Ylli Pata: Pse po dalin parti te reja në opozitë?

Ylli Pata: Pse po dalin parti te reja në opozitë?

Arbi Agalliu dhe Enkelejd Alibeaj

Tashmë po zyrtarizohet krijimi i një partie të re të ish- aleatëve të Lulzim Bashës në PD. Duket që Enkelejd Alibeaj, ndoshta edhe Roland Bejko e të tjerë, kanë vendosur që të dalin me një sigël të re përpara militantëve të PD-së, apo votuesve.

Çfarë mund të sjellë ky fragmentarizim apo copëtim i politikës në termin afatshkurtër që janë zgjedhjet parlamentare të 2025-s, e në atë afatgjatë?

Duket qartë se tentativa e Sali Berishës pas shpalljes non grata për të marrë partinë e trazuar të gjithë superstrukturën e saj politike që doli nga zgjedhjet e 2021-sit, ka çorientuar shumëçka dhe mbjellë kaosin.

Por nga ana tjetër, ky kaos është edhe një mundësi e artë për të ngritur një opozitë të re dhe të aftë që të kthehet në shpresë për “popullin opozitar”, por edhe alternativë përballë mazhorancës aktuale të Edi Ramës.

Është shumë e qartë se pse dalin në vete parti e grupe brenda opozitës: ata nuk ndjehen mirë, e nuk kanë mundësi që të shprehin dhe vendosin atë që mendojnë aty ku ndodhen. Si në një familje të madhe, ku sa krijojnë kurora të reja apo familje të vogla, ata vendosin që të jetojnë në vete.

Ka dy modele politike në botë. Modeli i partive të mëdha që grubullojnë rreth vetes rryma të ndryshme, fraksione të shumta, lobe të llojllojshme apo popullsi e komunitete laramane, si dhe modeli i federatave apo aleancave politike që bashkojnë rreth vetes parti të ndryshme politike të vogla apo të mesme.

Konventa që sapo u mbyll e demokratëve amerikanë në Çikago, na tregoi pikërisht modelin e një partie të madhe, ku një mori rrymash e konceptesh jo vetëm politike, por edhe gjeografike e racore bashkohen së bashku rreth një ideje e kandidati politik. Në këtë rast në një kandidat për President të SHBA.

Të majtët radikalë të Berni Sanders apo Alexandria Ocasio-Cortez, centristët e majtë të Barack e Michelle Obama, centristët e “Rrugës së Tretë” të Bill Clinton, apo të moderuarit drejt së djathtës së Joe Biden e Leon Panetta, të gjithë shpalosën jo vetëm mbështetjet e tyre për Kamala Harris. Por treguan idetë e tyre politike që përfaqësojnë, të cilat do t’i shtyjnë për të fituar më shumë hapësirë në administratën e re nëse fiton andidatja e tyre, e në zgjedhjet për kongresmenë e Senat, të cilat zhvillohen njëkohësisht me zgjedhjet presidenciale.

Partia Demokratike Amerikane ka pasur historikisht brenda saj rryma që shkojnë nga trockistët e anarkistët, deri tek qendra e djathtë. Por edhe në Partinë Republikane Amerikane ka pasur mjaft rryma, madje sot ajo parti është hapur edhe më shumë tek një pjesë qytetarësh që nuk kanë votuar kurrë.

Ndërkaq, mjaft nga ajo që quhet “klasa punëtore” e Rust Belt është jo vetëm elektorat besnik i Partisë Republikane të Donald Trump, por është kthyer edhe në ideologji, së bashku me konsiracionistët dhe ekstremistët e grupimeve indipetendtiste në jug të SHBA.

Që të bashkëjetojnë kaq shumë rryma në një parti të madhe, duhet të ketë një fuqi sovrane që i mban bashkë të gjithë: rregullat e shenjta e të paprekura dhe vota e brendshme që të zgjjedhë shumicën relative apo absolute, si dhe respektimi i pjesës që mbetet në pakicë.

Në Itali, liderja e opozitës, Elly Schlein, përkatësisht Sekretarja e Partisë Demokratike(e së majtës), u zgjodh nga primaret, përballë shefit të saj në rajonin e Bolonjës.

I cili mori shumicën e votave të anëtarësisë së partisë, kurse Shclein mori shumicën e votave të mbështetësve të së majtës. Të cilët përpara primareve u regjistruan si votues. Partia Demokratike Italiane, është e vetmja parti në Europë, ku votojnë sipas parimit “Një anëtar, një votë” edhe simpatizantët. Në partitë e tjera, ku përdoret ky parim, votojnë vetëm anëtarët e regjistruar të partive përkatëse.

Megjithatë, edhe në vendet ku demokracia e brendshme është në nivel të lartë, jo gjithmonë grupimet mbesin së bashku. Në opozitën italiane për shembull, edhepas ardhjes së Elly Schlein, gjallojnë fraksione të shumta të së majtës si ajo e ish-Kryeministrit D’Alema, ish-kryeministrit Renzi, ish-ministrit Calenda, apo ish-ministres dhe europarlamentares legjendare Emma Bonino. Si dhe grupime të tjera që udhëhiqen nga Presidenti i rajonit të Campanjas, Vincenzo De Luca, Presidenti i rajonit të Puljas, Michele Emiliano etj etj. Të gjithë këto grupime janë e përfaqësojnë zëra të ndryshëm dhe që sjellin vota në një thes nësë rrijnë bashkë, por që shkaktojnë humbje të mëdha nëse përçahen.

Giorgia Meloni, e cila, po tregon se është një mjeshtre e taktikës politike, tentoi të përçante të majtët që debatojnë pafund mes vetes përpara zgjedhjeve europiane. Duke shfrytëzuar hetimet që po zhvilloheshin në bashkinë e Barit, për ta shkarkuar kryetarin e bashkisë dhe trazuar “feudin” politik të Emiliano-s, një ish-prokuror karizmatik që zgjidhet thuajse pa ndërprerë që prej 20 vitesh.

Michele Emiliano thirri mbështetësit e tij në sheshe për ta mbështetur dhe mori menjëherë OK e tyre. Duke i dhënë mesazh edhe lideres së opozitës, por edhe kryeministres se ai nuk është “njeri pa njeri”, por një lob politik.

Shchlein, me një kujdes kirurgjikal arriti të mbajë bashkë të gjithë, ose thënë më mirë sumicën e shpirtrave të opozitës dhe arriti që në zgjedhjet europiane të qershorit të rriste pikët.

Krijoi kështu atë që ajo e quajti “Campo Largo”(Koalicioni i gjerë), i cili pas zgjedhjeve europuiane u zgjerua menjëherë me parti të tjera si Renzi, Bonnino, Calenda, etj etj.

Pikërisht ky model, pra i një koalicioni të gjerë politik mund të funksionojë në Shqipëri në opozitën e fragmentarizuar shqiptare. Por që të nodhë kjo, partia më e madhe, ose grupi më i rëndësishëm duhet të zgjedhë një lider ose kandidat për kryeministër që i bashkon të gjithë. Sali Berisha, Ilir Meta, apo edhe kolonelët që mbajnë ata rrotull jo vetëm që s’bashkojnë, por siç tregoi pakti i fundit me mazhorancën i Berishës për mbylljen e listave ka hedhur bombën brenda së djathtës. Duke shuar çdo shpresë ku vota mund të çojë përpara ambicjet politike. Vetëm nëse ndodh kjo, pra një lider që i bashkon të gjithë, atëherë edhe mund të krijohet një koalicion i gjerë. Që bashkohet në zgjedhje apo në qeverisje, me interesa dhe synime që i ndajnë së bashku. Modeli i partive të mëdha, që gjithnjë e më shumë po kontrollohen nga një dorë, duket se nuk funksionon.

Madje, ky model, pr ai shumë partive në një aleancë të gjerë, edhe mund të vijë në politikën shqiptare si një ide anti-PS e cila është një parti e komanduar nga Edi Rama.

Por që të ndodhë kjo, duhet një politikë profesioniste dhe e zgjuar në përmbajtje dhe në formë, e jo kakofoni studiosh. Duhet një vizion dhe një aleancë idesh dhe njerëzish që të konkurrojnë në mënyrë që secila parti e vogël të sjellë njerëzit e saj në thesin e madh të koalicionit. Kështu ndodh kudo./ Tema

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarjet e fundit në vend ju shqetësojnë për nivelin e sigurisë?



×

Lajmi i fundit

Në arrati pas sherrit me personazhin e Tik-Tok, Stresi publikon foto duke udhëtuar me makinë

Në arrati pas sherrit me personazhin e Tik-Tok, Stresi publikon foto duke udhëtuar me makinë