Çobani që e kishte punësuar 15 ditë më parë, e nxori “zbuluar” Violand Braçellarin, i cili guxoi pa frikë të qëllojë në drejtim të efektivëve të policisë. Më 3 qershor, çobani i është drejtuar Policisë së Korçës, me denoncim, duke pretenduar se përveçse nuk e kishte paguar, e kishte kërcënuar se do ta vriste. Kjo telefonatë, bindi policinë që të organizojë një operacion për lokalizimin dhe arrestimin e tij, i cili nuk shkoi sipas planit, duke sjellë si pasojë vrasjen e policit Enea Mekolli, 34 vjeç, dhe plagosjen rëndë të kolegut të tij, Edison Adri, 36 vjeç, i cili vijon të jetë i shtruar në reanimacion, me parametra jetësorë stabël.

Pas ngjarjes së rëndë, në kontrollet në stanin e mirëorganizuar, blutë gjetën 3 armë, kallashnikovin që hapi zjarr drejt policisë, 1 pushkë model 56, 1 çifte, 1 radio komunikimi të ngjashme me ato që përdoren nga policia nëpër operacione, dylbi dhe dronë. Të gjitha po i nënshtrohen ekspertizës për të përcaktuar përdorimin e tyre. Në stan nuk është gjetur municion, çka tregon se të gjithë fishekët i ka derdhur drejt forcave të policisë.

Një ditë më parë Report Tv transmetoi pamjet me dron nga stani ku prej 10 vitesh Braçellari qëndronte i fshehur. Më shumë sesa një stan, zona duket e mirëorganizuar, me kamera sigurie dhe me disa stalla për rritjen e bagëtive. Report Tv siguroi dy dokumente në të cilat rezulton se e ëma e tij, Berdane, babai Luan dhe djali tjetër Daniel, kanë përfituar fonde nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), për shtimin e krerëve të lopëve, në vlerë gati 1 milion lekë. Mbetet e paqartë se si familjarë të një personi të dënuar dhe në kërkim, kanë mundur të përfitojnë fonde nga shteti.

Nga hetimet e Prokurorisë dhe të AMP-së mbi zbatimin e procedurave dhe protokollit nga ana e Policisë së Korçës, dy institucionet thonë se nuk janë konstatuar shkelje. Sa i përket mungesës së një kërkese për angazhimin e forcave RENEA apo të Forcës Operacionale, burimet bëjnë me dije se policia ka vlerësuar në mënyrë korrekte rrezikshmërinë e Violand Braçellarit, i cili ishte i dënuar për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike dhe jo për vepra të rënda penale kundër jetës. Sipas autoriteteve kërkesa për ndërhyrjen e forcave RENEA vlerësohet rast pas rasti dhe nuk përbën një detyrim që zbatohet në çdo operacion policor. Megjithatë ekzistojnë ende dyshime se policët në operacion  nuk kanë pasur të veshur antiplumb, edhe pse vetë kryepolici Hita tha ditën e ngjarjes së efektivët ishin të pajisur me antiplumb por u shpua nga kallashnikovi i autorit.

Për arrestimin e Braçellarit, efektivët e angazhuar në operacion, u nisën pa gdhirë dhe përshkruan një rrugë të gjatë në këmbë për shkak të terrenit të thyer që të çonte te stani. Ata e rrethuan zonën dhe i bënë thirrje 43-vjeçarit për tu dorëzuar, por ky i fundit refuzoi dhe hapi zjarr. Edhe Braçellari u plagos në bark. 22 vite më parë, Violand Braçellari i ishte bashkuar Forcave të Armatosura, por u largua pas 3 ditësh, ngjarje për të cilën është ndjekur dhe penalisht. Më vonë ka shërbyer dhe si ushtarak me pagesë. I dënuar me vendim të formës së prerë me 10 vite burgim për prodhim e shitje droge, që në 2017-ën, dhe vulosur nga Gjykata e Lartë në 2024-ën. Më herët, i shpëtoi katër herë arrestimit nga RENEA.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:23
Autor i vrasjes së efektivit të policisë, vëllai dhe e ëma e Violand Braçellarit morën 1 mln lekë financim nga AZHBR për krerë lopësh

1780556507_violandbraellari.jpg

Violand Braçellari prej 10 vitesh në arrati, kishte arritur të ndërtonte një stan të mirfilltë në një një kodër të Lozhanit. Ai kishte ndërtuar stalla ku merrej me rritjen e bagëtive.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se vëllai i Braçellarit, Danieli dhe e ëma, Berdane, kanë përfituar fonde prej vitesh nga AZHBR për shtimin e numrit të lopëve në stan. Konkretisht Berdane Braçellari ka marrë 500.000 lekë të reja ndërsa i biri 497.500 lekë të reja.

Violand Braçellari, autor i vrasjes së efektivit të policisë Enea Mekolli, është dënuar me 10 vite në mungesë për trafik e prodhim të lëndëve narkotike, ndërsa cilësohet si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai prej vitesh jetonte në stan ku dhe kishte punësuar një çoban. Ky i fundit ishte shkaku për indicien që policia mori për vendndodhjen e të shumëkërkuarit.

Ora 09:31
Operacioni në Maliq/ Efektivi Edison Adri ende në reanimacion, por në gjendje stabël! Autori Violand Braçellari jashtë rrezikut për jetën

1780558190_iplagosurinekorce.jpg

Edison Adri

Gjendja shëndetësore e efektivit Edison Adri dhe e autorit Violand Braçellari mbetet e pandryshueshme.

Polici i plagosur vijon të jetë i shtruar në reanimacion, në gjendje të rëndë, por me parametra jetësorë stabël.

Ndërsa Braçellari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.