Ylli Pata: 2022-shi, viti i shansit 'fatal' për shqiptarët dhe rreziku i humbjes së 'momentum'-it

Në fillimin e shkurtit, Mali i Zi përgatitet të votojë në Parlament një qeveri nën drejtimin e shqiptarit Dritan Abazoviç. i cili do të mbështetet nga një mazhorancë e sigurtë, ku përveç partisë së tij, partive të pakicave, ka premtuar se do ta mbështesë edhe partia opozitare e Milo Gjukanoviçit.

Nëse kjo do të ndodhë, e sipas gjasave do të ndodhë, atëherë Ballkani Perëndimor, i cili numëron 6 vende: Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut e Bosnjë Hercegovia, do të ketë tre kryeministra shqiptarë: Edi Ramën, Albin Kurtin e Dritan Abazoviç.

Ndërkaq, gjysma e qeverisë së Maqedonisë së Veriut së bashku me zv.kryeministrin janë shqiptarë.

Gjithashtu, nga fillimi i janarit, Shqipëria është anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, organit vendimarrës dhe më të rëndësishëm të kësaj organizate. Po këtë vit, u vendos që në Shqipëri të instalohet shtabi i përgjithshëm i trupave special të ushtarisë amerikane për Europën.

Ndërkaq, brenda vitit 2022 është planifikuar si axhendë paraprake që të mbyllet nëse është e mundur kontesti midis Serbisë dhe Kosovës për njohjen e ndërsjelltë dhe pranimin e Prishtinës zyrtare në organizatat ndërkombëtare.

Janë kaq shumë evente dhe zhvillime të rëndësishme, që padyshim do të shtojnë edhe reaksionin, apo kundërshtinë për të mos lejuar që mundësia e madhe që shqiptarët kanë këtë vit, të shkojë për së mbari.

Dhe kjo është e pritshme, ndaj edhe amerikanët kanë marrë vendimin për një përforcim ushtarak adekuat, në mënyrë që të ruajnë krahët në rast destabilizimi.

Por a do të jetë elita politike, ajo shoqërorë, intelektuale e mediatike, në lartësinë e këtyre zhvillimeve? Sipas të gjitha gjasave, e gjithë ky konstelacion do të ketë një bombardim mediatik e propagandistik nga mediat proruse e serbe, për të ngritur në qiell “rrezikun e Shqipërisë së Madhe”, apo për të nxjerrë nga fondi i shërbimeve secrete ato që quhen “arenali i baltës” apo siç quhen sot fake news-e.

Duhet thënë se edhe pse jemi në fundin e muajit të parë të këtij viti “fatal”, ende nuk po ndjehet një zhvillim i duhur për të shfrytëzuar këtë shans që kushedi kur mund të vijë më apo kurrë.

Pamjet e dhunës së 8 janarit, ngjanin si pjesë e imazheve që ne i kemi parë si zhvillime në vend, sa herë ka pasur ngjarje të rëndësishme, apo kemi qenë para një shansi historik. Si për shembull 12 e 14 shtatori 1998, të cilët ndodhën pikërisht kur po formësohej aleanca pro perëndimore për çlirimin e Kosovës.

Tirana e Prishtina, megjithë një “armëpushimi” në përplasjen e gjatë që ka nisur që në 2018-n, gjithsesi nuk janë afruar aq sa duhet për të qenë në krye të një procesi politik që e ofron momenti.

Ngjarja më e rëndësishme është pikërisht negociatat Serbi-Kosovë që priten të zhvillohen në Uashington, përpara zgjedhjeve të mesmandatit për Kongresin Amerikan. Këto bisedime do të jenë “seanca e dytë” e atyre që u zhvilluan në shtatorin e 2020-ës, në fund të mandatit të Presidentit Trump. Ato bisedime u shoqëruan me kundërshtimin e ashpër të Vetëvendosjes së Albin Kurtit, ku pati edhe akuza e një gjuhë të rëndë ndaj SHBA-së. Tani në Shtëpinë e Bardhë është Joe Biden, të cilin vetë Kurti e deshi.

Është rasti për të mos i ikur përgjegjësisë, e për të bashkuar gjithë politikën, jo vetëm në Kosovë.

Këtë shans e ka bërë të ditur edhe i dërguari Special i Presidentit Biden për Ballkanin, Gabriel Escobar, në intervistën e fundit për VOA.

“Ne do të angazhohemi intensivisht me të dyja vendet. Po, ne do të tregojmë mbështetjen tonë për dialogun edhe me hapa konkrete. Ne do të ndihmojmë, do të punojmë me partnerët tanë evropiane që të realizohet çfarëdo që të vendoset në këtë dialog, në këtë proces të udhëhequr nga BE-ja.

Pra, po, ne do të jemi shumë të angazhuar në proces, por jo vetëm në Serbi dhe Kosovë, por në gjithë rajonin dhe jo vetëm për çështjet politike, por edhe çështjet ekonomike. Ne shohim shumë mundësi për zhvillim ekonomik në rajon, veçanërisht në Shqipëri dhe Serbi, Kosovë dhe Mal të Zi, kështu që ne do të vazhdojmë të punojmë në të gjitha drejtimet”, deklaroi zyrtari i lartë i DASH./ Gazeta "Tema"

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e organizoi Shqipëria finalen e Conference League?



×

Lajmi i fundit

John

SHIFRAT/ Rinia shqiptare e dekujaruar për të gjetur një punë! Prindërit: Janë dembelë, rrinë në kafe! Ekspertët: Duhet edukim karriere që në klasë të 7