti e bën momentalisht sigurisht të hap shumë dyer, por nuk e shoh si përparësi timen.

Të qenit një femër e bukur, mendoni se ju ka ndihmuar në karrierën tuaj?

Sigurisht që më ka ndihmuar dhe do gënjeja po të thoja jo, por ka një gjë shumë të vërtet në këtë mes sado që paraqitja e jashtme të ndihmon, ashtu edhe të mbyllen shumë shpejt nëse nuk di ti mbash ato mundësi që të ofrohen. Këtu pastaj varet ku e kanalizon ti veten dhe cfarë do të arrish.

Po përse i përket emisioneve, si ndiheni si prezantuese?

Në fillim kam patur një emision me të ftuar dhe për mua ishte shumë e vështirë, pasi ishte hera e parë që përballesha me të ftuar në studio dhe të bëja prezantimin. E fillova me një format paksa të vështirë sepse kisha të ulur përballë personalitete të cilët në një kafene edhe mund të bënim muhabet miqësor, por kur ke kamera përballë është më vështirë por ia mora dorën. Tani kam një tjetër format për kinemanë.

Çdo gjë e lidhur me artin..

Nuk di të bëj gjë tjetër, këtë do bëj deri në fund..

Si fillon një ditë për Jonidën?

Unë nuk kam asnjë ditë të zakonshme, pasi nuk kam një ditë njësoj me tjetrën. Mund të kem një ditë që zgjohem në mëngjes dhe nuk kam kohë për asgjë, ashtu sikurse mund të kem një ditë që mund të kem gjithë kohën për veten time.

Po përsa i përket pushimeve, si ishin ato?

Kjo ka qenë vera e parë pa plane, pasi kisha projekte dhe punë që nuk më lanë kohë të mendoja për pushime. Ishte vera e parë që unë nuk dola jashtë shtetit.

Me kë pushuat?

Kam lëvizur me familjarët dhe mikeshat e mia (qesh)

Një nga mikeshat tuaja është edhe këngëtarja Elvana Gjata, vazhdon miqësia juaj?

Sigurisht, unë nuk e kam shoqe por motër tanimë.

Shumë njerëz mendojnë që keni hije me njëra-tjetrën, mos ndoshta për faktin që rrini shumë bashkë?

Kemi shumë vite që njihemi dhe kur rri me një person aq shumë fillon merr edhe mënyrën e të komportuarit me njëra-tjetrën, kështu që shumë herë na ngatërronin.
Përveçse edhe fizikut dhe ngjyrës se flokëve, edhe pse tani Elvana ka ndryshuar për shkak të klipeve, kurse unë ende s’kam ndryshuar (qesh).

Jeni dy vajza që merreni me art, sa suport dhe sa kritizere jeni për njëra- tjetrën?

Elvana është kritikja ime më e vërtet, madje më shumë më kritikon sesa më vlerëson. Komplimenta nuk më bën shumë, kritikat gjithmonë i ka rresht (qesh).

Pas “Klanit të divorcuarave”, ku do t’iu shohim tjetër?

Është një projekt në fakt që nuk dua ta zbuloj.

Ka lidhje me televizionin apo me kinematografinë?

Ka lidhje me kinematografinë, por është në proçes e sipër dhe nuk është finalizuar akoma (qesh).

Sa e kënaqur jeni me suksesin e arritur deri tani?

Kam ecur me hapa shumë të ngadalshme dhe nuk kam dashur të bëja shumë gjëra njëkohësisht. Jam ende në fillimet e mia e kam shumë rrugë për të bërë duke menduar që teatri dhe regjizura janë ëndrra ime më e madhe, unë jam ende në hapat e mia të para dhe nuk kam arritur asnjë sukses, (qesh).

Su/ Shqiptarja.com