VLORË - Policia e Vlorës ka proceduar penalisht gjatë 24 orëve të fundit 5 persona, të cilët dyshohet të kenë konsumuar elementë të veprës penale "Ndërtim i paligjshëm".
Burime zyrtare të drejtorisë së Policisë së Qarkut bënë të ditur për ATSH-në se, "në zbatim të prioriteteve të Qeverisë, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që cënojnë regjimin juridik të tokës dhe mjedisit, janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas për veprën penale "Ndërtim i paligjshëm".
Sipas policisë u proceduan penalisht në gjendje të lirë, Kudret Xhezo, 61 vjeç, Muhamet Canaj, 55 vjeç, Manush Xhaferraj, 45 vjeç, nga Vlora, Spiro Zaho, 56 vjeç nga Himara dhe Jani Bekollo, nga fshati Krane, Sarandë, të cilët u konstatuan se po realizonin ndërtime të objekteve të ndryshme, pa u pajisur me lejen e organeve përkatëse.
Nga Seksionet e Hetimit të Krimit u kryen procedurat e sekuestrimit të objekteve të ndërtuara pa leje, ndërkohë që materialet procedurale ju referuan Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme./ATSH/