VLORË- Një 37- vjeçar, është arrestuar nga Policia e Vlorës, pasi gjatë kontrolleve në banesë iu gjetën doza kokaine, armë gjahu dhe fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Sipas policisë kontrollet e ushtruara në banesën e tij, u bënë pasi Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, mori informacioneve nga inteligjenca policore se një person posedonte lëndë narkotike dhe municion luftarak.
37-vjeçari me inicialet G. K., 37 vjeç, banues në fshatin Borsh është me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.
‘Gjatë kontrollit, u gjetën doza lënde të dyshuar narkotike kokainë, fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe një armë gjahu pa leje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë G. K., 37 vjeç, banues në fshatin Borsh’, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.