Vlorë, gjyqtarja e sulmuar, e
shkarkuar nga KLD për shkelje

VLORE - Gjyqtarja penale e Gjykatës së Shkallës së Parë të Vlorës, Mirela Mishgjoni e cila u sulmua paraditen e sotme me acid nga një person ende i paidentifikuar, rezulton të jetë shkarkuar nga detyra nga KLD për shkelje të rëndë të disiplinës. (Foto, pallati ku banon gjyqtarja Mirela Mishgjoni)

Më 15 mars të vitit 2002 Këshilli i Lartë i Drejtësisë e shkarkoi gjyqtaren Mishgjoni nën akuzën për “thyerje të rënda të disiplinës”.

Mishgjoni iu drejtua Gjykatës së Lartë ku kërkoi anulimin e vendimit të KLD-së, kërkesë e cila nuk u pranua. Gjyqtarja Mirela Misgjoni iu drejtua më pas Gjykatës Kushtetuese, e cila dy vjet më vonë, në 2004-ën hodhi poshtë vendimin e KLD-së me argumentin se vendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ishte i papajtueshëm me Kushtetutën dhe kërkoi dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

4 prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese rezultojnë se kanë votuar kundër këtij vendimi, përfshirë dhe kreun e trupit gjykues Gjergj Sauli, anëtarët Petrit Plloci, Xhevahir Zaganjori dhe Kristofor Peci, ndërsa pro kanë votuar 5 anëtarët e tjerë, Zija Vuci, Alfred Karamuço, Fehmi Abdiu, Kujtim Puto, e Sokol Sadushi.

Çështja e gjyqtares Mishgjoni mbeti pezull për disa vite, derisa në 2008 Këshilli i Lartë i Drejtësisë pas rishqyrtimit u vendos sërish shkarkimi i saj.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese (2004) u rishqyrtua në 2008 në KLD për dy ditë me radhë 7-8 shtator dhe më 24 tetor u mor vendimi që të jepet masa disiplinore “shkarkim nga detyra”, bëhet e ditur në vendimin Nr 235, datë 24.10.2008. Anëtarët e KLD-së, kanë votuar në unanimitet për shkarkimin e gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë të Vlorës, Mirela Mishgjoni. Shkarkimi i saj është bërë pasi, gjatë hetimeve Inspektorati i KLD-së, ka gjetur prova se ajo, ka abuzuar me detyrën.

Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në atë kohë, Bamir Topi e shkarkoi gjyqtaren, por vendimi u rrëzua sërish në vitin 2009. Këtë radhë Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë me argumentin se nuk mund të merrej masë administrative për një shkelje të pretenduar të kryer disa vite më parë pasi ajo kish humbur aktualitetin.

Për rrjedhojë, Mishgjoni u rikthye në detyrën e saj si gjyqtare. Ajo u ankua në Strasburg, për të drejtën e pagimit të rrogës për periudhën e qëndrimit pa punë dhe për kohëzgjatje të pajustifikuar të procesit.

Në vendimin e saj, Gjykata Evropiane gjeti shkelje të Nenit 6/1 duke e konsideruar të pajustifikuar kohëzgjatjen e procedimit të saj nga KLD-ja, por, rrëzoi pretendimin e ankueses për pagimin e pagës. Për shkeljet e konstatuara, Gjykata i akordoi ankueses 2000 Euro si dëm jo pasuror dhe 1000 euro për kostot dhe shpenzimet gjyqësore.

Një ndër çështjet e gjykuara prej gjyqtares Mirela Mishgjoni rezulton të jetë dhe ajo e shtetasit Gramoz Halilaj, i cili ishte akuzuar për vrasje por u la i lirë nga trupi gjykues që përbëhej nga Elvana Cicoli, Mirela Mishgjoni dhe Artur Malaj. Ata vendosën lirimin e Gramoz Halilajt, i cili akuzohej nga prokuroria për ekzekutimin e 53-vjeçarit, Mitat Sulçe në vitin 2008. Lirimi i tij u krye edhe pse prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm. Sipas gjykatës nuk kishte prova që ta fajësonin atë për këtë akuzë.

Rreth orës 09:00 të paradites së sotme, gjyqtarja penale në Gjykatën e Shkallës së Parë, Mirela Mishgjoni u sulmua me acid teksa dilte nga banesa e saj në lagjen “28 Nëntori”, Vlorë, ku ajo banon. Mishgjoni u sulmua pasi doli nga pallati ndërsa po i drejtohej makinës së saj për të shkuar në punë.

VENDIMI I GJYKATES SE STRASBURGUT PER DEMSHPERBLIMIN E GJYQTARES
/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Dielli pas stuhisë, mediat italiane vlerësojnë Asllanin: Nisi aksionin e golit! Inzaghi: Kristjanin e kryqëzuan, s'e meritonte

Dielli pas stuhisë, mediat italiane vlerësojnë Asllanin: Nisi aksionin e golit! Inzaghi: Kristjanin e kryqëzuan, s'e meritonte