Merviol Bilo, komandoja 41-vjeçar që dyshohet se vrau Fabian Gaxhan, krahun e djathtë të Ervis Martinajt në ish-bllok me një plumb në kokë mbrëmjen e të enjtes në ish-bllok, cilësohet si një qitës i shkëlqyer i Forcave të Armatosura. Këtë e tregon edhe një video në emisionin "Zoom In" ku ai tregon aftësitë e tij në qitje gjatë një stërvitje në bazën ushtarake të Zall-Herrit. Si një nga ushtarakët më me përvojë dhe me aftësi të jashtëzakonshme luftarake, Bilo është dekoruar dhe vlerësuar maksimalisht nga shteti shqiptar për angazhimin e tij në forcat komando. Në videon që shihni më lart, duket aftësia e komandos në qitje. Krahas saktësisë në objektiv, Merviol Bilo, bie në sy edhe për veprimet me shpejtësi dhe saktësi, aftësi këto të cilat i ka shfaqur edhe natën e konfliktit, ku vrau një person dhe plagosi dy të tjerë.

Merviol Bilo dhe viktima Fabian Gaxha

Krahas detyrës si komando, Bilo punonte edhe si truprojë privat i këngëtares Elvana Gjata. Meriol Bilo gjatë sherrit të enjten në lokal "Monopol" në zonën e ish-bllokut mes Ervin Matës, i fejuari i Elvana Gjatës dhe Fabian Gaxhës, qëlloi këtë të fundit me një plumb në kokë, ndërsa plagosi Ervis Martinajn dhe Eljo Haton. Meriol Bilo ndodhej në një tavolinë me Ervin Matën dhe Fabjol Alushin. Të tre, menjëherë pas ngjarjes, janë larguar me shpejtësi dhe vijojnë të jenë në kërkim. Mbrëmjen e djeshme u arrestua në Kakavijë, Geldo Hoti, 37-vjeç i cili dyshohet se ka qenë me tre të tjerët natën e ngjarjes si dhe mendohet se ka qëlluar me armë.  

Merviol Bilo, komando i Forcave të Armatosura gjatë një stërvitje

Merviol Billo ka kryer me sukses edhe një mision sekret në vitin 1998 në zonën mes Malit të Zi dhe Kosovës për të marrë të kartën regjistruese të një avioni vëzhgues i rrëzuar në këtë zonë malore. Koha kur komandoja ka kryer misionin me efikasitet të plotë, përkon me periudhën e luftës në Kosovë. I stërvitur nga forcat speciale amerikane “Green Berrets”, ai ka kryer misione ushtarake edhe në Irak, Afganistan dhe Çad. 

Merviol Bilo, komando i Forcave të Armatosura

Siç bëjnë shumë pjesëtarë të forcave të rendit, ndër ta edhe nga trupat komand, kur janë jashtë shërbimit, punojnë si bodigard, pasi ligji aktual nuk e pengon një gjë të tillë. Vlen të theksohet se nga radhët e trupave komando janë konstatuar disa raste kur janë implikuar në vepra të rënda penale, si grabitja e blindave të bankave në Qafë Kashar apo edhe në disa ngjarje kriminale në Elbasan, ku falë përgatitjes së tyre ushtarake arrijnë të realizojnë me sukses qëllimet për të cilat nisen.