TIRANE-Arrestohet Ilir Xhepaj 33 vjeç, njëri nga bashkëpunëtorët e Eduart Lamajt që ishte në kërkim për vrasjen e dyfishtë në Laç. Xhepaj u prangos mbrëmjen e djeshme në orët e vona në Kodër Kamëz nga policia dhe në momentet e arrestimit nuk ka bërë rezistencë ndërsa pas kontrollit është konstatuar se nuk ka pasur as armë me vete. Burime për Report TV bëjnë të ditur se Xhepaj u zbulua pas bisedës telefonike që bëri me gruan e tij.

Ai u prangos në makinën e tij teksa po tentonte të largohej jashtë Tiranës për t'u fshehur në një tjetër qytet. Ilir Xhepaj dyshohet se organizoi atentatin duke përdorur si vrasës me pagesë Eduart Lamajn. Deri tani të arrestuar janë Eduart Lamaj, Kreshnik Tusha dhe Ilir Xhepaj në operacionin e koduar "Ndjekja”. Ndërkohë në kërkim për vrasjet e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit vijojnë që të jenë Elson Aliaj dhe Klaudio Perkola.

Për arrestimin e tij policia ka zhvilluar kontrolle në Lezhë, Laç, Tiranë dhe Kamëz.

Roli i Ilir Xhepajt në atentat dhe e shkuara kriminale
Ilir Xhepaj (Lika) dyshohet se ka qenë pjesë e skuadrës, prej 4 personash të veshur si policë, që ekzekutuan me 20 plumba, Bujar Hasanin (Lika) dhe Paulin Gjergjin (Markaj). Nuk dihet ende nëse Ilir Xhepaj dhe viktima Bujar Hasani, kanë pasur një lidhje miqësie me njëri-tjetrin, kjo pasi të dy personat, para se të ndryshonin mbiemrin, mbanin të njëjtin (Lika).

Sipas burimeve të policisë së Tiranës Ilir Xhepaj ka qenë njeriu që ka mbajtur të neutralizuar me armë dy djemtë e Paulin Gjergjit, 27 vjeçarin Nikolin dhe 21-vjeçarin Anton, në mënyrë që ata të mos lëviznin nga makina e tyre “Range-Rover”. Ndërkohë sipas policisë, është sërish Ilir Xhepaj ai që së bashku me një shok tjetër Elson (Oltion), Alija (Vlashi), kanë hyrë brenda në lokalin “A&A” duke ndihmuar të plagosurin Eduard Lamaj, pasi ky i fundit, gjatë shkëmbimit të zjarrit me Bujar Hasanin, mbeti i dëmtuar me një plumb, në gjurin e këmbës së majtë.

Për policinë dhe prokurorinë e Laçit Ilir Xhepaj konsiderohet si person i rrezikshëm në Mamuras dhe Kurbin. Ai është nga fshati Gjorm, i Mamurasit dhe autorët, por edhe Bujar Hasani njiheshin me njëri-tjetrin, pasi rezultojnë nga e njëjta zonë. Xhepaj kishte vetëm tre muaj që ishte liruar nga burgu dhe bënte një jetë mes Tiranës, Laçit dhe Lezhës. I dënuar më herët për grabitje me armë në vitin 2012 në Kurbin, e po ashtu për një plagosje në Fushë-Krujë, Xhepaj, konsiderohet si një emër i rrezikshëm në këtë zonë.

Gjatë kohës së qëndrimit në liri Xhepaj, rezulton se në 15 maj 2020, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të 33-vjeçarit Zef Marku, por pa mundur ta ekzekutojë atë. Pas disa ditësh hetime, prokuroria e Laçit ka vendosur të shpallë në kërkim Ilir Xhepajt për akuzën e “Vrasjes me paramendim”, mbetur në tentativë ndaj Zef Markut. Por edhe pse ishte në kërkim Xhepaj ka lëvizur lirshëm në zonën e Kurbinit, duke u implikuar në një ngjarje akoma dhe më të rëndë, atë të vrasjes së biznesmenit të kazinove, Paulin Gjergjit dhe Bujar Hasanit. Pas arrestimit të tij në kërkim janë dhe Elson (Oltion), Alija (Vlashi) si dhe Klaudio Perkola, djali i një efektivi policie në Laç, Gjovalin Perkola.

Eduart Lamaj tregon si e thuri planin për vrasjet
Në dëshminë  tij, Eduart Lamaj është shprehur se u ka kërkuar ndihmë tre shokëve të tij për realizimin e planit por objektiv sipas tij kishte Ilirjan Allamanin i cili në ato momente nuk ka qenë aty, pasi me të kishte konflikte të hershme që në Itali për drogë, ky ku i fundit nuk i jepte borxhin. “Isha në shtëpi, mora në telefon Klaudion dhe Oltin për t’u takuar e për të pirë ndonjë cigare. Në vendin ku u takuam erdhi edhe një shok tjetër që ka shtëpinë afër, Iliri. Pasi u propozova planin shokëve, ata pranuan".

Lamaj rrëfen edhe mënyrën si u kamufluan. "Në momentin që u nisëm u përgatitëm, unë vesha mushamanë e zezë që lexon policia, një palë tuta të kuqe, një bluzë të zezë me mëngë të gjata. Ilir Lika veshi një kapuç të zi që ia dhashë unë, një jelek me ngjyrë të gjelbër, të cilin e kishte veshur më parë si dhe një palë pantallona ushtarake. Oltioni veshi një kapele sportive dhe kishte veshur një palë xhinse blu. Klaudio kishte veshur një palë tuta sportive me ngjyrë të errët dhe një bluzë kamuflazhi” tregon ai.

Por cfarë ndodhi pasi u plagos dhe si u fsheh derisa në fund për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore shkoi në spital në Tiranë me një makinë me qira, ku edhe u zbulua dhe arrestua, ndërkohë që u tha familjarëve që t’i digjnin rrobat. “Me vëllanë u nisëm drejt spitalit më datë 22 qershor, aty pa hyrë ende makina, u takuam me një person me kaçurrela, që ishte mjek dhe që më pa plagën. E lamë pasdite që të shkonim në një spital privat dhe të kryenim ndërhyrjen” ka dëshmuar Lamaj para grupit hetimor.

Eduart Lamaj shkoi për t'u mjekuar te spitali privat ilegalisht, 'Amavita' në Qytet Studenti. Dy mjekët që e operuan Viktor Marku dhe Besim Lama u arrestuan dhe ndodhen në burg për moskallëzim krimi dhe pengim të zbardhjes së vërtetës. Dje pranë spitalit privat u gjetën dy armë të fshehura, që dyshohet se janë të 'ushtarëve' të Lamajt, që e ruanin në spital, por kur panë policinë i fshehën dhe u larguan nga dera e pasme.

VIDEO nga atentati në Laç

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:59
Biseda në telefon me gruan i kushtoi prangat Ilir Xhepajt, Report TV siguron videon nga momenti i arrestimit (VIDEO)

Biseda telefonike me gruan e tij i ka kushtuar prangat Ilir Xhepajt, njëri nga bashkëpunëtorët e Eduart Lamajt që ishte në kërkim për vrasjen e dyfishtë në Laç. Report TV ka siguruar edhe videon e arrestimit të 33-vjeçarit Xhepaj, ndërsa burimet bëjnë të ditur se ai është zbuluar në momentin kur ka folur me bashkëshorten e tij. Pasi u lokalizua në zonën e "Astirit", Xhapaj u arrestua në zonën e Kamzës.

Ora 11:47
Sot me pranga në spital, ekzekutori i biznesmenëve në Laç një dekadë mes krimeve dhe arratisë

1592997808_lamaj.jpg

Eduart Lamaj

Eduart Lamaj, njohur edhe si Leando Lamaj veç atentatit me dy viktima në Laç më 30 qershor, ka një të kaluar të pasur kriminale duke sfiduar policinë e shtetit. Ku ai ishte 20 vjeç nën operacionin “Nata me Hënë” më 9 shkurt 2010 do të arrestohej me një arsenal armësh të denjë për repart ushtarak, eksploziv, armë të rënda dhe me qindra fishekë. Por pasi ja hodhi me pak muaj në qeli me një vendim të drejtësisë, ai u arratis në Francë nga ku katër vite më pas në 2014 do të deportohej. Ai duhej të përfundonte në qeli, por tokën shqiptare do ta shkelte me një plan arratisje ku tre persona hutuan me biseda e debat policët e Rinasit dhe Leandro Lamaj u arratis për t'u kapur vetëm pas 6 vitesh, por këtë herë si i dyshuar për dy vrasje, thotë gazetari i Report Tv, Arsen Rusta.

Ora 10:03
Gjetja e 2 pistoletave, ushtarët 'tradhtuan' Lamajn në spital, dolën nga dritarja dhe hodhën armët

Dy pistoletat e sekuestruara

Eduart Lamaj atentatori i dyshuar i masakrës së Laçit ku u vranë Paulin Gjergji dhe Bujar Lika tre ditët në spital i kaloi duke u ruajtur nga dy 'ushtarë' të tij të cilët po ashtu janë identifikuar dhe shpallur në kërkim. Burime nga prokuroria sqaruan për ReportTv se teksa spitali ishte nën monitorimin e agjentëve civilë ata i kanë identifikuar dhe kanë hedhur dy pistoletat duke u larguar me vrap. Ky veprim i tyre të cilët dalin nga dritarja e spitalit është kapur nga kamerat dhe dy personat me origjinë nga Mamurrasi tashmë janë shpallur në kërkim. Lamaj ndodhet në spitalin e Traumës në kurim nga mjekët. Në kërkim prej natës së atentatit më 30 maj janë edhe Elson (Oltion), Alija (Vlashi) si dhe Klaudio Perkola, djali i një efektivi policie në Laç, Gjovalin Perkola. Negociatat për dorëzimin e djalit të policit kanë dështuar ndërsa efektivi është pezulluar deri në përfundim të hetiemve për vrasjen e dyfishtë.

Ora 09:51
U kap mbrëmë, dëshmia e killerit që realizoi 2 atentate sa doli nga burgu dhe detajet nga arrestimi

1593329356_xhepajlamaj.jpg

Ilir Xhepaj dhe Eduart Lamaj

Pas arrestimit Ilir Xhepaj ka pranuar njohjen me të arrestuarit por jo përfshirjen në organizimin apo pjesëmarrjen në vrasjen në Laç. Ai është dërguar në qelitë e policisë së Laçit ku ditën e hënë do të dalë para gjykatës. Xhepaj mbrëmjen e djeshme është arrestuar në makinën e tij teksa po tentonte të largohej jashtë Tiranë për t'u fshehur në një tjetër qytet. Ilir Xhepaj (lika) dyshohet se organizoi atentatin duke përdorur si vrasës me pagesë Eduart Lamajn. Fillimisht u arrestua edhe 21 vjecari Kreshnik Tusha i cili u paraqit me plagë zjarri në këmbë, por hetuesit dyshuan se ai u përdor si karrem për të humbur gjurmët nga vrasësit e vërtetë dhe deri më tani nuk rezulton të ketë marrë pjesë në krim.

Ora 09:33
Me pranga dhe i qetë! Del fotoja e arrestimit të shokut të ekzekutuesit të biznesmenëve në Laç

Ilir Xhepaj i prangosur në furgonin e policisë

Gazetari i Report Tv Arsen Rusta ka siguruar ekskluzivisht foton me pranga të Ilir Xhepajt 33-vjeçarit i cili pasi qëndroi në arrati për një muaj është kapur nga policia mbrëmjen e djeshme në Kodër Kamëz. Me veshje firamto dhe i qetë ai është shoqëruar në policinë e Laçit, ku do të dalë para gjykatës si pjesë e grupit kriminal të vrasjeve me pagesë. Ilir Xhepaj një personazh i njohur për drejtësinë, ka qenë njeriu që ka mbajtur të neutralizuar me armë dy djemtë e Paulin Gjergjit, që të mos lëviznin nga makina e tyre “Range-Rover”. Xhepaj po ashtu së bashku me një shok tjetër Elson (Oltion), Alija (Vlashi), kanë hyrë brenda në lokalin “A&A” duke ndihmuar të plagosurin Eduard Lamaj, pasi ky i fundit, gjatë shkëmbimit të zjarrit me Bujar Hasanin, mbeti i dëmtuar me një plumb, në gjurin e këmbës së majtë.