Xheki/ Kujtimit të Zonjës Diane Jacqueline Belkiz Alizoti

Xheki/ Kujtimit të Zonjës Diane Jacqueline Belkiz Alizoti

Atë mëngjes mesjanari me qiell të ngrysur dhe me erën e akullt, që frynte nga deti, Xheki, zonja shtatlartë, me fytyrë të hijshme, me ata flokët e dendur me fije paksa të thinjura që i pati krehur e ngritur përpjetë si kurorë rrotull kokës ishte ulur në një kolltuk pranë dritares me qelqet e puthitura mirë, supeve kishte hedhur një shall të madh të leshtë. Pasi vuri syzet, ajo, me duart që i dridheshin, ato duar të bukura të bardha me gishtërinj të gjatë, me zemrën që i përpëlitej në gjoks dhe sytë e mbushur plot me lot, po lexonte copat e prera nga disa numra të gazetës “Daily Express”. Në krye të faqes 11, të datës 15 janar 1990, me gërma fare të vogla ishte botuar lajmërimi, që kishte bërë ajo vetë për të gjetur babain e saj. Një baba, të cilin thuajse nuk e mbante mend fare, ai e kishte lënë dy vjeçe dhe ishte zhdukur, e njihte të atin vetëm nga rrëfimet e nënës të saj, Merit. Një baba, të cilin ajo e kishte kërkuar gjatë gjithë jetës, e kërkonte edhe tani kur sapo kishte mbushur pesëdhjetë e tetë vjeçe. Aty ishte shkruar emri dhe mbiemri i tij, vendlindja: Shqipëri, viti i lindjes: 1908, vitet e shkollimit në Camborn: 1929-1933, anëtar i Institutit të Minierave nga 1932-1938. Dhe më tej emri i saj: Xheki Belkiz, numri i telefonit për ata persona, që dinin ndonjë të dhënë për të atin.

Askush nuk i kish telefonuar. Poshtë njoftimit të saj me gërma shumë të mëdha ndodhej shkrimi i një gazetares, e cila informonte nga Vjena: “STUDENTËT VAREN NË RRUGË”, me nëntitull “Gjakderdhje, ja se si Shqipëria i shtyp rebelët”. Sytë e Xhekit mbetën për pak çaste ngulur tek fjala “varen”, nuk mund ta përfytyronte se si mund të varen njerëzit, aq më pak si mund të varen studentët këta djem e vajza të rinj në lulen e moshës. Ngjarja kishte të bënte me Shqipërinë, atje po ndodhte hataja siç njoftonin lajmet në radio e televizion, komunistët po terrorizonin studentët. Pas rrëzimit të Murit të Berlinit, pas vrasjeve në Timishoarë të Rumanisë, ndryshimeve të mëdha të sistemeve në Europën Lindore, ja tani më së fundi edhe në Shqipëri, ndonëse me shumë vonesë krahasuar me vendet e tjera ku kishte sunduar komunizmi. Po kjo gazetë në datën 11 janar kishte botuar artikullin “Shqipëria në krizë, revolta rritet” ku shkruhej se në Shqipëri mund të ndodhte një plojë edhe më e madhe sesa ajo e Rumanisë, që kish ndodhur një vit e ca më parë.

Në datën 12 janar ishte botuar shkrimi “Shqiptarët e kryqëzuar” shoqëruar me një foto të fytyrës të qeshur, dhelpërake dhe të ngrirë të Ramiz Alisë. Aty shkruhej se ishin qëlluar me armë tre të rinj teksa po përpiqeshin të kalonin kufirin nga ana e Jugosllavisë dhe pastaj forcat e Sigurimit i patën rrëmbyer trupat e tyre ashtu të vdekur, i kishin mbërthyer mbi copa dërrasash, i kishin hedhur mbi një qerre kuajsh dhe i kishin shëtitur nëpër rrugë për të tmerruar popullin, atë popull të terrorizuar e të masakruar që prej dyzetë e katër vjetësh prej komunistëve. Në datën 15 janar një shkrim tjetër, i po kësaj gazete shkruante, “Ushtria shqiptare godet frikën dhe protestat shtypen”. Mendja e Xhekit shkoi larg, atje në Shqipërinë e vogël mbushur me male. Ajo gjatë jetës të saj kishte parë vetëm disa kartolina të atij vendi me det, lumenj dhe male.

Tani po përpiqej të përfytyronte rrugët e tij të përgjakura, ulërima të viktimave, ushtarë të frikshëm dhe të frikësuar, të cilët i detyrojnë që të vrasin bashkëmoshatarët e tyre të pafajshëm ... Po babai i saj ku ndodhej? Vallë a jetonte? Duhej të ishte i martuar dhe të kishte fëmijë. Pra, atje diku ajo kishte një motër, një vëlla apo më tepër. Po vallë çfarë po ndodhte me ta? Po përse nuk bëheshin të gjallë? Xheki donte vetëm sa t’i njihte, kishte mall për ta, një mall i përjetshëm, i cili i pati kapluar krejt qelizat e shpirtit të saj. Ajo e kish krijuar familjen e vet prej shumë vitesh; me burrin, një vajzë dhe një djalë, madje ishte bërë edhe gjyshe. Veç ndihej keq sa herë që përmendej fjala baba. Ajo e dinte edhe në shqip këtë fjalë, ia kish mësuar e ëma, i shqiptonte bë-të si pë dhe fjala i dilte diçka si: “pbapba”. Ajo e dinte edhe përse emrin e dytë e kishte Belkiz, këtë emër mbante njëra nga motrat e të atit, pra, halla e saj dhe ashtu siç ia kish shpjeguar ai kuptimin--  

Kurrë gjatë tërë jetës të saj nuk e kishte parë në ëndërr të atin, sepse nuk i pati mbetur në mendje asnjë shembëllim i fytyrës së tij. Një kujtim i largët i dilte shpesh para syve, në një kohë më të vonë, kur ishte katërmbëdhjetë vjeçe, një ditë ndërsa po shëtiste me nënën në parkun e qytetit papritmas nga një rrugicë anësore mbuluar nga të dy anët me shkurre të gjelbëra doli një burrë shtatmadh i veshur me uniformë ushtarake, e cila ndryshonte nga uniformat, që kishte parë Xheki. Ai me ta parë vajzën i thirri: “Belkiz!” dhe e përsëriti këtë fjalë edhe një herë tjetër: “Belkiz!” duke zgjatur dorën e djathtë veshur me dorashkë në të cilën mbante një kuti si të argjendtë. Xheki hodhi dy hapa drejt tij, por e ëma e ndali duke i thënë: “Xheki, eja këtu!” dhe ajo e bindur u kthye duke e kapur nënën përdore disi e frikësuar dhe me vështrimin nga pas tek ai ushtaraku i panjohur, që ngeli aty i hutuar pa ditur se çfarë të bënte. Xheki iu drejtua së ëmës me zë të lartë: “Si është e mundur që ai njeri e di emrin tim, emrin që e kam të shkruar në certifikatë, por që askush nuk ma di dhe nuk ma përmend?”

Nëna e tronditur iu përgjigj se me të mbërritur në shtëpi do t’ia tregonte të gjitha. Atë ditë ajo i rrëfeu se nuk ishte bijë e Tomasit, i cili e kishte rritur si bijën e vet, por e një shqiptari me emrin Riza, për të cilin ajo, nëna e saj nuk dinte se ku ndodhej tani, në Shqipëri apo në ndonjë vend tjetër, ishte ndarë prej tij dymbëdhjetë vite më parë. “Ai është babai yt, ndoshta ndonjë ditë do ta takosh....” përfundoi e ëma. Që nga kjo ditë Xhekit iu ngjall një dëshirë e papërmbajtur, një mall i parrëfyer për të njohur babain e saj të vërtetë, çdo natë para se të flinte sajonte biseda me të, i tregonte atij, babait të përfytyruar, gjithçka që i ndodhte në jetën e përditshme. Disa muaj pas takimit me atë ushtarakun e panjohur, ndodhi një mrekulli, një njeri, familja e të cilit jetonte fare pranë shtëpisë së tyre, atë njeriun shumë vetë e kishin qarë dhe i kishin bërë përshpirtje në kishë, por befas ai u kthye, kështu Xhekit iu ngjallën shpresat se edhe i ati i saj mund të vinte ashtu siç erdhi gjallë e shëndoshë nga lufta babai i Sarës, shoqes të saj, që e dinin të vdekur, të vrarë në llogore, lajmin e pati sjellë një shoku i tij, i cili e kishte parë tek e tërhiqnin zvarrë të plagosur nga fusha e betejës, megjithëse Lufta e Dytë Botërore kishte gati dy vjet që pati përfunduar, ai erdhi pasi ishte mjekuar e shëruar nëpër spitalet e Europës.

Po cili pati qenë ai burrë i veshur ushtarak që u shfaq atë ditë në park? Sigurisht nuk ishte i ati sepse këtë e vërtetonte e ëma, aq më shumë se babai i saj nuk kishte të bënte fare me uniformat ushtarake. Vallë mos ishte dikush i dërguar prej të atit për ta gjetur? Po çfarë kishte ai në atë kutinë që mbante në dorë? Tërë jetën ajo vriste mendjen për shfaqjen e papritur të atij oficerit dhe nuk e zgjidhte dot si të ishte një diçka që kishte të bënte me tjetërkënd dhe jo me atë vetë. Asgjë nuk i pati mbetur që t’i kujtonte të atin veç disa pullave shqiptare me fytyrën e mbretit të tyre, pulla të mbetura nga letrat, që ai i pati dërguar nënës të saj. (Xheki kurrë nuk do ta mirrte vesh se babai i pati dërguar me anën e atij ushtarakut, që ishte shqiptar, por me pasaportë angleze, një byzylyk me gurë të çmuar si për t’i thënë se ai nuk e harronte dhe nuk do ta harronte kurrë.) 

Tërë jetën Xhekit i pati pikuar në shpirt e i dhembte zemra sa herë që shihte nëpër ceremonitë martesore baballarët tek shoqëronin për në altarin e kishës për t’u kurorëzuar bijat e tyre, apo tek vallëzonin me ato në hapje të dasmës. Erdhi dita. Në dasmën e saj e shoqëroi Tomasi, ky baba aq i përkujdesur, me të ajo vallëzoi e veshur nuse me të bardha e për pak çaste i ngriti sytë lart drejt qiellit sikur të donte ta kërkonte dhe ta gjente atje atin e saj të vërtetë. Më vonë tok me bashkëshortin nëpër udhëtimet e saj në Paris apo Nju Jork sa herë që i binte rasti të haste shqiptarë Xheki pyeste për babain e saj, Riza Alizotin. Njerëzit sapo dëgjonin emrin e tij ngrinin supet e mënjanonin sytë për të mos hasur vështrimin pyetës të syve të saj. Askush nuk e njihte, por hera herës ajo e ndiente sikur njerëzit diçka i fshihnin, sikur ngurronin të formonin fjalët teksa përgjigjeshin ashtu kuturu si të hutuar.    

Pas katër ditësh duke i lexuar edhe njëherë nga e para artikujt e këtyre ditëve dhe duke menduar se komunizmi do të gremisej edhe në Shqipëri siç pati ndodhur me vendet e tjera të Europës Lindore, Xheki vendosi që t’i shkruajë një letër dikujt, një shoqate shqiptare për ta ndihmuar që të gjente të atin. Data ishte 19 janar kur e shkroi letrën me lot në sy dhe zemërdridhur menjëherë u vesh dhe u nis për tek zyra e madhe e postës duke ecur me hapa të vendosur e postoi po atë ditë. Të gjitha shpresat i pati varur tek ajo letër duke i dërguar lutje Zotit, por ajo nuk mund ta dinte dhe asqë mund ta merrte me mend se letra e saj mbërriti tek një zyrë para tryezës të së cilës rrinte ulur serioz e i vrenjtur një zotëri pa flokë në kokë, shtatshkurtër e rondokop, veshur me një kostum të zi, këmishë të bardhë e kravatë të kuqe, tek jaka e xhaketës ai pati mbërthyer një distinktiv me gërmat e kuqe flakë: “PPSH” kurse para duarve mbante një libër me kujtime për diktatorin e Shqipërisë shkruar nga shoku i tij i ngushtë shqiptar. Ai e lexoi disi me plogështi letrën e Zonjës Xheki dhe aty për aty i ktheu një përgjigje zyrtare të rëndomtë. Në ditët e fundit të janarit përgjigjja mbërriti në duart e Xhekit, ajo letër qe pak a shumë e qartë, por e vakët përsa u përkiste shpresave të saj:   

24 janar 1990

E dashur Zonjë,

Ju faleminderit për letrën tuaj të 19 janarit. Ia kalova informacionin e letrës tuaj qeverisë shqiptare në Tiranë duke i kërkuar të përpiqen për të gjetur Z. Alizoti, megjithëse nuk ka të dhëna që ai të jetë kthyer në Shqipëri. Në të vërtetë, përderisa gjyshi juaj ishte deputet në regjimin e paraluftës, kuptohet mirë se familja ishte politikisht armiqësore me regjimin socialist të pasluftës.

Megjithatë, unë do t’ju shkruaj sa më parë që të marr vesh diçka, ju duhet ta kuptoni se do të më duhet kohë.

A keni bërë njoftim në shtypin britanik për t’u lidhur me babain tuaj?

Sinqerisht juaji

W. B. Blandf  

Në fytyrën e Xhekit kishte rënë një hije e zbehtë, e verdhë, hije vdekjeje. Ajo rrinte shtrirë me kokën mbështetur mbi nënkresën borë të bardhë me dantella anash. Buzët para se të hynte në operacion i pat lyer me një të kuq çiklamin të errët, lloj i kuqi që nuk fshihej për njëzet e katër orë. Ajo pati vendosur që të mos dukej e shëmtuar kur të dilte nga salla e operacionit. Sytë i mbante mbyllur dhe nuk i hapte dot sepse ende ndodhej nën ndikimin e anestezisë. Pëshpëriste me buzët e thara: “Kam dhimbje... kam shumë dhimbje...” Erdhi një infermiere e moshuar dhe i bëri një qetësues, pak më vonë i vendosën serumin tek vigoni i ngulur në venën e krahut. Për çudi ishte një ditë shumë e ngrohtë pranvere, dielli, që hynte nga dritaret e mëdha e ngrohte fort dhomën me dy shtretër. Xheki e kaloi natën keq midis gjendjes së vetëdijshme e të pavetëdijshme. E bija e kaloi natën aty bashkë me të ëmën.

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Norvegji, autobusi me 60 pasagjerë del nga rruga dhe përfundon në liqen! 70 persona brenda, mes tyre 3 të vdekur

Norvegji, autobusi me 60 pasagjerë del nga rruga dhe përfundon në liqen! 70 persona brenda, mes tyre 3 të vdekur