Është vetëdorëzuar në policinë e Durrësit Daniel Pepa, i cili ndodhej në kërkim për vrasjen e Flori Paluçit në Manzë, pas një sherri për një kafe në lokal.
Ai është arrestaur nga policia, ndërsa gjatë veprimeve procedurale, Pepës i është sekuestruar edhe një armë zjarri.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 22 tetor, në ambientin e jashtëm të një lokali në Manëz, ku u vranë me armë zjarri 33-vjeçari Flori Paluçi dhe 23-vjeçari Aranit Kurti. 21-vjeçari Daniel Pepa ka hyrë në lokal dhe është debatuar me kamarierin dhe me Flori Paluçin, i cili shoqërohej në lokal me disa të tjerë, ndër të cilët edhe Erald Cani i arrestuar për moskallëzim krimi.
Pepa debatoi pasi kërkoi kafe ndërsa kamarieri Alteo Pepa i tha se ekspresi është fikur. Pas konfliktit verbal, Daniel Pepa është larguar me automjet dhe më pas është kthyer bashkë me Ergi Kadiu dhe Aranit Kurtin. Teksa ata kanë tentuar që të hyjnë sërish në lokal, ka dalë Flori Paluçi dhe ka qëlluar me armë zjarri në tokë.
Në këtë moment, Daniel Pepa ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Paluçit duke e plagosur, ndërsa Aranit Kurti e ka qëlluar me grushte në fytyrë. Paluçi, sipas policisë, ka qëlluar ndaj të dyve. Nga plumbat mbetën të vrarë Aranit Kurti që u qëllua nga Paluçi, ndërsa ky i fundit u vra nga Daniel Pepa.
Njoftimi i policisë:
Durrës/ Specialistët për Krimin Kundër Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan shtetasin D. P., 21 vjeç, banues në fshatin Manëz, Njësia Manëz, Durrës.
Arrestimi i tij u krye në zbatim të urdhrit të datës 14.11.2025, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për ekzekutimin e vendimit penal nr. 622/1, datë 13.11.2025, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” ndaj këtij shtetasi, si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”.
Këto veprime lidhen me ngjarjen e ndodhur më datë 22.10.2025, ku janë vrarë shtetasit F. P. dhe A. K., në Manëz, Durrës, ngjarje në të cilën ky shtetas rezulton i implikuar, i dyshuar si autor. Gjatë veprimeve procedurale, këtij shtetasi i është sekuestruar një armë zjarri.
Arma e zjarrit që i është sekuestruar Saniel Pepës
Komente









