Kryetari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Sokol Çomo, takon Ambasadorin e BE-së dhe Të Ngarkuarën me Punë të SHBA-së për procesin e Vetting-ut Kryetari I Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Sokol Çomo, priti ditën e djeshme në ambientet e Kolegjit Ambasadorin e BE në Tiranë, Silvio Gonzato, dhe të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri, Nacy VanHorn. Takimi kishte si fokus diksutimin mbi procesin e rivlerësimit të gjyqatarëve dhe Prokurorëve.
Në fjalën e tij, Kryetari Çomo vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë proces dhe theksoi rëndësinë e tij për ecurinë e reformës në sistemin e drejtësisë. Ai theksoi gjithashtu se procesi i Vetting-ut ka hyrë tashmë në fazën përmbyllëse, ndërkohë që Kolegji i Posaçëm të Apelimit po punon për përfundimin e rreth 100 çështjeve të mbetura brenda afatit të caktuar deri në qershor 2026.
Për të arritur këtë objektiv, Kolegji ka marrë të gjitha masat e nevojshme dhe po bashkëpunon ngushtësisht me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) për hartimin dhe zbatimin e një plani pune konkret.
Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, shprehu mbështetje të fortë për procesin e Vetting-ut, duke theksuar rëndësinë që çdo subjekt të rivlerësimit të jetë përballë të njëjtave standardeve të gjykimit. Ai falënderoi Kolegjin për bashkëpunimin me ONM-në dhe përpjekjet për të ruajtur cilësinë e procesit.
"Ne vlerësojmë punën tuaj dhe mbështesim angazhimin tuaj për të përfunduar këtë proces të rëndësishëm," tha Gonzato.
Nga ana e saj, Të Ngarkuara me Punë e SHBA-së, Nancy VanHorn, vlerësoi përpjekjet e gjyqtarëve të Kolegjit për të balancuar ritmin e shtuar të punës me ruajtjen e cilësisë së gjykimit. Ajo theksoi se procesi është sfidues dhe kërkon angazhim të madh, jo vetëm për gjyqtarët, por edhe për familjet e tyre. "Angazhimi juaj për të përfunduar këtë proces brenda mandatit kushtetues është një shembull i fuqishëm për institucionet e tjera të drejtësisë," shtoi VanHorn.
Takimi shënon një moment të rëndësishëm për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar në mbështetje të reformës në drejtësi dhe për të siguruar që procesi i Vetting-ut të përfundojë brenda afateve të parashikuara nga Kushtetuta.
Komente











