Vila e Namikut të Majlinda
Bregut “ndot” kalanë e Prezës

Vila e Namikut të Majlinda<br />Bregut “ndot” kalanë e Prezës
E mbani mend debatin për ndërtimin e një vile private të familjes së politikanes Majlinda Bregu në muret e kalasë së Prezës? Ishte vera e 2013-ës dhe, për ta ndaluar atë dhunim, që i bëhej këtij monumenti të kategorisë së parë, folën mbrojtësit më të mirë të Trashëgimisë sonë: Gjergj Frashëri, Artan Lame dhe Artan Shkreli. U mendua se perëndimi nga Kalaja e bukur e Prezës nuk do të prishej nga egoja për pasuri e pushtetarëve të radhës, por kështu nuk ndodhi.

Fotot që po publikojmë, të bëra vetëm pak ditë më parë, tregojnë qartë, jo vetëm se shtëpia ngjitur me muret rrethuese të Kalasë është realizuar (në të vërtetë, të vetmet të mbijetuara), por bashkëshorti i politikanes së PD-së, ish-ministre e Integrimit, ka preferuar dhe ta “brendizojë”, si për t’ua treguar mirë shqiptarëve që aty shkojnë për vizitë: Kjo është Vila Ajazi!

Banorët e zonës, me trishtim e të dorëzuar, thonë: Ka rreth dy vjet që e ka mbaruar!

Kështjella e Topiasve dhe vila e Namikut të Majlindës, në kohët moderne e në Shqipërinë që dëshiron të shkojë drejt Europës, duket se janë e njëjta gjë.
Mesa duket, beteja për “integrim” e Majlindës, ka kaluar më parë në lejimin e ndërtimit të vilës së Namikut të saj.

[gallery]20517[/gallery] 
Gjergj Frashëri: Duhet të merret Prokuroria me këtë
Një shkelje të qartë të ligjeve dhe që duhet ndëshkuar penalisht”, kështu e ka konsideruar në vitin 2013 edhe arkeologu dhe restauratori Gjergj Frashëri ngritjen e ngrehinës private në Kalanë e Prezës, që i përket familjes së ministres së Integrimit, Majlinda Bregu.

Edhe pse drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës Apollon Baçe ka lëshuar një deklaratë të shkurtër për shtyp duke e konsideruar lejen të ligshme, në këtë intervistë Gjergj Frashëri sjell një numër të madh argumentesh, ku tregon se fillimi i këtij ndërtimi “është tërësisht kundra Rregullores së Mbrojtjes së Monumenteve të kategorisë së parë, siç është Kështjella e Prezës”.

Gjithashtu specialisti i arkeologjisë Gjergj Frashëri akuzon ministrin e Kulturës dhe 30 specialistë të institucioneve vartëse të tij se kanë firmosur “një projekt të turpshëm”. Në këtë intervistë Frashëri tregon sesi “një kompani nëpunësish, të cilët në union me shefat e tyre dhe me vetë ministrin nënshkruajnë kompromise kundra ligjit”...
 
Zoti Frashëri, si e gjykoni rastin, që njerëz të familjes së ministres së Integrimit, zonjës Majlinda Bregu, të ndërtojnë në hapësirën e Kalasë së Prezës që është Monument Kulture?
Ditët e fundit mediat janë shprehur me një farë sigurie, se qytetari që po ndërton ngjitur me muret e Kështjellës së Prezës, është i pajisur me leje ndërtimi nga institucioni kompetent shtetëror.

Po të jetë kështu, për mua si ekspert i mbrojtjes së monumenteve dhe të mjediseve arkeologjike nuk luan asnjë rol, nëse ai që ndërton është një ministër i qeverisë, i familjes së tij apo një qytetar i thjeshtë.

Pyes edhe një herë, ai që ndërton ka leje të rregullt, apo nuk ka leje? Në se nuk ka leje ndërtimi, problemi është i thjeshtë – qytetari kushdo qoftë do të ndëshkohet, sepse ka cenuar nenin që ruan dhe mbron monumentin (Kështjellën e Prezës) dhe substancën arkeologjike të nëntokës së kështjellës.

Nëse qytetari është i pajisur me leje për të ndërtuar një ngrehinë në hapësirën e ndaluar me ligj të Kështjellës ai është formalisht në rregull, kushdo qoftë. Por në se kjo leje e lëshuar nga institucioni shtetëror përgjegjës është në kundërshtim me ligjin për ruajtjen dhe mbrojtjen e Kështjellës së Prezës , atëherë jemi përpara një problemi me përmasa të mëdha shtetërore. Këtu kemi të bëjmë me një shkelje që vjen nga lartësitë e shtetit.

Kjo është tronditëse, një tërmet i shkaktuar nga vetë shteti. Pra shteti dhe qeveria shkelin vetë ligjin, të cilin e kanë detyrë themelore ta mbrojnë. Nuk ka më të rrezikshme se kaq, kur kërkohet të mbrojmë shtetin nga shkeljet ligjore që bën. Çështja është për të gjurmuar dhe ndriçuar deri në fund, të bëhet e ditur, çfarë lloj leje ka qytetari që aktualisht po ndërton buzë mureve të Kështjellës së Prezës?
 
Nga vjen kjo leje, cila instancë shtetërore jep leje për ndërtime në hapësirën e monumenteve të kulturës si Kalaja e Prezës?
Institucioni i vetëm shtetëror që ka të drejtën për të dhënë leje, që të lejojë të bëhet ndërtim apo të kryhet gërmim arkeologjik në Kështjellën e Prezës është Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS).

Meqenëse gropa e ndërtimit të ngrehinës në fjalë ndodhet pak metra larg mureve rrethuese të kështjellës, MTKRS-ja duhet ta ketë pajisur qytetarin me dy leje - e para është leja e ndërtimit të ngrehinës, të cilën e jep Këshilli Kombëtar i Restaurimit (KKR) me miratimin paraprak të Institutit Monumenteve të Kulturës (IMK); e dyta është leja për gërmim arkeologjik, meqenëse gropa ndodhet në zonë arkeologjike të kategorisë shkencore, të cilën e jep Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë (KKA) me miratimin paraprak të Agjencisë së Shpëtimit Arkeologjik (ASHA).

Për të dyja këto leje vendos i Ministri i MTKRS-së. Vendimi jepet në bazë të gatishmërisë së anëtarëve të KKRsë dhe të KKA-së. Në secilën nga këto këshilla ndodhen afërsisht nga 15 anëtarë, pra gjithsej rreth 30 anëtarë, pa llogaritur anëtarët e Këshillit shkencor të famshëm të IMK-së me akademikun Apollon Baçe në krye.

Leja e parë, në se vërtet është dhënë, është një shkelje e qartë që duhet ndëshkuar penalisht, sepse është tërësisht kundra Rregullores së Mbrojtjes së Monumenteve të kategorisë së parë siç është Kështjella e Prezës. Leja e dytë, nëse nuk është parashikuar të kryhet gërmimi arkeologjik, i cili duhet të paguhet nga ndërtuesi i ngrehinës, përbën gjithashtu një shkelje të qartë të Rregullores mbi Arkeologjinë e Shpëtimit, e cila duhet ndëshkuar penalisht.
 
Kush janë këta anëtarë të Këshillave ministrore?
Anëtarët e Këshillave Kombëtarë fillojnë qysh nga drejtori i Përgjithshëm i Trashëgimisë pranë MTKRS-së, drejtuesi i IMK-së, i ASHA-s, i Institutit Arkeologjik, akademikë, juristë të fushës, arkeologë, arkitektë, e të tjerë. Deri para pak kohësh ka qenë pjesëmarrës dhe shumë energjik në këto Këshilla Kombëtare edhe Këshilltari i Kryeministrit.

Teorikisht, të gjithë këta anëtarë duhet të kenë aprovuar këtë projekt të turpshëm që kemi përpara për ndërtim brenda hapësirës së monumentit të Prezës. Por ky nuk është i pari projekt i tillë, por i njëqindti, ose i dyqindti. Me të tilla vendime është masakruar në mënyrë të pashembullt nëntoka e Durrësit, e Sarandës, e Lezhës, e Vlorës, etj., janë dhënë e po jepen edhe sot pa përgjegjësi leje gërmimesh arkeologjike pa perspektivë konservimi formacioneve të huaja, të cilat kanë sjellë e po sjellin dëmtime të pallogaritshme të trashëgimisë, japin leje për ndërtime të parregullta në Gjirokastër, Berat e gjetkë, të cilat janë mjedise në mbrojtje të UNESCO-s, të gjitha ndërhyrje dhe ndërtime antiligjore, për punë parash që janë premtuar dhe lëvruar në rrugë të zeza, apo për interesa pushtetesh dhe miqësish.

Pra është një korr i tërë nëpunësish ministrorë dhe institucionesh shtetërore, të cilët e ndihmojnë ministrin e kulturës me “ndershmërinë” e tyre profesionale për të shkuar në vendime të tilla, si rasti në fjalë.
 
Dini ju raste ku ligji i derisotëm për mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës lë shteg për abuzime?
Ligji nuk lë asnjë shteg për abuzime për ndërtimet private brenda hapsirës së vetë monumentit dhe as brenda të ashtuquajturës vijë të verdhë mbrojtëse përreth tij.
 
Atëherë si gjykoni ju të veprohet konkretisht në rastin e Prezës?
Rasti duhet të denoncohet në Prokurori. Hartohet një protokoll teknik në vend për hapësirën e gropës së gërmimit dhe të përmbajtjes së materialit të nxjerrë nga gërmimi. Këtij protokolli i bashkëngjitet leja e ndërtimit nga KKR-ja dhe leja e gërmimit nga KKA-ja. Këto dokumente i drejtohen prokurorisë.

Pas denoncimit, prokuroria mund ta kryejë këtë dokumentacion edhe me iniciativën e vet, duke marrë një ekspert monumentesh që i njeh ligjet për mbrojtjen e tij. Prokuroria akuzon dhe e dërgon dosjen për trajtesë në organet gjyqësore. Për rastin në fjalë, në se ministria ka lëshuar leje të tilla, prokuroria nuk duhet të presë asnjë minutë, sepse ka të bëjë me mbrojtjen e shtetit në katet më të larta.

Kemi të bëjmë me mbrojtjen e shtetit tonë. Kemi të bëjmë me një kompani nëpunësish, të cilët në union me shefat e tyre dhe me vetë ministrin nënshkruajnë kompromise kundra ligjit, kur ata vetë janë direkt përgjegjës dhe të ngarkuar për mbrojtjen e tij. Pikë!
 
 
Mendoj se edhe pronari që po ndërton në Prezë nuk është pa përgjegjësi, kur ai ndërton në shkelje të ligjit, pavarësisht se e ka leje nga shteti. Konkretisht nuk kemi të bëjmë me një qytetar të thjeshtë, por me familjen e një ministreje qeverie ende në fuqi. A nuk ka ajo përgjegjësi të paktën si qytetare, pasi ajo i njeh ligjet dhe e di që nuk duhet të ndërtohet pranë mureve të monumentit?
Për këtë nuk më takon të jap përgjigje. Ky është një qëndrim privat i qytetarit. Askush prej nesh nuk duhet të spekulojë mbi përgjegjësinë e një qytetari, kur ai ka në dorë një leje shtetërore, qoftë edhe në se ai e di, që ai vendim (leje) është në përmbajtje i kundërligjshëm.

Në rastin konkret janë shkelur rëndë disa nene të Ligjit mbi Trashëgiminë Kulturore, si dhe Rregullorja e Restaurimit dhe Rregullorja e Arkeologjisë së Shpëtimit.

A e di qytetari që po ndërton në Prezë këtë? E di apo nuk e di, ne nuk kemi të drejtë aspak ta vëmë atë përpara përgjegjësisë penale, në se ai ka në dorë lejet e Ministrisë. Kështu shkelim mbi të drejtën e qytetarit dhe kthehemi në kohë mbrapa, në kohën kur emocionet kolektive partiake pinin ujë më shumë se ligji. Me këtë rast më lejoni të jap një opinionin tim, jashtë rastit në fjalë:

Nga vëzhgimet vetjake kam vërejtur se në qeverinë tonë ka ndonjë ministër apo deputet që nuk i njeh ligjet, dikush nga injoranca, dikush nga mungesa e interesit ndaj ligjit, dikush duke e injoruar ligjin me dashje (duke luajtur se nuk është në dijeni të tij), për të përfituar nga realiteti i shthurur dhe miqësitë e lidhura me moral të ulët.

Ky realitet në Shqipëri nuk është ndonjë çudi, sepse në këto më se dy dekada qytetet tona janë robëruar nga zbritja e vrullshme e “fiseve indigjene”, siç i quajnë historianët simbolikisht dyndjet e të uriturve nga thellësitë e varfra dhe të paqytetëruara të vendit në drejtim të qytetit, sidomos të kryeqytetit. Ata, meqenëse janë shumicë, kanë zgjedhur edhe përfaqësuesit e tyre në qeveri.

Kështu që nuk është çudi, që ministri apo deputeti nuk i njeh ligjet, sepse nuk beson në forcën e ligjit, nuk beson në një paragraf apo nen të shkruar në letër, nuk beson se ai paragraf në letër po të zbatohet nga të gjithë, ka fuqi të ndryshojë dhe të rregullojë jetën e të gjithëve, jetën e qytetit ku ata jetojnë e punojnë. Sepse është i paditur ndaj kësaj përvoje.

Ligji i duket dikushit shumë më i dobët, i pakapshëm dhe i papërfillshëm në krahasim me pushtetin e tij, të cilin e ka të thjeshtë për ta përdorur ku të dojë.

Ka ministra dhe deputetë në Shqipëri që e shpërfillin dukshëm ligjin, i largohen në mënyrë demonstrative atij, sepse si shumica pra e shqiptarëve që përmendëm, i realizojnë qëllimet e tyre vetëm nëpërmjet miqësive, përdorimit të pushtetit, doja të thosha më saktë, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës në mënyrë mesjetare, shpërdorimit të pushtetit që ia ka dhënë shoqëria për të mbrojtur ligjin.
 
Debatet
Edhe deputetët e PD u shprehën kundër ndërtimit në Kuvend
Është interesant se fakti që në Kalanë e Prezës mund të ndërtohej një objekt shërbimesh ishte bërë objekt debati edhe në Kuvend, madje duke marrë kritika nga deputetë të PD. Ja diskutimet në komisione më 9 maj 2012.

“Mendimit të deputetit Mark Marku për Kalanë e Petrelës, pasi foli për denigrimin e destinacionit nga bizneset, i është bashkuar edhe deputetja e PD-së Raimonda Bulku. "Kemi dëgjuar grupet e interesit. S'duam të shkatërrohet ajo që është autentike. Është bërë gabim me Petrelën.

Atje bie gjellë..., sa e kontrolluar është kontrata?", pyeti deputetja Bulku, duke komentuar se "Në Petrelë nuk është më ajo shija e Kalasë së motmotit. Ishte një restorant, u hap dhe një tjetër. Atje është kthyer në kuzhinë, ku shkohet vetëm për të ngrënë. Muret e saj tashmë bien era gjellë".

Ndërsa deputeti Mark Marku tha se "Në Petrelë është ndërhyrë edhe tek muret antike. Janë bërë mure me çimento." Ai tërhoqi vëmendjen duke shtruar pyetjen nëse e ndjen këtë përgjegjësi Ministria e Kulturës.

Artan Shkreli/ Këshilltari aktual i kryeministrit Rama:  Vila? Shkelje e rëndë, një ndërtim i paligjshëm, por me leje?!”
Ka qenë “Shqiptarja.com” që ka zbuluar dhe denoncuar e para përpjekjet për ndërtimin e një restoranti në mjediset e Kalasë së Prezës.
Ja shkrimi, i publikuar më 14 korrik 2013.
 
Në Kalanë e Prezës fill pas zgjedhjeve kanë nisur me shpejtësi punimet për ndërtimin e një objekti rreth 4-5 metra larg murit rrethues të kalasë. Ngjarja është denoncuar nga banorët e Prezës, të cilët treguan se "kanë vënë re aty praninë e ministres së Integrimit, Majlinda Bregu".

Burime nga Ministria e Integrimit: "Është objekt i ndërtuar me leje nga ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, në një tokë, pronë e familjes së vjehrrit të Bregut, që prej vitit 1900". Ish-drejtori i Institutit të Monumenteve, Artan Shkreli: Ndërtim totalisht në shkelje të ligjit, dyfish i rëndë, sepse edhe me leje, edhe me konflikt interesi".

Ndërtimet pa kriter nuk kanë kursyer këtë periudhë edhe monumentet kulturore, siç është ndertimi që sapo ka nisur të lulëzojë në kalanë e Prezës. Prej më shumë së dy javësh, fill pas zgjedhjeve kanë nisur punimet me shpejtësi për ndërtimin e një objekti, ngjitur me murin rrethues të këtij monumenti, në kundërshtim të plotë me ligjin.

Ngjarja ka rënë në sy dhe është denoncuar nga banorët e Prezës, të cilët fillimisht kanë ngurruar, ndërsa jashtë kamerave treguan se "kanë vënë re praninë e një anëtari të kabinetit "Berisha", saktësisht ministres Majlinda Bregu prej momentit të nisjes së punimeve.

Ata konfirmojnë se "objekti që pritet të ndërtohet është pikërisht i saj". Pamjet tregojnë qartë hapësirën e zënë për ndërtimin e këtij objekti, ku siç duket nga pamjet ka nisur gërmimi dhe duken gurë të mëdhenj grumbull.

Ndërkohë, më pas kanë sqaruar në një lidhje telefonike burime pranë Ministrisë së Integrimit, të cilët kanë shpjeguar se "bëhet fjalë për një objekt të ndërtuar me leje prej ministrit të Kulturës, Aldo Bumçi, në një tokë, pronë e familjes së vjehrrit të Majlinda Bregut që prej vitit 1900".

Por më pas ka reaguar po në linjë telefonike edhe ish-drejtori i Institutit të Monumenteve, arkitekti Artan Shkreli, i cili ka shpjeguar se kjo është një shkelje e rëndë e ligjit, dyfish e rëndë pasi është ndërtim i paligjshëm, por me leje". Sipas Shkrelit, në distanca 4-5 metra nga objekte monumentale, aq më tepër kala nuk ndërtohet, ose duhet të jenë të paktën 30 metër larg, ndërkohë në atë zonë nuk ka ndërtime ekzistuese.

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Meta në 'betejë' me SPAK, gazetari në 'Repolitix': I ka kallur datën! Galdini: Po bëhet drejtësi e negociuar

Meta në 'betejë' me SPAK, gazetari në 'Repolitix': I ka kallur datën! Galdini: Po bëhet drejtësi e negociuar