Vithkuq, aty ku fadromisti pësëist
nuk kontraktohet nga Prefekti

Vithkuq, aty ku fadromisti pësëist<br />nuk kontraktohet nga Prefekti
Duke ikur për në Korçë, është shumë e vërtetë. Rrugët nacionale janë të hapura. Qyteti i Korçës në brendësi i ka të pastruara pothuajse në pjesën më të madhe rrugët. Kalimi i automjeteve bëhet lirshëm, dhe situata është ndihmuar edhe falë kohës së mirë dhe temperaturave më të larta të javës së fundit.
Por në qytet të thonë se problemi nuk është në qytet, janë zona të tëra të qarkut të Korçës, të cilat janë ende të bllokuara, prej ditësh, nuk mund të furnizohen as me ushqime, dhe në pjesën më të madhe të kohës, deri dje, kanë qenë edhe pa energji elektrike.
A ka mbaruar situata për zonat rurale?
Vetëm disa ditë më parë, prefekti Mano dhe ministri Bode, morën dhe një grup të zgjeruar gazetarësh për t'u treguar se rrugët janë nën kontroll. E, s'kish si të ndodhte ndryshe, sepse për fat të keq, edhe vetë ministri dhe prefekti ndenjën pothuajse mbi 6 orë të bllokuar në rrugën e Lekasit. E cila ka edhe më shumë vështirësi.
Dje udhëtimi filloi për të shkuar drejt fshatrave Panarit, Shtyllë e Lubonjë. I përkasin komunës së Vithkuqit, që sot drejtohet nga Partia Demokratike, edhe pse fshati si fshat, me rreth 200 familje dhe mbi 1200 banorë, administrohet nga socialistët.
Në Leshnjë, pa mbërritur në fshatin Vithkuq, banorët kanë dalë te qendra e fshtatit, ku duket e vetmja kafe dhe kanë filluar diskutimet për mbërritjen e ndihmave nga kryetari i bashkisë së Korçës Niko Peleshi, sekretari për Rininë Erion Veliaj dhe të rinjtë e FRESSH të Korçës.
- Nuk duam ndihma në ushqime, - thotë njëri prej tyre.- Kemi boll ushqime. I kemi të gjitha, me rrugë, me drita, vijmë e ikim në Korçë pa problem.
- Po pse mashtron o derëbardhë... Po nuk e shikon rrugën si ka ngrirë. Po ku është e zhbllokuar rruga, i thotë një bashkëfshatar i tij.
- Po ja o, këta nga erdhën, - i kthehet tjetri.
Debati mes tyre vazhdon për një kohë të gjatë, thuajse 15 minuta. Ndihmat e ofruara nga kreu i bashkisë dhe të rinjtë e Fressh i pranojnë. Kreu i Bashkisë Niko Peleshi i pyet për situatën jo vetëm në Leshnjë, fshati i tyre, por edhe në zonat përreth.
Kuptohet qartë se bashkëbiseduesit janë ndarë majtas e djathtas. Edhe të qenurin e tyre nën borë e shohin në mënyra të ndryshme. Por kur vjen puna për situatën në zonat më të thella të Vithkuqit, ndajnë të njëjtin mendim.
- Eshtë keq puna pak më tutje. Maksimumi do shkoni deri në Vithkuq në qendër. Më tutje, nuk shkoni dot. Që të shkoni në Panarit, do të duhet të paktën 5 orë udhëtim. Nuk shkohet as me mushka. Situata atje është keq. Duhet të dërgoni helikopter patjetër atje.
- Ne kemi mundësitë tona modeste. Kemi sjellë kaq sa mundemi për të ndihmuar këto zona në nevojë, - thotë Erion Veliaj i cili tenton t'ju sqarojë banorëve aty se është shumë e vështirë që PS të impenjohet për të ngritur helikopterët dhe për të dërguar ndihma në zonën e thellë.
Një grua në një shtëpi aty pari, nuk ngurron të tregojë se që prej dy muajsh situata është shumë e vështirë. "nuk e shikon moj motër, na mbyti bora. Mirë që nuk kemi ndonjë hall, se si do të zbresim deri në Korçë, është e vështirë. Shyqyr që në gjithë fshatin nuk ka pasur probleme. Edhe pa drita kemi qenë. Dje na i sollën".
- Po sa vetë jeni në familje? E pyes.
- Tetë vetë. Kemi për të ngrënë se e dimë dhe e kemi ruajtur ushqimin se e dimë këtë situatën e dimrit. Po problemi është i dritave dhe i rrugës që duhet të ndërhyhet urgjent, thotë ajo.
Ekipi i opozitës që kishte marrë dy furgonë me ndihma, ikën prej aty për tu nisur drejt Vithkuqit.
Makina 4 x 4, e pamundur të kalojë më tutje. Ndoshta nga mëngjezi ndonjë fadromë mund të ketë kaluar për të hequr borë. Por, në vend që të pastrojë vendin, ka ngjeshur dëborën, duke krijuar një shtresë të madhe akulli, çka e bën të vështirë ngjitjen në fshat. Furgonët ndalojnë në mes të rrugës, dhe pjesa tjetër e bën rrugën në këmbë.
Njëri prej banorëve të zonës, një mesoburrë diku te 55 vjeç, është shumë i revoltuar. E duke parë shumë njerëz ndalon dhe thotë se makinat me pak kujdes mund të shkojnë në fshat po jo më tutje.
- Po situata me rrugët është keq. Unë jam 55 vjeç dhe dimër si ky nuk kam parë ndonjëherë. Ka rënë shumë borë. Te ne, këtu poshtë, i kaloi edhe dy metrat. Tani dëbora ka shkrirë pak, po një fadromë që kujdeset për rrugën, më shumë e prish gjithë situatën sesa e rregullon. Deri tani nuk ka ardhur asnjë njeri të na shohë e të na takojë. Ja na sollën dje dritat dhe i dëgjuam në televizor, jo janë hapur rrugët, ministri dhe prefekti thanë se të gjithë që duan të shkojnë në Dardhë e Voskopojë mund të shkojnë kollaj. Po pse o, vetëm Dardha dhe Voskopoja? Po Vithkuqi? Pse të mos hapin edhe rrugën tonë këtu? Pse gënjejnë. Se fajin e kanë edhe gazetarët. Që erdhën deri në një farë vendi me makinat e tyre, pastaj u hipën atyre makinave të mëdha që kishin marrë ata, dhe nxorrën në televizor se rruga është e pastruar. Po pse nuk jetojmë këtu ne? Nuk e shohim se nuk ka kujdes për rrugën? Kjo është të luash me këtë popull se durojmë ne. Por që situata të mbetet në këtë gjendje është e papranueshme.
Ai është shumë i irrituar dhe deri në qendër të fshatit Vithkuq, vazhdon të flasë e të flasë duke treguar edhe për mungesën e dritave deri një ditë më parë e po ashtu edhe për moskujdesin për hapjen e rrugëve. Pjesën më të madhe të mallrave këta banorë të zonave Leshnje Panarit, Shtyllë, Lubonjë, Grabockë, Tresk etj e kanë me Korçën. Por e kanë të pamundur. Edhe njerëzit nuk dalin më kot nga shtëpia.
Në qendër të fshatit Vithkuq, njerëzit janë më të shumtë në numër.
- Po mirë, në fshatin tuaj nuk ka një fadromë?
- Ka përgjigjet ai. Po fadromisti, është i majtë. Dhe këta të prefekturës nuk duan ta kontraktojnë që ti japin para për naftë dhe hakun e punës dhe kështu mbetet rruga pa pastruar. Sjellin një traktor tjetër që ndoshta vjen nga Korça dhe vetëm njëherë në ditë e bën këtë rrugë.
* * *
Epo kohë më të keqe për të bërë politikë nuk ka. Banorët e Vithkuqit janë më të shqetësuar për banorët në Panarit. Kanë edhe njerëzit e tyre atje. Prej dy muajsh nuk kanë asnjë kontakt njerëzor me ta. Ndërkohë që janë lidhur me telefona. Vetë kryeplaku i Panaritit qoftë edhe në bisedë telefonike, ka frikë të flasë për median. Një zot e di se pse, por edhe pse e ka gjendjen keq, nuk do të prononcohet për të treguar për hallet e Panaritit.
Në Vithkuq, meqënëse rruga ndalet aty dhe për në Panarit mund të shkohet vetëm po u siguruan mjete të larta apo helikopter, Altini, i strukturave të PS, duke u takuar me Niko Peleshin, Erion Velinë dhe të rinjtë e FRESSH angazhohet që ndihmat që kanë ardhur, t'u shpërndahen atyre familjeve që janë më nevojtare. Në pakot e përgatitura ka ushqime, vaj, miell, makarona, sheqer, oriz...të paktën ushqime të shportës.
- Eshtë për të ardhur keq, thotë Altini, kur sheh se deri tani në fshatin tonë nuk ka ardhur asnjë zyrtar i qeverisë dhe i prefekturës për të na pyetur si jemi. Ja ju jeni të parët. Ne ju falenderojmë për ndihmën dhe do ta dërgojmë atë te familjet që janë në nevojë.
Furgonët hapen. Të rinjtë e FRESSH fillojnë në një radhë zinxhir të vënë pakot me ndihma në dyert e komunës së Vithkuqit në qendër. Aty, del përjashta roja i portës, dhe u thotë se pakot me ndihma nuk mund ti vendosin aty.
- Ja edhe kur sillni ndihma, vetëm se janë nga PS, dhe komuna drejtohet nga PD, këta duan që ne ti heqim. Kjo është e paparanueshme.
Erion Veliaj dhe Niko Peleshi falenderojnë gjithsesi grupin e njerëzve që janë aty rrotull. "Ne e dimë se është një kontribut modest. Ashtu sikurse e kemi të qartë që qeveria ka gjithë detyrimin dhe përgjegjësinë për të marrë masat që të mos lejojë një situatë të tillë. Megjithatë, duam t'i tregojmë këtij komuniteti, ashtu sikurse kemi bërë në veri dhe në jug të vendit, që PS gjendet krah njerëzve që në këto momente kanë shumë nevojë për ndihmën dhe solidaritetin e të gjithëve ne" tha Veliaj.
* * *
Në kthim gjithçka bëhet më e vështirë. Fadroma që duhet të pastrojë rrugën deri në dalje të asfaltit nuk ka kaluar më. Karvani i makinave që zbresin, takohen me karvanin e makinave që ngjiten afër rezervuarit të Gjancit, pikërisht ku ndahet ky fshat me Vithkuqin. Dy furgonë pasagjerësh ngecën në dëborë. Katër orë pritje, duke hapur rrugën...me lopata nga të gjithë që ishin prezent.
Por edhe aty, debati politik nuk mungon. Një burrë rreht të 40-ve, duke parë se ishin të rinjtë e Fressh, Veliaj e Peleshi drejtohet dhe thotë:
- E keni kot, nuk merrni vota në Vithkuq...
- Po ça di ti more, ia kthen një bashkëfshatar i tij, apo keni ndërmend të vidhni siç vodhët herën e kaluar. Puna është të vijnë fadromat e të hapin rrugën se mbetëm këtu.
- Edhe këtu do rrimë, nuk kemi asnjë problem. S'kemi nevojë për asgjë...
Disa pasagjerë marrin qeset ku kanë futur më së shumti bukë të zezë, dhe zbresin për të marrë rrugën në këmbë, ca nga Vithkuqi, ca nga Gjanci. Do tu duhet të ecin rreth një orë apo diçka më shumë në këmbë në atë borë. Llogaritë u dalin më mirë, ndërsa mendojnë se për të bërë shkëmbimin e pothuajse 10 makina, duket se nuk kanë shance të shpejta për të kaluar. E rëndësishme është që për politikën diskutojnë me ankth.
- Natën e mirë, e përshëndesin njëri tjetrin.
Eshtë ora 2 pas dreke. Po mirë e kanë. Me gjithë atë borë dhe me rrugët e pahapura, mund t'i zërë aty edhe nata.
(sg/shqiptaraj.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane