TIRANE - Lideri demokrat Lulzim Basha përshëndeti vendimin e kryetares në detyrë të Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi për biznesin dhe qytetarët në nevojë në këtë situatë të vështirë që po kalon vendi i prekur nga COVID-19. Basha thotë se nëse do të kishte qenë në qeveri do të kishte marrë pa hezitim vendimet e propozuara që sipas tij janë në shërbim të qytetarëve.

Voltana Ademi propozon që qeveria të përjashtojë për 3 muaj nga taksat vendore qytetarët e bizneset, dhe të përjashtohen nga kamatëvonesat e detyrimeve vendore dhe gjobave për të gjitha kategoritë e taksa paguesve.

"Çdo ditë që kalon biznesi dhe qytetarët përjetojnë vështirësi të dyfishta. Gjendjes së jashtëzakonshme diktuar nga Covid 19 i shtohet dhe pamundësia e bizneseve për të mbijetuar  dhe e një shumice qytetarësh për të siguruar ushqim në pamundësi për të punuar. Për këtë arsye përshëndes vendimin e Kryetares së Bashkisë së Shkodër Voltana Ademi për t'u gjendur në krah të qytetarëve dhe bizneseve. Ky është standardi i Partisë Demokratike. Çdo propozim i yni është i zbatueshëm dhe çdo vendim të propozuar do ta kisha marrë pa hezitim në qeverisje, për t’u shërbyer njerëzve dhe vendit. Uroj dhe bëj thirrje që pa humbur kohë të bëhet shqyrtimi dhe miratimi i  propozimit të Kryebashkiakes Ademi për përjashtimin nga detyrimet vendore për individët, familjet,  personat fizikë dhe juridikë, dhe që çdo bashki tjetër të adoptojë të njëjtat masa në mbrojtje të interesave të qytetarëve.

A:  Të përjashtohen nga taksa e pronës dhe tarifat vendore (pastrim, gjelbërim, ndriçim publik) për një periudhë 3-mujore viti 2020,  për të gjitha kategoritë e taksapaguesve.

B: Të përjashtohen nga kamatvonesat e detyrimeve  vendore dhe gjobave për të gjitha kategoritë e taksapaguesve", shkruan Basha.