Për 13 vite radhazi kampione, ekipi i vajzave të Vllaznisë, rrezikon të humbasë mundësinë për të fituar kupën e 14-të.

Presidenti i ekipit të futbollit, që bëri historinë duke marrë pjesë në Champions League, Lazer Matija, vendosi të dorëhiqet 15 ditë para nisjes së kampionatit të futbollit të vajzave, më 19 shtator. Kjo kohë e shkurtër që Vllazanisë i duhet të gjejë presidentin e ri, mund ta penalizojë ekipin nga pjesëmarrja në kampionat.

Por, largimi i Presidentit nga Vllaznia njëkohësisht edhe nga drejtimi i Shoqatës Rajonale të Futbollit në Shkodër, lë pas në ekip, dyshime të forta se në këtë garë të pritshme, vajzat mund të ndëshkohen pa të drejtë nga truket që sipas tij janë në Federatën Shqiptare të Futbollit.

“Futbolli i vajzave në Shkodër ka 3-4 vite që është i përsekutuar. Kemi dalë kampion me U-17 dhe asnjë nga vajzat e Vllaznisë nuk është afruar në kombëtare dhe kur afrohen i mbajnë rezervë dhe nuk i fusin në lojë. Edhe tek ekipi i parë është bërë e njëjta gjë. Kanë marrë 2-3 lojtarë që s’mund ti lënë pa marrë. I shërbyejnë shoqërisë dhe interesave të tyre. Albitrat në futbollin e vajzave kanë dëmtuar ekipin …..kanë dalë kundërshtar artificial për t’ia hequr Vllaznisë kampionatin,”-u shpreh Matija.

Matija thotë se ekipit i janë mohuar investimet për shkak të përplasjeve që ai ka pasur me Federatën, duke theksuar se qeveria e futbollit ka vite që kërkon t’ia japë dikujt tjetër kampionatin.

“Kam pas kundërshtime në lidhje me drejtimin e futbollit të femrave në momentin kur erdhi anëtare e komunitetit ekzekutiv një femër Anila Basha. Sipas mendimit tim, por edhe të tjerëve në futbollin e vajzave, ajo nuk është një portret që mund të përfaqësojë futbollin e vajzave në Shqipëri. Kam patur debat me Koço Kokëdhimen. I besuan komisionin e futbollit dhe e çoi futbollin amator, futbollin e vajzave në katrahurë. Ia besoi se ishin marrëdhëniet shumë të mira me presidentin e federatës. Sot Kokëdhima dhe kreu i FSHF-së s’flasin bashkë sepse kështu është e vërteta, por unë i kam kundërshtuar vazhdimisht këta,”-tha Matija.

Kampionati i futbollit të vajzave në Shqipëri nis më 19 shtator dhe në këto kushte Vllaznia mbetet të ajër. Edhe pse skuadra stërvitet vazhdimisht mbetet në pikëpyetje pjesmarrja në kampionat në rast se ekipi nuk gjen një president të ri. Matija e mbyll duke thënë se kjo situatë i shkon për shtat FSHF-së, pasi ka vite që kërkon t’ia japë dikujt tjetër kampionatin.