Ndryshimet në dekriminalizim! Të gjithë kandidatët në listat e partive në filtrin e policisë dhe prokurorisë (para fushatës)

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur sot detaje nga ndërhyrjet që qeveria do të bëjë në ligjin për dekriminalizimin. Rama tha se partitë do t'i dorëzojnë listat me kandidatë organeve ligjzbatuese përpara fillimit të fushatës zgjedhore, në mënyrë që një muaj para zgjedhjeve të gjtihë kandidatët në listë të jenë verifikuar nga policia dhe prokuroria. Kështu, nëse një kandidat deri më sot, plotësonte formularin e veëtëdeklarimit dhe e dorëzonte atë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me ndërhyrjet në ligj, ai më herët do të ketë kaluar në filtrin e verifikimeve të policisë dhe prokurorisë. Rama tha se përgjegjësia individuale e një kandidati që gënjën në formular nuk mund të jetë më barrë e partisë.

- Teksa PS është në proces riorganizimi, keni menduar të vendosni filtra në mënyrë që kandidatët tuaj për bashki të mos i kapë më ligji i dekriminalizimit.

Kryeministri Rama: E kam thënë, e rithem, të gjitha virgjëreshat që thonë të kundërtën u ngjajnë atyre përgjegjëseve të shtëpive të qejfit që predikojnë moral, se kjo është një çështje që mund të zgjidhet vetëm përmes fuqizimit të ligjit në raport me individin, duke e kthyer vetëdeklarimin e rremë në një vepër që dënohet dhe dënohet qartë, ashpër, drejtpërdrejtë dhe nga ana tjetër, duke i çliruar të gjitha partitë politike nga kjo barrë për të lexuar mendjen e  individëve që në mënyrë të papërgjegjshme i shmangen të vërtetës kur vetëdeklarojnë, përmes një ndërhyrjeje në ligj që do t’i japë mundësi institucioneve ligjzbatuese të bëjnë verifikimin, pasi partitë të çojnë listat e kandidatëve për t’u zgjedhur në një kohë më përpara sesa fillimi i fushës, në mënyrë që kur të fillojë fushata, të gjitha listat të jetë të verifikuara nga agjencitë ligjzbatuese. Partitë nuk kanë kapacitete për të bërë punën e policisë apo të prokurorisë. Nga ana tjetër, policia dhe prokuroria duhet të futen në këtë proces më parë. Kjo është e thjeshtë dhe e qartë. Kush pastaj predikon moral, ua thashë, është një shëmbëlltyrë njësoj si ato përgjegjëset e shtëpive të qejfit që tek dera e shtëpisë predikonin virgjërinë e vashave që ofronin brenda shërbime.  

I fundit ishte rasti i Agim Kajmakut, ish-kryetarit të Bashkisë së Vorës, i cili është shpallur në kërkim më vendim gjykate. Ai gënjeu në formularin e vetëdeklarimit duke mos deklaruar që ka qenë i arrestuar dhe hetuar në Greqi vite më parë. Edhe pse ndaj tij ka një vendim pafajësie nga ana e drejtësisë greke, dhe mbi të gjitha bëhet fjalë për një vepër penale që nuk e penalizonte Kajmakun të kandidonte (falsifikim kartëmonedhash), ai duhej t'i ishte përgjigjur me "PO" pyetjeve nëse ka qenë ndonjëherë i arrestuar dhe i hetuar në Shqipëri apo në ndonjë shtet tjetër.

Aktualisht gjithçka është në dorë të KQZ-së. Nëse ky institucion i adminsitrimit zgjedhor ka dyshime mbi vërtetësinë e formularit të ndonjë kandidati, i drejtohet Task-Forcës së dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme e cila kryen verifikimet. Në rastin e Kajmakut, verifikimi nuk nisi pas kërkesës së KQZ-së, por pas denoncimeve publike të PD-së që zbuluan se ish-kryebashkiaku kishte qenë i arrestuar në Greqi me emër tjetër, Jorgo Toto. Pas verifikimeve, Prokuroria e Përgjithshme e vuri zyrtarisht në hetim Kajmakun, ndërsa me masë arresti dhënë në mungesë nga Gjykata, Kajmaku është shpallur në kërkim, jo vetëm për deklarimin e rremë, por edhe pse dyshohet të ketë ushtruar detyrën e kryebashkiakut edhe pasi KQZ i hoqi mandatin më 1 nëntor.


Lajmi kryesor:

Ndryshimet në dekriminalizim! Rama: Të gjithë kandidatët në lista në filtrin e policisë e prokurorisë (para fushatës)


/G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

'Dorëzoni armët, ose do groposeni me to', Erdogan paralajmëron rebelët kurdë në Siri

'Dorëzoni armët, ose do groposeni me to', Erdogan paralajmëron rebelët kurdë në Siri