Ylli Pata: Pse destabilizoi Sali Berishën dorëheqja e Alibeajt?!

Ylli Pata: Pse destabilizoi Sali Berishën dorëheqja e Alibeajt?!

Sali Berisha

Folën vetëm pak persona pas disfatës më të madhe politike që ndonjë politikan ka pësuar në këto 33 vjet në këtë 14 maj. Por nuk është se pati ndonjë valangë reagimesh për Sali Berishën. Larg qoftë për Ilir Metën, i cili duket si nje mish i huaj në konfiguracionin politik, pavarësisht se ka korrur këshilltarë me okë. Zërat nga oborri berishjan për largimin e tij u trashën, më shumë si një argument për të mbytur atë që ka ndodhur realisht më 14 maj e që është ulëritëse; një zhvillim tredimensional politik. Në numër bashkish, në vota kombëtare e natyrisht në humbjen e bastioneve-kështjella.

Por akti më i rëndësishëm politik që ka trazuar ujërat në opozitë është dorëheqja e Enkelejd Alibeajt. Njeriut që mbajti fort për 2 vjet një strukturë politike nën breshëri, e cila e dërrmuar, me vetëm strukturat e saj ka marrë 100 mijë vota më 14 maj. Nëse do të nxirrte kandidatët e saj, këto vota do të shumëzoheshin me 10 për të paktën numrin e kandidatëve. Po tjetër mesele. Largimi i Enkelejd Alibeajt, ka zhvendosur qendrën e gravitetit politik në opozitë, si nga foltorja, si nga PL-ja. Të gjithë tani i janë turrur “Partisë së Vulës”. E do Gazmend Bardhi, i cili kërkon të bëjë komandimin e të komanduarit, duke tentuar një puç të përmasave skandaloze. Madje thonë se ka projektuar Ervin Salianjin si kryetar të grupit parlamentar të PD-së.

Ndërkohë që ky i fundit, ka qenë një zyrtar politik i “Bashkimit për Fitore” më 14 maj, e vetë Gazmend Bardhi ka thyer hapur etikën e vijën e PD-së, duke bërë fushatë për Zef Hilën e BF-së në bashkinë Vau i Dejës, kur PD kishte kandidaten e saj.

Nëse ka njeri që duhet larguar me ceremoni nga Partia Demokratike, është Gazmend Bardhi, por edhe të gjithë kolegët e koleget e tij që ndaluan PD-në që të garojë më 14 maj, për të mbështetur kandidatët e Sali Berishës e Ilir Metës. PD-ja, aq vota sa i mori, i mori pa Gaz Bardhin, pa Jorida Tabakun, pa Dhurata Çupin, e natyrisht pa Ervin Salianjin që e kishte kundërshtar.

Por këto janë thjesht lëvizje të dëshpëruara, pasi të gjithë këto emra e dinë që janë jashtë PD-së prej kohësh. PD-në e ka në dorë dhe e ka ruajtur një trupë politikanësh territor siç janë kolegji i kryetarëve. Të cilëve ju ndalua nga partia e tyre që të kandidojnë në vendet ku ata operonin politikisht. Një absurd. Por në thelb ata rezistuan. Morën 100 mijë vota. Aq sa mori Ilir Meta me LSI-në e tij kur ishte president dhe pretendonte se kishte me vete “popullin e 2 marsit”.

Pas 14 majit, peshën e humbjes nuk e ka PD-ja zyrtare, sepse Bardhi, Salianji, Çupi e Tabaku me shokë, menduan që kështu do të ndihmonin për të ashtuquajturin “bashkim”. Natyrisht e kishin fjalën për “Bashkimin për Fitore”, i cili pësoi fjaskon olimpike. E sotnë vend që BF-ja të hynte në proces katharsisi politik, këtë po e bën PD-ja, që në fakt e kishte paralajmëruar një manovër e tillë.

Duke u kthyer në një qendër nevralgjike e energjisë politike opozitare. Këtu pastaj luhet gjithçka sepse do të ketë patjetër një proces ku mund të hyjnë hijena e çakej, por gjithsesi aty Sali Berisha nuk hyn dot. E ndaj po tenton të bëhet factor me zor, alla shabanqose, kur askush nuk ja kërkon një gjë të tillë.

Sali Berisha prej majit 2021 nuk është relevant në opinionin ndërkombëtar, ka humbur më pas edhe legalitetin politik duke u endur prej dy vjetësh në kërkim të një vule, që ja ka dhënë me qira Ilir Meta, e sot ai nuk mundet dot që të kyçet në proceset politike reale. Natyrisht mund të dalë në konferenca, emisione e panele, të nxisë ankora televizive ta mbajnë me gajret, por në realitet nuk hyn dot në asnjë proces qoftë parlamentar, qoftë ndërkombëtar.

Pas 14 majit, Sali Berisha nuk e ka këtë shans as duke u fshehur pas vulës së një kryetari bashkie, e as këshilltarësh bashkiakë, pasi ata i ka në dorë Ilir Meta. Berisha është sot, askushi politik në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale. Nuk e ka mundësinë të shtyjë një proces. Ndaj është tmerruar nga dorëheqja e Alibeajt, pasi PD-ja do të kthehet në një qendër potenciale e një galvanizimit opozitar. A do t’ja dalë apo jo do ta vërtetojë koha, por ajo ka letrat e duhura dhe është nën monitorimin ndërkombëtar për ta bërë këtë. Berishës nuk ja vërshëllen as Laçi e Mamurrasi. Votuan për Partinë Socialiste…

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Kërkoi leje për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës, Gjykata e Lartë nuk pranon rekursin e Fredi Belerit

Kërkoi leje për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës, Gjykata e Lartë nuk pranon rekursin e Fredi Belerit