TIRANE-Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pasditen e sotme në orën 18:00 do të zhvillojë një takim me koordinatorët e rinj të partisë në qarqe. Qëllimi i takimit është analiza e punës së drejtuesve të rinj që vendosi nga muaji qershor.

Ndërkohë që ditën e enjte, lideri demokrat, po sipas burimeve të gazetarit të Report Tv Elis Memelli do të ketë një takim me aleatët opozitarë për të vendosur piketat e aksionit kundër qeverisë, teksa dje nisi edhe sesioni i ri parlamentar.

Takimit me aleatët të enjten në seli në orën 13:00 pritet që t'i paraprijnë edhe konsultime të tjera brenda partisë. Më herët Basha ka deklaruar në media se në shtator do të rifillojnë protestat kundër qeverisë.

Aktualisht opozita është në rrugë pasi vendosi që të braktiste institucionet qendrore dhe lokale, pas djegies së mandateve dhe bojkotit të zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit.