TIRANE- E teksa përgatitjet për vizitën e Papa Franceskut në Shqipëri më 21 shtator janë drejt përfundimit, një sërë masash të tjera të padukshme janë duke u marrë ndërkohë për sigurinë e kësaj vizite dhe sigurinë kombëtare në këtë periudhë.
 
Një burim pranë Shërbimit Informativ Shtetëror tha për “A1 Report” se prej një javë së bashku me Policinë e Shtetit, SHISH dhe drejtorin e Krimeve të Rënda dhe atë të Antiterrorit është planifikuar një strategji vëzhgimi dhe ndërhyrje e cila ka në fokus persona me aktivitet xhihadist dhe shqiptarëve të lidhur me luftën në Siri.
 
Po i njëjti burim tha për “A1 Report” se janë 35 persona të cilët janë kthyer nga luftimet aktive në Siri dhe ndodhen aktualisht në territorin shqiptar të shtrirë në qytetet, Tiranë, Shkodër, Elbasan, Cërrik, Librazhd, Pogradec, Peqin dhe Bulqizë.
 
Sipas burimeve pranë SHISH për “A1 Report”, kanë qenë shërbimet e huaja të inteligjencës ato të cilat kanë kërkuar rritjen e masave të vëzhgimit dhe numrin e agjentëve në terren për të parandaluar çdo aktivitet të mundshëm kriminal, si dhe mbledhjen e informacionit për aktivitetin e personave të kthyer nga Siria.
 
Aktualisht lista me personat është shpërndarë të gjitha drejtorive të SHISH dhe Policisë së Shtetit në Shqipëri, teksa ajo konsiderohet sekret pasi në vëzhgim janë vendosur dhe familjet e këtyre personave ku përllogaritet të jenë afro 85 familje në total.
 
Në Shqipëri tashmë ka një proces gjyqësor dhe persona të arrestuar për përfshirje dhe dërgimin e luftëtarëve në Siri, teksa Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar nga homologët kosovar dhënien e informacionit për të gjitha numrat e kontaktit që xhihadistët kosovar mbajnë lidhjet e tyre me anëtarët në territorin shqiptar.
 
Për vizitën e Papës do të ketë dhe një sërë masash sigurie, teksa pritet që të përshirë në këtë operacion për garantimin e normalitetit të vizitës të përfshihet Ministria e Brendshme, Garda e Republikës, Policia e Shtetit, Ministria e Mbrojtjes, Shërbimi Informativ Shtetëror, si dhe një sërë agjencish ligjzbatuese të partnerëve europianë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)