Në ditën e fundit të vizitës në Holandë, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj u prit në takim të veçantë nga Drejtorja Ekzekutive e EUROPOL, Catherine De Bolle.
Ministri duke uruar znj.De Bolle për detyrën, theksoi rëndësinë që kjo organizatë ka për Shqipërinë dhe njëkohësisht shprehu gjithë vullnetin e duhur për ridimensionimin e marrëdhënieve me EUROPOL, për një bashkëpunim më intensiv në luftën kundër krimit të organizuar, gjë që veç të tjerave, do të ndikojë edhe në rritjen e kapaciteteve profesionale të Policisë së Shtetit në këtë fushë.
Më pas, ai bëri një panoramë të zhvillimeve të fundit, të cilat lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, si një prioritet i rëndësishëm i qeverisë. Lufta kundër kultivimit të kanabisit, është sipas Ministrit, një nga fushat në të cilën Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë shpenzuar energji të jashtëzakonshme.
Ky ka qenë një fenomen që për 25 vjet ka rënduar shoqërinë dhe ekonominë tonë. Viti 2017, shënoi një sukses të padiskutueshëm në këtë aspekt, gjatë të cilit patëm shifrat më të ulëta të kultivimit të kanabisit, duke e hequr Shqipërinë nga harta e vendeve që kultivojnë kanabis. Këto rezultate janë certifikuar edhe nga misioni i Guardia di Finanza dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Sfida jonë për këtë vit, është qëndrueshmëria e rezultatit të arritur në 2017. Shifrat e këtij viti janë në nivele të papërfillshme dhe tashmë ne vijojmë zbatimin e një plani masash i cili synon eleminimin e këtij fenomeni negative.
Fatmir Xhafaj, ministri i Brendshëm
Ky fenomen, shtoi Ministri, ka shërbyer si bazë e fuqizimit dhe zgjerimit të grupeve kriminale, duke u bërë kësisoj shkak për përhapjen e grupeve kriminale.
Ishte pikërisht kjo arsyeja, që në nëntor të vitit të kaluar, Qeveria miratoi një plan të posaçëm veprimi për luftën kundër krimit të organizuar të quajtur operacioni “Forca e Ligjit”. Fokusi i këtij operacioni është goditja e grupeve kriminale të cilat kanë favorizuar, financuar dhe organizuar këtë fenomen, por jo vetëm, përmes një qasje të re ndërinstitucionale. Operacioni “Forca e Ligjit”, përbën në vetvete, një sinergji të kapaciteteve të të gjitha agjencive ligj zbatuese në vend, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë në luftën kundër krimit të organizuar.
Për këtë qëllim, është ngritur dhe funksionon Task Forca Qendrore ndërinstitucionale si dhe Task Forca në nivel operacional. Ekspertë të vendeve partnere si Gjermania, SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia janë atashuar tashmë dhe kontribuojnë pranë TFS Qendrore. Dy janë objektivat kryesore në këtë aspekt, goditja e grupeve kriminale dhe goditja e aseteve të tyre.Tashmë Policia e Shtetit ka një skedar të saktë të këtyre grupeve. Vetëm në 4-5 muaj të funksionimit, është bërë e mundur goditja e 9 grupeve kriminale me rrezikshmëri të lartë, disa prej të cilëve janë në hetim, apo edhe në proces gjykimi, mbi 100 pjesëtarë të këtyre grupeve janë arrestuar, dhe mbi 10 milionë euro pasuri të sekuestruara.
Policia e Shtetit është duke punuar intensivisht me partnerët tanë ndërkombëtarë për të identifikuar grupet kriminale që veprojnë në vende të tjera. Për këtë, kemi një eksperiencë shumë të mirë bashkëpunimi me Gjermaninë, Italinë dhe Britaninë, e cila konsiston në hetime dhe operacione të përbashkëta, shkëmbim informacioni në kohë reale. Këtë mënyrë bashkëpunimi jemi të gatshëm ta shtrijmë edhe me vende të tjera.
Fatmir Xhafaj, ministri i Brendshëm
Në këtë kontekst, u shpreh ai, bashkëpunimi me EUROPOL, merr një rëndësi të veçantë, dhe për këtë jam tërësisht i predispozuar të hapim një faqe të re në bashkëpunimin mes nesh. Përshpejtimi i procedurave për nënshkrimin e marrëveshjes e cila do të formalizojë vendosjen e oficerit tuaj të kontaktit në Tiranë, është shumë i rëndësishëm në këtë moment.
Në vijim, Ministri Xhafaj e ftoi Drejtoren e EUROPOL të vizitojë Tiranën, së bashku me një ekip ekspertësh, për të parë nga afër çfarë është bërë, për të pasur në këtë mënyrë një bashkëpunim edhe më efektiv në të ardhmen. Sipas Ministrit, kjo analizë është e domosdoshme për të parë më mirë prirjen e kësaj dukurie dhe të vlerësojmë se cilat do të jenë shtyllat e bashkëpunimit në të ardhmen.
Ministri kërkoi gjithashtu nga Drejtorja e EUROPOL, mbështetje për fusha të caktuara të cilat përbëjnë interes për vendet anëtare të Bashkimit Evropian, si kontrabandimi i migrantëve siç është rasti midis Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe influencën e grupeve kriminale në këtë veprimtari.
Lufta kundër pastrimit të parave, ishte një fushë tjetër për të cilën Ministri Xhafaj kërkoi nga EUROPOL zhvillimin e një projekti të përbashkët. Nga ana e saj Drejtorja e EUROPOL, falënderoi ministrin për bashkëpunimin si dhe për vullnetin e shprehur për intensifikimin e bashkëpunimit me vendet e BE dhe EUROPOL.
Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor, u shpreh znj.De Bolle, është një çështje e interesit strategjik në këndvështrimin e sigurisë. Kjo gjë sipas saj, u konfirmua edhe në Samitin e fundit në Sofje.
“EUROPOL do të vazhdojë të kontribuojë në Ballkanin Perëndimor për çështje kyçe të sigurisë, dhe në këtë kontekst marrëdhëniet me Shqipërinë përbëjnë prioritet për ne. Shqipëria, për shkak edhe të pozicionit të saj gjeografik është një partner i rëndësishëm për ne, në luftën kundër krimit të organizuar dhe veprimtarive të tjera të paligjshme. Ndaj edhe ajo zë një vend esencial në raportet dhe vlerësimet tona periodike”, u shpreh ajo.
Znj.De Bolle, nënvizoi kontributin e Shqipërisë gjatë vitit 2017, sa i takon sigurimit të të dhënave sasiore dhe cilësore për fusha të ndryshme si trafiku i drogës, migracioni, trafiku i armëve të zjarrit, pastrimit të parave, vrasjet, etj.
Ajo vlerësoi maksimalisht operacionet e fundit të Policisë së Shtetit, veçanërisht operacionin “Last Snow” dhe e shpreh e impresionuar me atë çka ju po bën pala shqiptare në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.
Ajo i kërkoi Ministrit Xhafaj që agjencitë ligj zbatuese në Shqipëri të përdorin më shumë raportet dhe mjetet e EUROPOL, në funksion të forcimit të kapaciteteve të tyre. Ajo vlerësoi së tepërmi angazhimin për të përshpejtuar procedurat ligjore që do të mundësojnë vendosjen e oficerit të kontaktit të EUROPOL në Shqipëri, duke shtuar se EUROPOL do të bëjë të njëjtën gjë edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Në përfundim, ajo mirëpriti ftesën e Ministrit Xhafaj për të vizituar Tiranën. Ndërkohë, ajo u shpreh e gatshme për të dërguar në Tiranë një grup ekspertësh të cilët së bashku me Policinë e Shtetit të zhvillojnë një analizë të përbashkët të gjendjes aktuale, çështjet ligjore dhe operacionale dhe përcaktimit të fushave të bashkëpunimit në të ardhmen.
Në vijim, ajo theksoi nevojën e përditësimit të marrëveshjes së bashkëpunimit midis EUROPOL dhe Shqipërisë, e cila daton që nga viti 2013 dhe ka nevojë të përditësohet për t’ju përgjigjur kështu koncepteve dhe prioriteteve të reja. Kjo marrëveshje do të diskutohet nga Komisioni Evropian dhe EUROPOL do të jetë pjesë e këtyre diskutimeve në nivel teknik. Në këtë kontekst, ajo kërkoi mbështetjen dhe kontributin e palës shqiptare në këtë proces.
Ministri Xhafaj e falënderoi drejtoren e EUROPOL për vlerësimet e saj, duke e siguruar atë se Shqipëria është e gatshme për të përshpejtuar miratimin e të dy marrëveshjeve.