Gati dy vite nga vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, drejtësia vulos vendimin për autorin. Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin me 16 vite burg, për autorin i cili në kohën e krimit, 18 nëntorin e vitit 2024, ishte 14 vjeç.
I njëjti vendim ishte dhënë në dhjetor të 2025-ës, nga Gjykata e Tiranës, por ishin familjarët e Martin Canit që e apeluan, duke kërkuar një dënim më të rëndë për autorin, 18 vite burg.
“Ne i qëndrojmë dhe mendojmë që jemi para një vendimi që ka sjellë një lloj drejtësie për familjarët pasi ngjarja ka qenë e rëndë, ka humbur jetën një i mitur. Jemi të kënaqur me vendimin e gjykatës. Pretendimet ishin të shkurtra, kryesisht lidhësin me marzhin e dënimit. Kalimi i dënimit kufi është pozitiv për gjykatën dhe fakti që Apeli e ka miratuar”, tha avokati i familjes Cani, Redi Ramaj.
“Kjo që na ka ndodhur ne mos i ndodhtë kujt, dhimbja jonë është shumë e madhe dhe e paimagjinueshme. Ligjet janë ligje, ne pretendonim më shumë. Ka dy rrethana cilësuese. Dhimbja jonë nuk hiqet asnjëherë”, tha Engjëll Cani.
Edhe mbrojtja e të miturit të dënuar për vrasje, kishte ankimuar vendimin e shkallës së parë duke kërkuar pafajësi.
Vrasja që tronditi mbarë opinionin publik, ndodhi pas një konflikti që kishte shpërthyer në rrjetet sociale mes të miturve, krim që çoi qeverinë në vendimin për të mbyllur 1 vit TikTok-un
Më 18 nëntor të dy viteve më parë, sapo dy bashkëmoshatarët, nxënës të së njëjtës shkollë, përfunduan mësimin te “Fan Noli”, shkuan për sqarim në një rrugicë pranë shkollës. Aty, autori qëlloi disa herë me thikë Martin Canin, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse, dhe la të plagosur një nga shokët e 14-vjeçarit, i cili i kishte shkuar në ndihmë.
Pas vrasjes i mituri u arratis duke hedhur në tarracën e një godinë pranë shkollës, thikën me të cilën kreu krimin, dhe u arrestua disa orë më vonë në një spital privat, pasi edhe vetë mbeti i lënduar.
Shenjat se të dy kishin konflikte me njëri-tjetrin, bashkëmoshatarët i kishin dhënë edhe në ambientet e shkollës, ku kishin pasur disa përplasje, të cilat nuk u vlerësuan nga ekipet e sigurisë e stafi pedagogjik.
Komente









