Viti i Xhevahir Spahiut, vepra e
poetit dhe intervista e mungua

Viti i Xhevahir Spahiut, vepra e<br />poetit dhe intervista e mungua
TIRANE- Trupi i tij duket si një shtatore e gjallë, që ecën me një ritëm valltari rebel rrugëve të Tiranës. Koka lart. Buzëqeshja që na fal e bën të duket si një pikturë e çmuar. Është e njëjta buzëqeshje e Xhevahir Spahiut që na ka dhënë edhe më parë. Sëmundja s’ia ka ndryshuar dot. Vështrimi krenar. As syrit shigjetar, sëmundja s’ia ka dalë ta mroli.

Më 1 mars 2015 Xhevair Spahiu mbush 70-vjeç. Është fat që poetin e kemi midis nesh, e kemi gjallë. Poeti i përqafon miqtë me atë dashuri dhe dhemshuri për të cilën të merr akoma më shumë malli. As te burimi i dashurisë së tij sëmundja nuk depërtoi dot.

Xhevahir Spahiu ka pësuar një ishemi cerebrale para pak vitesh, por sikur të mos e vuante aq shumë brengën që kujtesa s’e lejon të shkruajë deri në fund vargun e ri të një poezie, do të ndjehej plotësisht i shëruar.

Në këtë 70-vjetor gjithë ngurim e vetëdijësim se kujtesa e tij mund ta lërë në baltë, refuzon intervistën për gazetarin. S’ka gazetar që të mos e pëlqejë atë. Ka qenë një eskluzivitet gjithëherës çdo intervistë e tij. E gazetari mezi pret një intervistë, përpiqet ta bindë se duket shumë mirë, se flet mirë. Ai Xhevahir Spahiu i çiltër, duke picërruar sytë mendueshëm, ku sapo i duket në fytyrë një refleks lumturie thotë: “Ndihem mirë vërtetë, kam fat që kam djalin mjek dhe më ka ndihmuar shumë.

Por s’flas dot, s’mund të flas”. E meqë s’e kemi dot intervistën e tij në këtë 70-vjetor, kemi poezinë. Në rrethet letrare dhe akademike Xhevahir Spahiu është poeti më i dashur, “është një nga poetët më të mirë që ka Shqipëria”, thotë Dritëro Agolli. Duket se kanë vendosur që këtë 70-vjetor t’ia dedikojnë atij. Janë bërë disa projekte që do vijnë hap pas hapi, jo vetëm në ditën e lindjes së poetit. Ky vit do të quhet viti i Xhevahir Spahiut. Kanë nisur aktivitetet.

Për 70-vjetorin sapo është ribotuar vëllimi poetik “Udha” i botuar në 2005-n. Ky ribotim ka edhe disa poezi shtesë të vëllimit të tij më të fundit “Vetëtimë”, botuar nga shtëpia botuese “Poeteka”. I kemi disa nga këto poezi, të cilat edhe kur rilexohen, duken aq të bukura e natyrale, si të bëra nga dora e një krijuesi të përjetshëm.

Të hënën më 2 mars Akademia e Shkencave do të organizojë një takim me shkrimtarin paradite. Ndërsa “Poeteka” do të organizojë në sallën e Teatrit të Metropolit aktivitetin “Ora poetike” në orën 19.00. Ndërkohë gazeta disa poezi të vëllimit “Vetëtimë” dhe ccfarë kanë thënë personalitetet për poetin ia përcjellë lexuesit në vend të intervistës së munguar të 70-vjetorit të lindjes së poetit.  

Kush është Xhevahir Spahiu
Xhevahir Spahiu u lind më 1 mars 1945 në fshatin Malind të Skraparit. Diplomohet në vitin 1967 për letërsi në Universitetin e Tiranës. Që nga ky vit e deri më sot ai ka punuar si gazetar, mësues, botues, skenarist. I cilësuar si një nga poetët në zë shqiptarë të dalë në vitet '70, Spahiu ka botuar një sërë vëllimesh poetike si "Ti qytet i dashur (1973)", "Vdekje e perëndive (1977)", "Dyer dhe zemra të hapura (1978)", "Poezia shqipe (1990)", "Kohë e krisur (1991)"etj. Së fundi është botuar vepra e tij e zgjedhur, krijimet më të mira ndërmjet viteve 1965-2000.

Janë dy vëllime me të njëjtin titull, "Udha". Viti 1993 e gjen Spahiun sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, struktura bazë e organizimit dhe orientimit të artistëve në 45 vite të regjimit. Shumë shpejt ai emërohet kreu i kësaj strukture, funksion të cilin e kryen deri në vitin 1998. Ndërsa Akademia e Shkencave gjatë zgjedhjeve të saj të fundit e vlerësoi Spahiun duke e bërë anëtar të saj.
 
Vlerësime për poetin Xhevahir Spahiu
“Xhevahir Spahiu është një nga poetët më të mirë që ka Shqipëria, poet me një shprehje të fuqishme metaforike, me përplasje idesh, me një frymë lirike dhe zhvillim dramatik të vargut, me një figuracion të plotë, por kryesisht me ide të thella, tronditëse.”
Dritëro Agolli
 
“Talenti i tij poetik luksoz e identiteti krijues i pakrahasueshëm, bashkon rreth vetes tematikën me një përsosmëri të vazhdueshme të gjykimit të tij...”
Ante Popovski
Shkup, 1998
 
“Energjiku Xhevahir Spahiu nuk është poet-murg dhomash të mbyllura apo i një vetmie të humbur në mendime. Poezia e Xhevahir Spahiut, e këtij “enfant terrible” të letërsisë shqiptare është e fuqishme dhe solide, por njëkohësisht është poezi e ngjyrimeve dhe shkallëzimeve kuptimore.”
Robert Elsie (Historia e letërsisë shqiptare, Nju Jork 1995)
 
“Me kalimin e viteve, Xhevahir Spahiu është shndërruar gjithmonë e më shumë në një poet të brendshëm, nga ai lloj i veçantë krijuesi që ujërat dhe dallgët e të folurës së përditshme i kthen në dritë poezish. I ngjashëm, por jo krejt njëlloj, me atë që mbështet veshin pas tokës për të dalluar lëkundjet, ky poet mbërthen kryet pas gjoksit, në përgjim të ndjenjës njerëzore. Mes tyre ai ka veçuar gjithmonë njërën - Dashurinë, e cila te ky poet nuk është e vetme dhe njëfarëshe.

Prej formave të pafundme të dashurisë, poezia e Xhevahir Spahiut shndërrohet në joshje, që nxit dhe grish. Poeti, njëlloj si në fillesën e marrëdhënies, gjen vendin në botë. Poezia rifiton vlerën e harruar. Ajo mund të ndihmojë sërish.

Dikush kapërcen vetminë. Dikush gjen fjalën e duhur mes fjalëve të humbura. Një tjetër mban mend vargje të kthjellët, të fuqishëm, plot tingull dhe kuptim, ashtu siç i ndeshim në poezinë e Xhevahir Spahiut. Falë origjinalitetit, kjo poezi na shtyn të besojmë se ç’ishte e poetit është bërë tashmë dritë brenda atij që lexon apo mban vesh ato fjalë.”

Arian Leka, poet e shkrimtar
 
Poezia
Xhevahir Spahiu
 
Zogj, keni një armik për vdekje.
Do t’ju shkulë pendët e t’ju thyejë krahët,
do t’ju kthejë në gurë të palëvizshëm e pa zë.
Shkeli shtigjeve,

pash më pash u ra pyjeve pa anë,
po kurrë s’mbajti hapat
të dëgjonte

këngën që endnin shpirtrat tuaj paganë.
Tani, kur mbi xham i troksni me krahë
si një degë e lulëzuar bajameje në maj,
ngryset,

ngrefoset,
prej kolltukut bërtet:
- Më lini të mendohem, djaj!
Zogj, keni miq të sigurtë.

Çerdhen ku e doni? Në kraharor a tek
Arusha e Madhe?
Prej jush një mëngjes i dha ëndrrës Ikari
krahë fluturimi drejt lirive të ardhshme.
Zogj, keni një armik për vdekje.
Ju për të të pakapshëm?
Ai u turret poetëve.

Armiku juaj është armiku ynë,
e do pa krahë poezinë:
hapsirë e saj? Ja, sa një kthinë!
Një trung i zi,
një trung pa fletë, -
vetëm atëherë kemi këmbët në tokë,
vetëm atëherë mund të jemi poetë ...

Zogj të dashur,
me një sinqeritet prej fëmije me ju po flas:
Para se ai të na nxjerrë sytë,
ata sy që shohin lart dhe larg,
nxirrjani sytë
me sqepat tuaj!


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë