Pas më shumë se 3 javësh në gjendje të rëndë shëndetësore, dhe gati 10 ditë nga ndërhyrja kirurgjikale Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse, Anastas vijon në gjendje shumë kritike.
Burime për Report Tv bëjnë me dije prej ditësh mjekët në njësinë e kujdesit intensiv të spitalit “Ungjillëzimi” të Athinës kanë tentuar të marrin një reagim nga Kryepiskopi por ende nuk ka pasur asnjë shpresë për të tentuar për ta nxjerrë nga intubimi.
Procesi i zgjimit gradual të kryepeshkopit Anastas Janullatos nuk ka dhënë ende optimizëm. Nga Kisha Ortodokse megjithatë thonë e mjekët dhe infermierët vazhdojnë përpjekjet e tyre për të stabilizuar shëndetin e Kryepeshkopit.
Prelati 95-vjeçar ndodhet prej 30 dhjetorit të 2024-ës i shtruar në spital, fillimisht në Tiranë për shkak të një viroze stine.
Më pas gjendja e tij u përkeqësua për shkak edhe të një gjakderdhjeje në sistemin e aparatit tretës, për të cilën u dërgua në Athinë më 3 janar.
Gjatë kësaj kohe në spitalin ku ndodhet Fortlumturia e tij kanë shkuar krerë të shtetit grek, por edhe drejtues të rëndësishëm të qeverisë dhe politikës shqiptare.