Ylli Pata: Riformatimi i drejtësisë së re, prova e re për Lulzim Bashën

Ylli Pata: Riformatimi i drejtësisë së re, prova e re për Lulzim Bashën

Lulzim Basha

Lulzim Bashës i rikthehet në duart e tij shansi që e humbi në vitin 2016 në lidhje me reformën në drejtësi, e cila mbështetet nga SHBA dhe BE.

Trupat e vettingut të gjyqtarëve e prokurorëve, si dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, kanë nevojë të riformatohen me Kushtetutë, pasi afati 5 vjeçar i tyre skadon, por misioni i tyre ende nuk është kryer.

E gjitha ka ndodhur pasi, si pasojë e kundërshtimit të Partisë Demokratike dhe aleates së dikurshme të saj LSI, procesi i filtrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga Trupat e Vettingut dhe nga ONM-ja nisi dy vjet me vonesë.

Nëse dikush e ka harruar, kjo vonesë ndodhi pasi PD çoi në Kushtetuese e më pas në Venecia të gjithë ligjet e korpusit të reformës në drejtësi, përfshirë vettingun. Proces që u shoqërua me polemika e lajme&interpretime të rreme, sipas të cilave “Venecia e kishte hedhur poshtë vettingun”, gjë që s’ishte e vërtetë, por edhe me bllokime politike që nisi me çadrën e vitit 2017, e natyrisht bllokadën e vjeshtës së 2017-s me rastin “Tahiri” apo revoltën për të mbajtur në detyrë Adriatik Llalën, kur atij i kishte mbaruar mandati.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim theksoi se po diskutohet nga grupet ndërkombëtare të ekspertëve se cilat nga opsionet do të shikohen si më të mirat; zgjatja e mandatit të trupave të vettingut, apo kalimi i kopetencave të tyre nga KLGJ e KLP. Edhe nëse ndodh kjo e dyta, të dyja këto institucione do të duhet të riformatohen nga Parlamenti.

Pra PD është e thirrur si në vitin 2016 për të marrë pjesë në një proces ku ajo është bashkëaksionere që në fillim, por që e la në mes, me synimin për ta sabotuar. Por ekspertët kishin hartuar edhe rastet e tilla për të mos e hedhur procesin në erë.

Deri tani, Partia Demokratike nuk ka dhënë një qëndrim të vetin, edhe pse ka pasur një ftesë të hapur nga mazhoranca, por edhe sinjal nga ndërkombëtarët.

Ndërkaq, qarqe mediatike pranë Sali Berishës, kanë dhënë mesazh të qartë se nuk duhet që PD-ja të pranojë që të zgjatet afati i ONM-së dhe trupave të vettingut, por të pranojë që këtë proces ta ndjekin KLGJ dhe KLP.

Por a do të jetë edhe kjo çështje pjesë e përplasjes që po ndodh në PD ndërmjet Sali Berishës dhe Lulzim Bashës? Sipas të gjitha gjasave po, ngaqë doktori i cili kundërshton hapur vendimin e SHBA ndaj tij, e elaboron fort tezën e kundërshtimit të reformës në drejtësi, që e konsideron “vegël të Edi Ramës dhe Sorosit”, tema e riformatimit të trupave të vettingut do ta dobësojë dukshëm pozicionin e Lulzim Bashës.

Por si në rastin e Berishës, ai nuk ka zgjidhje tjetër; i takon të vendosë se si opozita mendon mbi reformën në drejtësi.

Është fakt, që Basha ka një shans shumë të madh për vete me rastin e ndryshimit të Kushtetutës, ku hapet një “front” i madh për të bërë ndryshime të tjera në ligjin themeltar të shtetit, sipas kërkesave të opozitës. Edi Rama nga ana e tij e ka hapur fort krahun për këtë çështje.

Megjithatë, në sytë e shqiptarëve ky është vetëm një debat banal politik. Pesë vjet nga reforma në drejtësi, njerëzit presin që SPAK të hapë “kutinë e pandorës” mbi pasurinë e “Peshqve të Mëdhenj” të Politikës shqiptare. Nëse do të vijohet me cic mice dhe pa një të paktën transparencë se sa të pasur janë vip-at e politikës prej përdorimit të pushtetit, e gjithë kjo sakrificë e steapacim do të rezultonte një zhgënjim i madh/TemA

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë