Yzeiri: Nga koloneli Tomson te Luigi Soreca

Yzeiri: Nga koloneli Tomson te Luigi Soreca

Çdo krahasim çalon dhe, në këtë rast, analogjia mes kolonelit holandez Lodewijk Thompson dhe Ambasadorit të Delegacionit Europian, zotit Luigi Soreca, ndoshta nuk është e plotë, megjithatë ka një thelb të përbashkët.

Në vitin 1913 Fuqitë e Mëdha i kërkuan Holandës që të dërgojë në Shqipëri një mision ushtarak për të organizuar xhandarmërinë shqiptare dhe në vendin tonë, më 10 nëntor 1913, mbërriti koloneli Thompson. Në vitin 1914 plasën revoltat, që, siç dihet, kishin nisur qysh në vitin 1913 dhe pastaj, një vit më vonë, përfshinë gjithë vendin.

Gati 100 vjet më vonë,në Shqipëri që nga viti 1993 vepron Zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian, që sot është në rang ambasade, e cila ka për mision të punojë me qeverinë shqiptare në mënyrë që vendi ynë të arrijë qëllimin final që është anëtarësimi në BE.

Pra, në qoftë se koloneli Thompson u thirr që të ngrinte strukturën e xhandarmërisë shqiptare për të siguruar rendin dhe qetësinë në një shtet të ri, Delegacioni Europian, që në këtë rast përfaqësohet nga ambasadori Luigi Soreca, është dërguar që të mbikëqyrë dhe të ndihmojë rregullimin ligjor të jetës në demokraci, në mënyrë që edhe ne të realizojmë ëndrrën e gjatë dhe të lodhshme të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Por, çfarë po ndodh?

Duke parë këto ditë patetikën banale me të cilën sulmohet dhe fyhet ambasadori Soreca, m’u kujtua kjo analogji me kolonelin Thompson dhe ata artistë e karikaturistë që mblidhen e zgërdhihen në Teatrin Kombëtar, m’u dukën si ato bandat që kishin rrethuar Durrësin në Kodrat e Rrashbullit.

Në një pikëpamje, Shqipëria pak ka ndryshuar nga ajo që ishte në vitin 1914. Edhe atëherw Beqir Grebeneja sulmonte qeverinë e Vlorës, Esad Toptani mbante të rrethuar Durrësin dhe, si të mos mjaftonte kjo, ngrihet edhe Haxhi Qamili dhe i vë vulën shkatërrimit.

Ja, shikoni se ç’po ndodh sot. Lulëzim Basha, Monika Kryemadhi dhe Sali Berisha si ato fosilet e Grebenesë dhe të Esad Toptanit kanë dalë nga binarët institucionalë dhe kërkojnë kaos. Ilir Meta, jo si president, por si një zjarrvënës ordiner, nxjerr dekrete, pastaj i çdekreton të parat dhe cakton brenda pesë muajsh dy palë zgjedhje. Lulëzim Basha shkon qytet më qytet dhe thotë se bashkitë do t’i mbrojmë me jetën tonë. Dhe si të mos mjaftonte e gjithë kjo, një grup aktorësh dhe karikaturistësh kanë vendosur të bëhen heronjtë e mbramë të kauzës së godinës së TK-së. Është e drejta e tyre të bëhen heronj dhe martirë, por duhet të kuptojnë se më parë ai institucion është pronë publike dhe vlerësimi për të bëhet mbi kritere kulturore e ligjore. Dhe në qoftë që ka një vullnet të një shumice për një zgjidhje, pjesa tjetër nuk mund të marrë armët e vetëflijimit dhe të kaosit.

Në gjithë këtë zallamahi e në këtë kaos, Luigi Soreca, si përfaqësues i Bashkimit Europian, është deklaruar kur ia kanë kërkuar se BE-ja kërkon respektimin e ligjit. Kaq. Problemi i TK-së është problemi juaj, – është shprehur ai. Ne interesohemi që, nga pikëpamja ligjore, të gjitha transaksionet të jenë në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe me këshillimet dhe orientimet e BE-së.  Vetëm kaq.

Mirëpo ndaj tij janë vërsulur të gjithë kwta artistë dhe karikaturistë si për të na kujtuar edhe njëherë gazin dhe zdërhalljen që ndienin haxhiqamilistat kur sulmonin qeverinë e Princ Vidit që ishte dërguar nga Europa.

Sindroma që i ka kapërthyer kwta artistë e karikaturistë për të anatemuar Luigi Sorecën si dhe patetika e opozitës dhe Ilir Metës kundër BE-së dhe Amerikës, vjen prej së largu. Te Europa, te Amerika, të përfaqësuesit e saj në Shqipëri, për fat të keq, PD-ja dhe tani në fund edhe artistët dhe karikaturistët e TK-së projektojnë gjithmonë armiqtë e tyre.

Ditë më parë, edhe një ish-ministër i LSI-së i tha me cinizëm «Udhë e mbarë  dhe marrsh me vete edhe të tjerë ambasadorë!» ish- ambasadores gjermane së cilws i mbaroi mandati.

Ambasadori Soreca nuk ka përse të shqetësohet nga sulmet dhe fyerjet që i bëhen nga aktorët e kaosit politik në Shqipëri. Ai duhet ta dijë se njëherë në 100 vjet shqiptarët luajnë nga binarët institucionalë, sepse jehona e të parëve si Beqir Grebeneja, Esad Toptani apo Haxhi Qamili, rri zgjuar në nënvetëdijen arbërore./tema

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë