Asambleja e zgjeruar opozitare e Sali Berishës sot, aspektin parodik të mbledhjes së personazheve simpatikë në “sofër” e kishte të vetmin lezet. Edhe pse qenia e emrave të tillë si profesor Jenisheri apo Kujtim Gjuzi mund të ketë kritika nga qibarët, fakt është se nuk i prishin aspak punë një opozite koloriti i një ansambli komiko-teatral.
Madje shpesh, në mjedise të mërzitshme e klasike të politikës gjithë hundë e buzë, gjallimi i grupeve piktoreske që në fund të fundit janë pasqyrim i një bote të tyre që është edhe e jona, kjo prezencë është edhe bekim.
Ajo që realisht vuan më shumë jo thjeshte opozita, por mjedisi ynë politik është gjallimi i grimasave tërë hundë e buzë, moralistët fake që ushqehen nga strofkullat më të korruptuara dhe kriminale të politikës, e mbi të gjitha polarizimi dhe gjuhe e urrejtjes, të cilat janë kthyer në problem jo vetëm për opozitën, janë kthyer në problem për shoqërinë.
Krijimi i një realiteti paralel faktesh, ndarja ekstreme e njerëzve duke krijuar transhe të pakalueshme ka bërë që politika jonë nuk komunikon me publikun, por thjeshte lufton në llogoret e veta, duke e lënë qoftë shoqërinë, qoftë publikun në përgjithësi të painteresuar dhe indifferent. Duke arritur që kjo distancë ndoshta ulet ditën e zgjedhjeve ku shkon një pjesë për të votuar, e në shumë raste nuk shkon fare. Dhe sot ne kemi një trupë zgjedhore të përbërë thuajse në 80% të saj nga ushtritë simpatizante të palëve politike.
Në këtë atmosferë, nga opozita, e cila jo thjeshte duhet t përgatitet për të qenë alternativa politike, kemi një frustrim të madh në komunikimin me aktorët e shoqërisë, pore dhe më tej.
Ky frustrim u pa qartë në deklamimin e kandidatit të opozitës për bashkinë e Tiranës, i cili deri dje e konsideronte veten si pjesë e shoqërisë civile, ndërsa sot kërkoi një bashkim apo përafrim të të gjithë aktorëve opozitarë me pahir, ndryshe të mos qahen më.
Kjo kërkesë për dashuri me zor, apo nga halli, ngjan tëpkë me atë thirrjen e dëshpëruar të Sali Berishës ndaj qytetarëve që të dalin në protesta së bashku me të e të rrëzojnë Edi Ramën, ndryshe “ditë më të zeza do të vijnë”.
Një kërcënim alla ashtu që s’po ja themi emrin, por në thelb është një budallallëk me brirë. Duhet të jetë opozita që të krijojë kimi me publikun dhe jo e kundërta.
E kjo kimi nuk krijohet me inat e me kërcënime, por duke folur e krijuar një relacion real. Një relacion të vërtetë, duke dialoguer realisht, e jo imponuar axhendat që i nxjerrin me vrap, si pasojë e halleve ditore që nxjerr frustrimi i familjes Berisha.
Partia Demokratike, në vitet 2004-2005, që brenda kishte si gjithashtu Berishën, por edhe në tryeza Kujtim Gjuzin me shokë, megjithatë arriti të hyjë në komunikim normal me publikun, madje edhe me një pjesë të rëndësishme të së majtës-përkatësisht Partisë Socialiste. Me të cilët bëri aleanca, zgjodhi presidentë e kryeprokurorë, si dhe hanin dreka e pinin kafe me gazetarë e njerëz të medias nga i gjithë spektri. Ishte kjo klimë që i dha një mundësi për të qeverisur, edhe pse nuk arriti të triumfojë politikisht. Ishte braktisja e sharjeve e bullizmit në korridoret e PD nga të fortët e katit të parë të selisë së vjetër për reporterët, sa ishin kthyer ato mjedise në tmerr e bezdi për mjaft gazetarë. Ndaj edhe mediat e mëdha në vend, reporterët e PD-së i zgjodhen nga organet partizanë e paramilitarë të shtypit berishian. Mirëpo kjo eksperiencë i bëri mirë edhe mediave, edhe shoqërisë, pore dhe mjaft gazetarve të cilët u bënë realisht kronistët ekselentë të politikës të së djathtës. Duke nxjerrë më të mirën e tyre, sepse në realitet nuk u ishte dhënë ajo mundësi nga sgëqet paramilitare. Kjo i bëri më mirë edhe pjesës tjetër të shoqërisë dhe medias, shpesh afër të majtës që bëri të komunikonte më njerëzisht me kolegët dhe mendimin e opozitës.
Dhe në fitoren e 2005, kontributi i këtij grupi të konsiderueshëm gazetarësh dhe komentatorësh që vinin nga mjedisi opozitar, është mjaft i rëndësishëm. Me fjalë të tjera, u krijuar dhe aktivizua një process i gjerë dhe kompleks rrethanash dhe atmosfere, që krijoi kiminë e duhur të opozitës me publikun.
Kjo nuk u bë edhe nuk bëhet as me dhunë, as me sharje alla bar në panelet e darkës. Ku paramilitarët e radhës shajnë e anatemojnë cilindo që e quajnë “njeri të Ramës”.
“Incidenti” me Ylli Manjanin, ku një gazetar i këtij medisi i kërkoi që të sulmonte me detyrim “mësuesin e vizatimit”, nuk është aspak një rast. Është pikërisht ky fenomeni i inatit dhe mllefin me pjesën tjetër të botës.
Kërkimi i dashurisë me pahir, ndryshe mos u qani, siç e kërkoi kandidati i Tiranës e ka bërë situatën, aq tragjike sa në realitet kjo që e quan veten opozitë flet me veten. E tregojnë statistikat permanente, ku lidershipin e saj nuk e do mbi 70% e publikut. Ndërkaq, Profët si Pilinçi, Jenisheri apo edhe Gjuzi ngjallin më simpati sesa kalorësit e fytyrave të vërenjtura, që bëjnë sikur janë vërtetë seriozë ngaqë u kanë rënë hallet e opozitës.
Të cilët nuk përdorin as ironinë e as metaforën atë të stilistikës popullore në çmendurinë e paneleve, por vetëm shajnë e nxjerrin shkumë nga goja. Mirë e tha Manjani, ka laksativë sa të duash për shkarkim tensioni përpara emisionit./Tema
Komente










