Republika e Libanit ka refuzuar ekstradimin e Fadi Alwan, 49-vjeçarit që vrau me thikë vajzën e tij 24-vjeçaren në një apartament në Tiranë.

Gjithashtu, autoritetet libaneze kanë kërkuar që Shqipëria të dërgojë të gjitha veprimet hetimore dhe provat e mbledhura që shkurtit 2025 kur ndodhi ngjarja tronditëse.

Ndaj Alwan, gjykata penale e Tiranës caktoi arrest me burg në mungesë, nën akuza për vrasje për shkak të rrethanave familjare.

Vrasja ndodhi në banesën që ata morën me qira dhe u zbulua pak ditë më vonë nga pronarja e apartamentit, pasi burri ishte arratisur drejt Libanit.

Motivet e këtij krimi të rëndë mbeten ende mister. E reja, nënë e 3 fëmijëve, ishte divorcuar dhe të vegjlit jetonin në Liban me babanë e tyre. Në Gjermani Rayyan Alwan nisi një jetë të re, dhe afrimi i saj me traditat perëndimore dyshohet se u bë shkak për probleme të vazhdueshme të 24-vjeçares me familjen e saj, prindërit dhe vëllezërit. Për këto shqetësime vajza kishte bërë edhe denoncim në polici në Gjermani.

Hetuesit ende dyshojnë se në planin për të vrarë vajzën të jetë përfshirë edhe nëna e saj, megjithatë për këtë pistë mungojnë ende provat bindëse.

Që prej shkurtit, trupi i pajetë i së resë ndodhej në morgun e Tiranës, dhe u tërhoq më vonë nga një avokat i ardhur nga Libani, ndërsa u përcoll në banesën e fundit nga dy vëllezërit e saj në Gjermani, ku dhe është varrosur.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.