Tre transferta në total 950 mijë euro të nisura në drejtim të kompanive të vëllezërve të Vlora Hysenit nga bizneset e lidhura me Ergys Agasin, kanë bërë që SPAK të regjistrojë procedimin për korrupsion e pastrim parash për ish shefen e SHISH. Report Tv ka mësuar gjithashtu se prokuroria po verifikon provat nëse mund t’i shtojë edhe akuzën e anëtares së grupit kriminal Hysenit. Dokumentet sekrete të SHISH por edhe targa të pa identifikueshme që Agasi mori nga policia sipas gjykatës vërtetojnë se ndërhyrjet kapilare të tij në institucionet shtetërore.
******
Vlora Hyseni, ish drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror është nën hetim për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa SPAK po vertifikon dhe nuk e përjashton mundësinë që të akuzohet si anëtare e grupit të strukturuar kriminal të Ergyus Agasit.
Detajet dalin nga vendimi i gjykatës që konfirmoi masat e sigurisë ndaj ish shefes së SHISH, dokument të cilin Report Tv e ka lexuar.
SPAK regjistroi më 30 tetor procedimin penal për korrupsion dhe pastrim parash pasi ra në gjurmët e disa pagesave të bëra nga kompanitë e lidhura me Agasin në drejtim të të afërmve të Vlora Hysenit jashtë vendit.
Ish drejtoresha e SHISH dyshohet se përfitoi të paktën 500 mijë euro nga Ergys Agasi përmes vëllezërve të saj në Gjermani
Pikënisja e hetimeve ishte një fletë formati më shënim dore, e gjetur në E.A Tobacco të Ergys Agasit, ku shënoheh shifra 119.162.400 lekë, nga ku zbritej TVSH dhe tatim fitime dhe në fund mbetej rreth 84 mln lekë të reja.
Nga hetimet e thelluara SPAK ka vërtetuar se shifra prej 119.162.400 lekë (pra rreth 1.2 mln euro), identike me atë të shënuar në letrën e gjetur në zyrën e Agasit, është transferuar drejt “Enklo Counstruction” nga dy biznese “Sinteza Co” dhe “Albascan”, që kishin fituar një tender të AKSHI-t me vlerë rreth 18 milionë euro.
Paratë “Enklo Counstruction” i merr për shërbime kompjuterike, edhe pse nuk kishte asnjë lidhje me teknologjinë e informacionit por operonte në fushën e ndërtimit. Qëllimin SPAK e zbulon më tej. Pikërisht kjo kompani i paguan Ergys Agasin Range Roverin e famshëm me targa G444A, në shumën prej 290.000 Euro. Po “Enklo Counstruction”, i dërgon një shumë prej 420 mijë eurosh kompanisë “Fortis Beton” të Orest Sotës , i njohur për lidhjet me Ergys Agasin.
Pikërisht në hulumtimin e pagesave të mikut të Agasit SPAK bie në gjurmët e familjarëve të Vlora Hysenit. “Fortis Beton” nis dy transferta jashtë vendit, nga 250.000 Euro secila në mars 2024, drejt kompanisë gjermane Ëilhelm & Co Planungsgesellschaft. Transferta është bërë me arsyetimin për projektimin arkitekturor të një qendre tregtare rreth17.000 m2 në Tiranë, që nuk është bërë kurrë.
Në këtë biznes gjerman punon një nga vëllezërit e Vlora Hysenit, dhe SPAK thotë se 500 mijë eurot janë nisur si shpërblim nga Agasi për shërbimin që ish shefja e SHISH i bënte, dhe se burimi i parave janë lekët e përfituara nga AKSHI.
Një tjetër pagesë prej 450.000 Eurosh e Fortis Beton sh.p.k është anuluar më 27 shkurt 2024. Ishte nisur drejt një tjetër biznesi gjerman Erd & TiefbauDingler GmbH. Kjo kompani ka përfaqësues një person me emrin Izet Dingler, vëllai tjetër i Vlora Hysenit.
Për këto transferta dhe marrëdhënie të shoqërisë Fortis Beton sh.p.k. me Shoqëritë gjermane është pyetur vetë Orest Sota i cili i ka justifikuar me planin arkitekturor të një pallati që ka ndërmend të ndërtojë.
I pyetur se pse ky shënim është gjetur në EA Tobacco sh.p.k., Z. Sota ka deklaruar se sugjerimin për shoqërinë gjermane si studio projektimi arkitekturore ia ka dhënë shoku i tij, Ergys Agasi.
SPAK përmes hetimeve ka vërtetuar se Izet Dingler ka pasur më herët mbiemrin Hyseni dhe se kjo është pranuar nga vetë deklarimet e ish Shefes së SHISH para SPAK por edhe nga certifikatat familjare.
Sipas SPAK Ergys Agasiu ka përdorur fonde të AKSHI për korrupsion kundrejt Vlora Hysenit dhe se anulimi i transfertës së tretë prej 450.000 Euro nuk e përjashton dyshimin se ajo shpërblehet nga Agasi për dhënien e informacioneve sekrete të SHISH.
Prokuroria shton se këto fakte janë në verifikime të mëtejshme. Janë nisur letra porosi për autoritet në Kosovë dhe në Gjermani, për të gjetur më shumë detaje në lidhje me vëllezërit e Vlora Hyseni dhe lëvizjet e parave nga kompanitë ku njëri është i punësuar dhe tjetri pronar.
Në dokumentin që Report Tv ka lexuar në lidhje me hetimet për ish shefen e SHISH Vlora Hysenin dhe Ergys Agasin dalin detaje të tjera shumë të forta.
SPAK dyshon se Agasi ishte pajisur nga zyrtarë të Policisë së Elbasanit me targa të pa identifikueshme, të cilat zakonisht përdoren vetëm për disa institucione specifike shtetërore. Pra, Agasi lëvizte me makinë që kishte targa institucioni dhe asnjë efektiv nuk mund ta identifikonte.
Në vendimin e gjykatës përmenden edhe nëntë fletët e diagrameve, që SPAK thotë se janë të prodhuara nga SHISH, të gjetura në makinën e Ergys Agasit. GJKKO thotë se ato përmbajnë informacion të klasifikuar, të përpunuar dhe të gjurmuar në mënyrë operative nga agjentët e SHISH. Të gjitha këto thotë gjykata vërtetojnë përmasën e madhe të ndërhyrjeve kapilare të Ergys Agasit dhe krimit të organizuar në institucionet shtetërore.
Ndaj ish Shefes së Shërbimit informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, janë lënë në fuqi edhe në Apelin e GJKKO masat e sigurisë së "arrestit në shtëpi" dhe ndalimi i daljes jashtë vendit për akuzat e nxjerrjes së sekretit shtetëror dhe përkrahja e autorit të krimit, Hyseni akuzohet se ka ndihmuar Ergys Agasin në arrati, ndërkohë që kishte një marrëdhënie shumë të ngushtë me të.
Agasi akuzohet për të paktën 7 vepra penale për dosjen AKSHI, mes të cilave grup i strukturuar kriminal, “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Më vonë atij iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit’.
Atij i janë sekuestruar në total 29 prona, mes të cilave apartamente, vila dhe sipërfaqe toke, në zona të njohura në Tiranë dhe Durrës, disa llogari bankare dhe kompania EA Solution. Në mesin e aseteve të sekuestruara është edhe një pjesë e "Equos Resort".

Nëntë fletët e diagrameve, që SPAK thotë se janë të prodhuara nga SHISH, të gjetura në makinën e Ergys Agasit sipas GJKKO kanë informacion të klasifikuar, të përpunuar dhe të gjurmuar në mënyrë operative nga agjentët e SHISH.
Edhe pse mbrojtja pretendon që nuk ka asnjë provë që ta vërtetojë këtë në mënyrë ezuruese, në vendimin e GJKKO që Report Tv ka lexuar thuhet se nga dokumentet duket qartë se ato kanë informacione të marra qoftë nga burime të brendshme në Shqipëri por edhe jashtë saj, printime këto që përmbajnë analiza gjurmuese të kualifikuara për sa informacion tregojnë.
“Këto mënyra gjurmimi të dhënash, analizimi dhe përpunimi informacioni dhe demonstrimi material i gjithë kësaj pune operative të të dhënave është vepër e shërbimeve sekrete. Sigurisht që hetimi paraprak i mëtejshëm do të duhet ta sqarojë këtë fakt me rëndësi të drejtpërdrejtë relevante me procedimin penal”, thuhet në dokument.

Prokuroria e Posaçme po vijon hetimet për Vlora Hysenin, të cilat sipas SPAK mund të konkludojnë se ish shefja e SHISH të akuzohet edhe si anëtare e grupit të strukturuar kriminal të Ergys Agasit.
Pra, përveç akuzave për nxjerrje të sekretit shtetëror, korrupsionit apo pastrimit të parave mund t’i ngrihet edhe vepra penale e anëtares së grupit të strukturuar kriminal.

Në dokumentin që Report Tv ka lexuar në lidhje me hetimet për ish shefen e SHISH Vlora Hysenin dhe Ergys Agasin del një detaj shumë i fortë.
SPAK dyshon se Agasi ishte pajisur nga zyrtarë të Policisë së Elbasanit me targa të paidentifikueshme, të cilat zakonisht përdoren vetëm për disa institucione specifike shtetërore.
Kujtojmë se Agasi u arrestua në makinën që e drejtonte Uljan Shpataraku, ish-zyrtar i Policisë së Shtetit dhe ish-zv/drejtor i Policisë së Elbasanit. Shpataraku është i njohur si i besuari i ish Drejtorit të Përgjithshëm Ilir Proda, i cili edhe vetë është pyetur nga Prokuroria e Posaçme.
Në vendimin e Gjykatës që Report Tv ka lexuar theksohet konkretisht se ndaj Agasit janë përfshirë si ndihmës dhe bashkëpunëtorë të tij në arrati disa persona, që kanë lidhje me organet shtetërore apo jo, duke përmendur edhe Shpatarakun.
Për Gjykatën shtimi në këtë vorbull institucionesh në shërbim të Agasit e Drejtores së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, ka ridimensionuiar përmasat e ndërhyrjeve kapilare të krimit të organizuar në institucionet shtetërore, të dyshuar arsyeshëm se drejtohet nga Ergys Agasi, duke treguar se burimet njerëzore, institucionale, hapësira dhe koha e zhvillimit të aktivitetit kriminal janë akoma më të mëdha dhe akoma më serioze.
Gjykata e thekson edhe faktin për dyshimin e një lidhjeje intime të titullares së SHISH me Ergys Agasin në kohën kur ky ishte në arrati, dhe se i vuri në dispozicion pikërisht një institucion që ka si mision luftën kundër krimit të organizuar.
-
Përse nuk e çoni në qeli këtë baxhellë të ndyrë...
Përgjigju







Komente
Komento