Xhahid Bushati: Kur bisedoj me
Agim Devën dhe poezinë e tij

Xhahid Bushati: Kur bisedoj me<br />Agim Devën dhe poezinë e tij
Krijuesi Agim Deva (6 prill 1948 – 2 shkurt 2009) ishte mik i ngushtë, veçanërisht, i poezisë shqipe për fëmijë e të rinj. Të tillë ishin Vehbi Kikaj e Rifat Kukaj, Odhise K. Grillo e Tasim Gjokutaj. Të tillë janë  Xhevat Beqaraj, Adelina R. Mamaqi, Gani Xhafolli e Xhevahir Spahiu. E për ta mbyllur kurorën poetike, të tillë ishin dhe Ndre Mjedja, Migjeni, Fishta, Esat Mekuli, Fahredin Gunga, Frederik Reshpja, Lasgush Poradeci, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Azem Shkreli, Ali Podrimja.

Poezinë e Agim Devës e lexoj me ëndje edhe sot e kësaj dite. Gjithëherë më kujton lindjen e një dite të mbarë përmes agimit të pranverës, ditë që të sjell buqetë-ëndrrash dhe të bën të vraposh pas ëndrrave të reja... Dhe… kujtoj se me poetin Agim Deva jam takuar tri herë. Herën e parë, në vitin 1986, në Tiranë, ku kisha shkuar për një specializim pasuniversitar për kritikë letrare, të cilën e zhvillonim pranë Fakultetit filologjik. Privilegj ishte se ishim 12 vetë nga e gjithë Shqipëria. Gjithashtu privilegj ishte se, ishim të pajisur me një dokument special dhe mund të lexonim libra nga fondi rezervat, në Bibliotekën Kombëtare.

Nga që unë merresha me letërsinë për fëmijë, kisha botuar disa libra, dhe temën që do të mbroja e kisha nga kjo fushë, kërkova libra me studime të autorëve nga Kosova. Libri i parë që nisa të lexoj me shënime të zgjeruara ishte “Poezia shqipe për fëmijë (1872-1980), Rilindja, P. 1982 të autorit Agim Deva. E kujtova menjëherë këtë emër se, sapo kisha lexuar librin me poezi: “Ankohet çanta e vogël…” (mbledhur e redaktuar nga O. Grillo, piktor: Qamil Prizreni, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1986). Ndonëse autorin nuk e njihja, librin në fjalë më kishte lënë përshtypje dhe, duke i thirrë kujtesës, solla ato imazhe mbresëlënëse të disa poezive, si “Gishti ngjyrë vjollcë”, “Era kërkon punë”, “Zonja e livadheve”, “Më besoni”, “Ankohet çanta e vogël”, “Harabeli”, etj. Në heshtje, nisa të rikujtoj edhe plot vargje të tjera.

Duke iu rikthyer librit me studime, gjatë leximit, nuk më hiqeshin nga vëmendja dy momente: a) analizat e thella e shkencore, interpretimi i fenomeneve letrare gjatë procesit historik, si dhe thellësia e fjalës shqipe e kultura e gjerë e njohjes. b) Po lexoja një autor shqiptar, që shkruante të njëjtën gjuhë si unë, shqipen e bukur; me një ‘dokument special, dhe nga fondi rezervat’. Edhe sot e kësaj dite pyes veten: “Ç’ishte ajo dorë që e ndërtoi atë mur famëkeq për të na ndarë edhe në leximin e shqipes sonë të shtrenjtë?” Ky qe takimi i parë i ‘njohjes’ me Agimin. Do të vinte viti 2000, dhe datat 5-6 nëntor, në Tiranë, kur nën kujdesin e shkrimtares Shpresa Vreto, do të zhvillohej Takimi i Shkrimtarëve për Fëmijë të Ballkanit. Aty u njoha, u pamë sy më sy dhe folëm të përmalluar shqipen tonë të zemrës.

Aty, me autograf, më dhuroi librin “Edhe rrugët udhëtojnë”, dhe mban datën 05.11. 2000.  I kujtoj ato orë bisedash të çmueshme me atë njeri të  të dashur që të bënte menjëherë mik. Pas disa vitesh, dhe ky do të ishte takimi i fundit, mbi bazën e një projekti të Soros-it e nën kujdestarinë e shkrimtares Shpresa Vreto, u mblodhëm përsëri në Tiranë për të marrë një javë leksione teorike dhe praktike rreth ‘Tregimit me figura’ nga një pedagoge amerikane. U ritakova përsëri me Agim Devën. U përshëndetëm si miq të vjetër e që na kishte marrë malli shumë… Isha i lumtur, sepse njoha dhe dy shkrimtarë të shquar nga Kosova, Abdullah Thaçin dhe Ibrahim Kadriun, me të cilët miqësinë e ruaj ende si gjë të shtrenjtë dhe të vyer. Orët e bisedave brenda dhe jashtë leksioneve, kësaj here, ishin më të shumta.

Në to, dukshëm, rrezatonte  kultura, fantazia dhe gjetjet e subjekteve në orët praktike  nga ana e Agimit. Takimet me të u ngjanin ditëve të pranverës, ku dëgjoja një cicërimë zogu… ‘zogu e poeti/ Rrojnë ku rrojnë fëmij’t, // Zemërohen dhe gëzohen / si t’ishin një – shpirt.; ku shihja një diell ëndërrimtar… ‘Për diellin e di / Gati çdo fëmijë: / Sa më i moshuar, / Duket më i ri…, ku ndjeja aromën e lule vjollcave... ‘Dallim tjetër, Vjollcë, nuk shoh që të ketë, / Ty të puth një nënëz, mua m’puth një bletë’. Se ishte talenti i Agim Devës që të falte këto mrekulli, të cilat më ndjekin pas edhe sot e kësaj ditë si një kujtim i paharruar… Më bëhet se më ndjekin edhe këto vargje të tij: ‘Jasht bie dëborë, / E në dhomë të fëmijëve, / Tërë çerdhja shndërrohet / Në botë të mrekullive.’

Poezia, për poetin e shquar Agim Deva, ishte biografi dhe autobiografi. Lëvroi gjini dhe zhanre të shumëllojshme të krijimtarisë për fëmijë e të rinj. I prirur drejt një poezie zhvillimore e detajuese në vështrime të subjektit dhe të fabulës. Kuvendar i sinqertë, plot pathos e dhembje, plot dramë e revoltë (kujtojmë veprën: “Po ma vjedh dikush qytetin”), dëshpërim e optimizëm. Rrëfimi i tij në marrëdhënie me tre nivelet e lexuesve që u drejtohet, ruan statusin e fisnikërisë.

Këtë, në radhë të parë, e gjejmë në shpirtin e tij humanisto-njerëzor, në qenësinë poetike, në hapësirat dhe gamën tematikore të laryshisë së motiveve, të cilat i trajton herë në vijë lineare, herë me variacion, herë me rrëfimet dhe urtinë e gjyshit, të cilat, të marra së bashku e drejtojnë poezinë drejt antologjikes.E, po ta kërkojmë e gërmojmë antologjiken e tij devaniane, në formë dhe në përmbajtje të poezisë, do të na shfaqen edhe ‘thërrmijëzat’ çuditërisht antologjike, dhe ku: te fjalët-kyçe, te sistemi figurativ, te tropet, te mënyrat e komunikimit, … e deri te mesazhet që përcjellë. 

            Agim Deva është një poet sa lirik aq dhe epik. Një ekuilibër i tillë poetik- refleks i një bibliotekë-veprash, gjëndet jo shpesh në krijimtarinë e poetëve të letërsisë për fëmijë e të rinj. Kjo bibliotekë-veprash (më shumë në poezi se sa në prozë), po t’i qasemi biografisë së autorit, do të gjejmë një dukuri, përsëri, pak si të rrallë te formimi kulturor i autorëve të kësaj letërsie, Agim Deva në ndihmë të krijimtarisë së vet por edhe të letrave shqipe për fëmijë e të rinj, vjen me një korpus studimesh në fushën e poezisë e të romanit, studime që edhe sot janë bazale në paraqitjen e procesit, zhvillimit e dinamikës së historisë së letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj.

            Krijimtaria e tij e gjerë poetike, që nis me librin e parë “Trumbeta e artë” (1968) e deri te “Trahoma” (posmortum, 2010) na flet për një prirje edhe drejt një lënde sociale, të cilën e ndërton dhe strukturon artistikisht.
            Komunikimi me fëmijët, si personazhe të vyera, të pikturuara me finesë e në mënyrë realiste, flasin për një vëmendje të autorit në zbërthim e shpalim të botës së tyre: me plot halle, me plot plagë, me ngjyra trishtuese, me ngjyra optimizmi dhe lirie, me ngjyra ëndërruese… Një botë që autori është shumë i varfër pa të!.. Po përmendim tipologjinë seriale të figurës së Xhelës. Një produkt realitetesh e dhembjesh, dashurish e shpresash, besimesh dhe vlerësimesh… Pak i rrallë si personazh në ‘frymëmarrjen’ e tij dhe në mozaikun e motiveve dhe problemeve që e shoqëron.

Autori dhe Xhela kanë një marrëdhënie solide me njëri-tjetrin. I bashkon dhe i plotëson mendimi, fjala, veprimi, loja, imagjinata, bota, arsyeja, idealja, dinjiteti…, dhe në fund do të thonim, se autori i del zot personazhit, e personazhi i del zot autorit. Por edhe më tej… autori ka mall për personazhin dhe personazhi ka mall për autorin… Një vazhdimësi bisede e përjetëshme! Kjo është dhe arsyeja që figura e Xhelës mbetet rrezatuese në letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj, si pikë referimi e bashkëbisedimi… Meqë u ndalëm te ky personazh përfaqësues e i dinjitetshëm, kjo s’do të thotë që është i vetëm.

Po kështu do të flisnim edhe për protagonistët e shumë poezive të tjera me subjekt, që janë një nga tiparet kryesore të krijimtarisë poetike të tij. Këtë e përligj edhe mendimi i drejtë i studiueses Qibrije Demiri –Frangu kur thotë: “Agim Deva shënon vazhdimisht përpjekjen për t’iu kthyer buzëqeshjen dhe gëzimin fëmijëve. Asnjë skutë të shpirtit të fëmijës nuk e lë pa e hetuar që t’i mbushë më pastaj me jetë, ide, guxim e kureshtje të pashuar.”

 … dhe dua të kujtoj mes librave, librin: “Edhe rrugët udhëtojnë” (Sh. B. Kozmos, Prishtinë, 2000). Lënda që mbart vepra, rrëfehet përmes distikut, i cili zë pjesën më të madhe të hapësirës poetike. E përmenda hapësirën poetike, sepse edhe shtrirja metrike e vargjeve është e tillë, ka diapazon të gjerë. Rrëfimi, gjithashtu, “flet” përmes detajeve të gjetura, të cilat në përbashkësi plotësojnë dhe “shpirtëzojnë” motivin, si dhe fabulën e poezisë. Prania e të papriturës, bëhet e besueshme gjatë situatës dhe emocionit të leximit. Bëhet e besueshme dhe mirëdashëse estetikisht, sepse ka një ‘po’ të qëllimit patriotik e edukativ, i cili mplekset me një vështrim të poetit drejt së nesërmes, si në këto vargje që po citojmë: “T’i jap t’gjitha lulet që rrojnë brenda n’mua, / Vetëm mos më shtyj aty – ku nuk dua…” (poezia: “Unë dhe bota me bastun”).

            Figura e fëmijës që përmendet shpesh e më shpesh, e që lëviz lirshëm në rrugëtimin e poezive, vizatohet, si burim jete, shpirti, blerimi, dashurie, përqafimi, malli, loti, përralle, ëndrre… Jo, vetëm kaq, por është në një marrëdhënie të shumëfishtë me autorin. Çdo marrëdhënie mbart një parafytyrë të re fëmijërore, me liri të ëndërruar e të realizuar, lojë e humor. Për ilustrim, diku poeti thotë: “Unë t’i dëgjoj zogjtë, / Ti m’i puth fëmij’t, / N’ fyshekë akulloresh / I shkrijmë dashuritë. // Të dua sa Gjakovën, / Më do sa – Shqipërinë, / Prandaj bashkë i biem / Të njëjtës violinë. (poezia: “Maji”).         Është një botë, ku Agim Deva e paraqet dhe e ofron këndshëm, me dëshira e dukuri sociale; me aromë Kosove që ta mbushin zemrën e shpirtin. E poeti shprehet: “Ujit poeti – lulet e fëmijëve, / Kurse fëmijët – lulet e tij, / E në pranverë botës plot ngjyra, / Ia numërojmë gonxhet – me kënaqësi.” (poezia: “Jeta kërkon lule”).

            Kjo është arsyeja që rrëfimi i Agimit është sinqertë, është produkt i thjeshtësisë (subjektit) dhe sublimes, i magjisë dhe i ëndrrës; ndërsa vetëdija në shpalosjen e saj bën të vetmit si pasuri, FËMIJËT për të cilët shkruan: “Vjershat më të bukura, / E dinë edhe fëmij’t, / I shkruajmë me shpirt, / Dhe – vetëm me shpirt.” (poezia: “Me çka i shkruhen vjershat”). Nuk e di pse ky akt poetik më kujton një thënie të Dostojevskit: “E bukura shpëton botën”. Më ngjan se kjo thënie është shndërruar në grimca drite, të cilat janë shpërndarë në çdo krijim të poetit Agim Deva, që dritësojnë edhe në mënyrën se si e përcepton poezinë, edhe si e pikturon, edhe si e zgjedh dhe e mbështjell atë me vello hyjnore e me një lirizëm fatlum.

Jo vetëm kaq, po në çdo poezi, ku është i shfaqshëm subjekti, apo aty, ku rrëfimi është meditativ, autori si protagonist, nuk bën gjë tjetër veç i pikturon portretin vetvetes. Dhe… tani, ne e dimë fare mirë se ku ‘banon uni’ i poetit. E, për të vazhduar më tej se, tiparet e veçanta të poezisë së tij burojnë nga biografia e tij poetike. Dhe nuk është pak të depërtosh në misterin e vetvetes, sepse, siç thotë studiuesi Çesllav Milosh: “Njerëzimi gjithnjë e më shumë do të ushqehet me vetveten, do të thotë me të kaluarën e vet.” Dhe ti, i dashur dhe i paharruar Agim Deva me testamentin letrar e studimor që ke lënë nuk i përket vetëm të kaluarës, por edhe të sotmes, por edhe të ardhmes…
 

 Shkrimi u publikua sot (09.02.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane