Deputetet Jorida Tabaku dhe Erisa Xhixho kanë reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Tiranë, ku një person ka vrarë 3 gra dhe ka plagosur 3 të tjerë. Deputetja e PD, Jorida Tabaku tha se i dënuari duhet të ishte ende pas hekurave ndërsa kërkon që të niset menjëherë hetim për gjykatësin që ka vendosur ta lirojë nga burgu.
“Tragjik bilanci i ditës së parë të Marsit, muajit të grave! Tre jetë të humbura dhe dy zonja të tjera të plagosura nga një person i dënuar me burg por që gjezdis me armë në dorë duke kryer një masakër. E kotë, që tani të ngrihemi me irritim ndërsa i dënuari duhet të ishte akoma duke kyer dënimin, përkundrazi mundi të shkojë në vende të ndryshme për të marrë tre jetë njerëzish.
Vazhdojmë të përsërisim veten duke reaguar vonë në kohë. Vazhdojmë të argumentojmë shkaqet pa i dhënë zgjidhje problemeve që e çojnë situatën këtu. Mbetemi pengje të statistikave me arritje, të ligjeve që miratojmë ne edhe nuk gjejnë zbatim. Sado masa të merren janë te kota kur dhuna e përsëritur amnistohet nga një gjykatës! Kur policia nuk ka anjë sistem ndjekje për persona që kanë në CV e tyre dhunën ndaj grave.
Nuk ka asnjë justifikim, arsye, argument per një jetë te marrë! Nuk ka asnjë arsye, justifikim, argument se pse një dhunues i përsëritur duhet të lihet i lirë! Apo nuk vëzhgohet me kujdes nga forcat e policisë!
Këto modele dhune, kjo mënyrë e të fortit që kërcënon këdo e merr jetë dhe në pragun e derës e në shtepinë e tij sot po kthehet në normë e duhet të merren masa sa nuk ështe vonë! Le ta nisim nga ILD që duhet menjëherë të nisë një hetim për gjykatësin që ka amnistuar një vrasës te përsëritur! Le të vazhdojmë me institucionet e tjera shtetërore se çfrë duhet të ishin duke bërë për të mbikqyrur persona me background të tillë. Koha të veprojmë!” – shkroi Tabaku.
Ndërsa deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho thotë se të gjithë organet ligjzbatuese duhet të mbajnë përgjegjësi.
“Ngjarja tragjike e radhës, e paralajmëruar! Tri gra u vranë sot nga e njëjta dorë që plagosi edhe tri të tjera. Autori është një vrasës dhe dhunues sistematik grash, që siç ndodh shpesh, ia ka hedhur gjithmonë drejtësisë.
I dënuar fillimisht për përdhunim, e më pas edhe për vrasje, ai është rikthyer në liri shumë më shpejt seç duhej. Spiralja e dhunës në të cilën është futur sërish e ka çuar në burg për së dyti dhe prapë është kthyer i lirë për të kryer masakrën që shënjoi fillimin e muajit të gruas.
Këto gra nuk janë vetëm viktima të tij, por edhe të një sistemi drejtësie që vrasësin gjakftohtë e lë t’ia hedhë me pak vite. Sot, të gjitha organet ligjzbatuese që kishin detyrimin ta mbikëqyrnin në vazhdimësi duhet të mbajnë përgjegjësi. Këto gra janë viktima të një shoqërie që e toleron dhunën, që shpesh rri indiferente se fundja “nuk është në shtëpinë time”.
Nuk gjej fjalë t'i ngushëlloj familjet për humbjen e vajzave e motrave të tyre në këtë ngjarje makabër. Marsi nuk mund të niste më hidhur se kaq!” – shkroi Xhixho.
Lajmi kryesor: