Është luajtur java e fundit e Kategorisë Superiore, që ka dhënë një verdikt jo të mirë për të gjithë sportdashësit shkodranë: Vllaznia bie në Kategorinë e Parë. E gjithë vëmendja e sportdashësve shqiptarë ishte te dy ndeshje: Partizani–Kamza dhe Skënderbeu–Vllaznia.

Ndeshja e luajtur në Korçë nuk kishte shumë histori. Ishin shkodranët ata që kaluan në avantazh të dyfishtë falë golave të Xhevahir Sukajt dhe Arlind Kalajës në një hark kohor brenda nëntë minutave.

Skënderbeu rihap takimin në pjesën e dytë me Gripshin, por më pas shkodranët shënojnë edhe 3 gola të tjerë, duke fituar 1-5. Një fitore që nuk ka vlejtur për asgjë, pasi Kamza ka mposhtur Partizanin 1-0. Goli i vetëm i takimit për kamzalinjtë është shënuar nga Rezi në minutën e 48’.

Vllaznia bie për herë të tretë nga kategoria, por kjo e fundit ka djegur më shumë, pasi për klubin janë harxhuar deri në 1 miliard lekë të vjetra dhe tashmë i duhet të zbresë një kategori më poshtë.

Ndërkohë, Laçi dhe Luftëtari kanë siguruar një vend në Europë pas fitoreve ndaj Teutës dhe Lushnjës. Laçi fitoi 4-2, ndërsa Luftëtari 2-1 ndaj vendit të fundit. Partizani, për momentin mbetet jashtë Europës. Vetëm nëse Skënderbeu nuk lejohet të luajë në Europë, atëherë Partizani mund të marrë pjesë në Europa League.

Kukësi-Flamurtari përfundoi në barazim 2-2, ndërsa Sindrit Guri shënon 21 gola, aq sa Ali Soue i Skënderbeut, por në bazë të rregullave, është sulmuesi nga Gambia që merr “Këpucën e Artë”.

Pas ndeshjeve, Skënderbeu ka festuar titullin e tetë kampion. Ka qenë vetë presidenti I FSHF-së, Armand Duka që ka dhënë trofeun për kapitenin Orges Shehi. Gjithë beteja e Skënderbeut tashmë mbetet me UEFA-n për pjesëmarrjen në Europë.


Goli i 5 i Vllaznisë

Goli i 4 i Vllaznisë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:12
Ranë nga elita, lojtarët e Vllaznisë shpërthejnë në lot, dalin nga fusha me kokën ulur

Ekipi i Vllaznisë ra nga Kategoria Superiore. Në ndeshjen e fundit në Korçë, ekipi shkodran fitoi 1-5, por humbja e Partizanit përballë Kamzës e bëri të pavlefshme tre pikëshin dhe goleadën.

Gjatë ndeshjes nuk ka munguar as mbështetja nga tifozët e Korçës, por fitorja e Kamzës zeroi gjithçka. Pas vërshëllimës së arbitrit lojtarët e ekipit të Vllaznisë shpërthyen në lot duke dalë nga fusha me kokën ulur.