Vezët e Pashkës dhe sindroma e flakës së kashtës opozitare

Vezët e Pashkës dhe sindroma e flakës së kashtës opozitare

Protesta e dhunshme e qytetareve ne Rrugen e Kombit

Natyrisht më e mira do të ishte të mos kishte ndodhur gjithë ajo zallamahi e rrokopujë. Më e mira do të ishte që ambulancat dhe makinat me gra e fëmijë të mos ishin bllokuar nëpër rrugët e Shqipërisë, ashtu siç ndodhi edhe me mijëra qytetarë të Tiranës nëpër udhëkryqet e kryeqytetit javën e shkuar. Më mirë do të ishte të mos ishin djegur as vendkalimet në Kalimash dhe për pasojë, të mos ishin arrestuar as ata që i dogjën. Por ja që tashmë gjithçka ndodhi dhe Edi Rama bëri, para katër ditëve, të vetmen zgjedhje normale, në situatën aktuale: të tërhiqet qoftë dhe përkohësisht nga imponimi i tarifave për rrugën më të shtrenjtë të historisë së shtetit shqiptar, Rrugën e Kombit.

Teksa kundërshtari i tij Lulzim Basha ishte ulur në asfaltin e autostradës në Vorë, kryeministri njoftoi vendimin për të pezulluar pagesat në rrugët që lidh Shqipërinë me Kosovën “deri në zgjidhjen më të mirë”.

Vendimi i Ramës për ngrirjen e sistemit të pagesës pritet të sjellë një kthesë në zhvillimin e ngjarjeve që lidhen me rrugën e Kombit, por panorama politike në Tiranë ka më shumë elemente sesa revolta e një pjese të vogël banorësh të Kukësit apo zonave të tjera të Verilindjes. Në sfond qëndron konflikti politik që opozita është munduar të ushqejë në muajt e fundit, e që ndërhyn kohë pas kohe në marrëdhëniet e acaruara mes qeverisë dhe partive të pakicës. Rama. Afrimi i vendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, është gjithashtu një faktor që duket se i hedh benzinë zjarrit në politikën e Tiranës.

Ajo që duket qartë dhe në mënyrë të përsëritur, edhe pas revoltës së tarifave, është brishtësia e frymës opozitare në vend. E frymës zyrtare opozitare, për të qenë më të saktë, pasi protesta popullore e ka gjetur kurdoherë vendin dhe momentin për t’u dëgjuar. Pikërisht siç ndodhi në tunelin e Kalimashit.

Ajo që tenton të ngrejë zërin dhe që nuk mundet, nuk ka forcë dhe mbështetje nga pas, është fryma opozitare e partive që ndodhen në pakicë. Në orët që pasuan revoltën e tunelit të Kalimashit, opozita në Tiranë bëri dalje pas daljeje në podiumet e saj, bllokoi rrugët kombëtare nga Veriu në Jug, paralajmëroi rrëzimin e qeverisë, ikjen nga parlamenti, djegien e mandateve, e çfarëdo kërcënimi të imagjinueshëm që ka efekt për veshët e një njeriu të zakonshëm – e megjithatë asgjë prej këtyre nuk ndodhi. Mjaftoi një fundjavë Pashkësh ortodokse, që rrugët e bllokuara, sherri kumbues i fjalimeve patetike plot fjalë të rënda e përbetime, të gjitha morën fund dhe u shuan, ashtu siç ka ndodhur kushedi sa herë deri më sot.

Opozita e djathtë e ka gjuajtur me çizme qeverinë aktuale, i ka rreshtuar asaj akuzat më fantapolitike që mund të prodhojë një mendje njerëzore, i ka numëruar ditët dhe orët, i ka parashikuar skenarin grek dhe izolimin ndërkombëtar, futjen në burg të ministrave dhe rënien e afërt të kryeministrit. Kjo opozitë e ka akuzuar Ramën për korrupsion, drogë, vrasje, shitblerje interesash kombëtare, keqqeverisje dhe injorancë. I ka thënë të njëqindenjëtat.

Pyetja më normale, më naive dhe njëherësh më e natyrshmja e imagjinueshme, që të vjen në mendje, si ke dëgjuar këtë listë “gjëmash” është: pse nuk çohen masivisht shqiptarët, e ta hedhin në Lanë qeverinë e krimit, të korrupsionit, të drogës dhe të një mijë të zezave?! Pse edhe një moment emotiv, plot flakë e tym gomash të djegura, si ai i vënies së tarifave për rrugën e Kombit, nuk po prodhon zjarr politik në Tiranë?!

Ashtu si pyetja, mesa duket edhe përgjigja është shumë e thjeshtë dhe natyrshme sesa mendohet: sepse ata që shajnë Ramën për autostradën, kanë qenë me vite të akuzuarit e mëdhenj të korrupsionit që lidhet me atë rrugë. Që është projekti më i kushtueshëm i shtetit shqiptar, qëkur Ismail Qemali shpalli pavarësinë nga Turqia! Nuk mund të atakosh mungesën e kredibilitetit të kundërshtarit, kur e ke përtokë kredibilitetin dhe imazhin tënd. Prandaj tymi opozitar lodhet e lodhet, pa prodhuar zjarr. Tamam si një flakë kashte, e cila kur merr hov, i fut frikën gjithë miletit, por që kur shubhet, nuk le pas veçse pak hi. Ngjarjet e fundit në Kalimash treguan se Shqipëria ka kriza, probleme dhe nevoja urgjente për të zgjidhur, por nëse qeveria gabon (e kjo ndodh dendur), përballë saj duhet një palë e besueshme, që revoltën popullore e shumëfishon, e jo e mpak dhe e “kastron”. Prandaj dalldia e rrugëve të bllokuara të së enjtes, u fashit si të mos qe fare, përballë vezëve të ngjyera të Pashkëve vetëm tre ditë më vonë. Java news

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Viçidoli Dixhital: 09/04/2018 20:18

    Ky Bashoviqi e ka ba opoziten kashte e koqe.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare