Mure të plasaritura e të djegura nga tymi i sobës, një divan i vjetër, një dollap me shishe plastike të përdorura shumë herë, një frigorifer me kapakë të ndryshkur, dhe ironikisht, mbi parvazin e oxhakut qirinj të kuq me kuti shkrepëse ngjitur, në mungesë të rrymës elektrike.

Janë këto pamjet që Report TV sjell nga shtëpia në kushte ekstreme varfërie e 48-vjeçarit Fatos Çollaku që vrau veten këtë të martë në Prrenjas.

Këpucët e Fatosit janë të vendosura në cep të dhomës, qesja me duhan mbi tavolinë; nuk dihet nëse 48-vjeçari e kishte planifikuar prej kohësh vetvarjen.

Fatosi jetonte me të motrën, e cila pavarësisht gjendjes së rënduar psikologjike, tregoi se në atë shtëpi kishin jetuar që prej fëmijërisë. Fatosi ishte njeri i qeshur, punonte, vijonte jetën normalisht. Ajo tha se nuk priste që i vëllai të vriste veten.

“Asnjë gjë nuk më foli vëllai mua. Shkonte në pazar, e zinte ndonjëherë rakia, i kalonte, asgjë nuk e gjente. Nuk e priste motra”, tha ajo.

Edhe për fqinjët, vetëvrasja e Fatosit ishte e papritur. Sipas tyre, e vetmja arsye për aktin është varfëria, pasi Fatosi, thonë, kishte sedër dhe i vinte turp që nuk kishte mundësi të paguante faturat e dritave dhe ujit, shërbime këto që ia ndërprisnin herë pas here. 

Fqinjët thonë se Fatosit ia prenë dritat natën kur vrau veten. Një fqinj tha se Fatosit i patën hequr ndihmën ekonomike prej 2000 ose 3000 lekë të reja që merrte, ndërsa një tjetër tha se të ndjerit i ndërprisnin jo vetëm ujin dhe dritat, por edhe ndihmën ekonomike.

“Në 8 të darkës e pashë, u përshëndetem. Të nesërmen e gjeta unë. Nuk kishte dhënë asnjë shenjë, vetëm se nga varfëria ekstreme, sedërqar. Dritat me ndërprerje, një herë ia lidhnin, një hera vinin e ia prisnin. Këtu herë ka pasur drita herë s’ka pasur. Ndihmë ekonomike merret 20 30 mijë lekë të vjetra, edhe ato më duket ia hoqën fare”, tha fqinji i cili ka gjetur trupin e 48-vjeçarit.

“Me ndërprerje i vinin dritat. Mbrëmë ia prenë. I vinte turp. Jetonte me një ndihmë ekonomike 3000 lekëshe, edhe ajo me ndërprerje. Mbrëmë nuk kishte drita. Më shumë u mërzit nga prerja e ujit. I prenë ujin se nuk e kishte paguar. Ishte djali më shembullor i lagjes”, tha një fqinje tjetër.

Pamjet tregojnë se vëllai dhe motra kishin shumë kohë pa vënë dorë mbi shtëpinë e vjetër prej guri. Të gjitha sendet, rrobat, enët, mbulesat, të vendosura anembanë shtëpisë, duket sikur e kanë përsëritur shumë herë ciklin e përdorimit. Por, bazuar në dëshmitë e fqinjëve, më shumë se kushtet Fatosin e rendonte përballja me detyrimet e tij për nevojat bazë të jetesës: pagesa e faturave të energjisë elektrike dhe ujit.

“Ia shkëputen disa herë dritat. Nuk e prisnin”, tha një fqinj tjetër.