Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani. Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe hetimit të thelluar, trupa e KPK deklaroi se gjyqtari është i përshtatshëm për të vijuar detyrën e gjyqtarit. Dvorani ashtu si seancën e kaluar dëgjimore edhe sot ishte i pranishëm përballë trupës së KPK.
Në pasurinë e Dvoranit, numërohet një apartament me sipërfaqe 120 m2 në pronësi të dy bashkëshortëve dhe dy apartamente të privatizuar më 1993 dhe 1995 me sipërfaqe respektivisht 103 m2 dhe 76.8 m2 dhe një makinë Skoda Otavia, blerë më 2016.
Gjyqtari ka deklaruar gjithashtu edhe një hua të dhënë nga prindërit për shlyerjen e apartamentit që ka në pronësi me gruan, ndërsa nuk ka deklaruar 9 milion e 900 mijë lekë nga ana e tij.
Në seancën e kaluar trupa e KPK deklaroi se gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Ardian Dvorani sipas raportit të ILDKPI nuk ka bërë një deklarim të saktë duke mosdeklaruar nëse ka apo jo burime të mjaftueshme për pasurinë e tij. Por, sipas KPK, ai nuk ka bërë fshehje llogarish apo të ardhurash por ka një deklarim të pasaktë për llogaritë bankare të tijat dhe të personave të lidhur me të.
Dvorani vetë u shpreh seancën e kaluar se mosdeklarimi ka ndodhur për shkak të ngarkesës së punës duke fajësuar edhe ILDKPI-në, e cila sipas tij nuk e kishte ftuar për të verifikuar pretendimet.
Ndërkohë që sot trupa e KPK e ka konfirmuar në detyrë. Për emrin e Ardian Dvoranit kishte mjaft akuza nga opozita në drejtim të kryeministrit, por Rama u përgjigj duke thënë se PD është e dëshpëruar nga pastrimi i pallatit të drejtësisë.
Lajmi kryesor: