Zaloshnja: Produktiviteti dhe inflacioni, ndërthurja e tyre aktuale në Shqipëri

Zaloshnja: Produktiviteti dhe inflacioni, ndërthurja e tyre aktuale në Shqipëri

Foto ilustruese

Produktiviteti është një tregues ekonomik që mat sasinë e Produktit të Brendëshëm Bruto të prodhuar mesatarisht nga çdo punonjës i një vendi. Ndërsa inflacioni është treguesi ekonomik që mat rritjen e çmimit mesatar të shportës së mallrave dhe shërbimeve të konsumuara nga familjet e një vendi. Ndërthurja mes produktivitetit dhe inflacionit është e mirëanalizuar në literaturën ekonomike botërore

Në takimin e rradhës së Bankës Botërore e FMN-së me autoritetet financiare shqiptare, u theksua se produktiviteti dhe inflacioni janë dy shqetësime aktuale për ekonominë tonë. Po si janë ndërthurur këto dy probleme në Shqipëri gjatë viteve të fundit?

Produktivitetieko

Sipas OCDE, në vendet ku jetgjatësia mesatare është mbi 70 vjeç (edhe Shqipëria është një ndër këto vende), shtetasit e grupmoshës 30-55 vjeç janë statistikisht më produktivët – njohuritë dhe përvojën e akumuluar ata i vënë në punë, për të realizuar një jetesë sa më komode për vete e për familjet e tyre.

Në Shqipëri, si rezultat i dallgëve të emigracionit në tri dekadat e fundit, ka më shumë shtetas të kësaj grupmoshe jashtë vendit, sesa brenda vendit. Këtë e demonstron një studim i INSTAT-it për situatën e emigracionit deri më 31 dhjetor të vitit 2019 (lexo këtu: https://www.instat.gov.al/media/7848/diaspora-ne-shifra-2020.pdf ). Sipas këtij studimi, pothuaj 1.7 milionë shtetas shqiptarë jetonin jashtë vendit në fund të vitit 2019, dhe shumica e tyre i përkisnin grupmoshës 30-55 vjeç. Nga ana tjetër, ndër shtetasit shqiptarë që jetonin këtu, kjo grupmoshë përbënte pakicë.

Një krahasim pamor i pemëve demografike të shtetasve të këtushëm me atë të shtetasve shqiptarë në emigracion (shihni Figurën 1 e Figurën 2 më poshtë), e bën të qartë problemin lidhur me këtë grupmoshë. Pema demografike e shtetasve të këtushëm është e holluar në mes (tek moshat 30-55 vjeç), ndërsa pema demografike e shtetasve shqiptarë në emigracion është e zgjeruar në mes (tek moshat 30-55 vjeç). Gjë që demostron se në fund të vitit 2019, shtetasit shqiptarë të grupmoshës më produktive ishin më shumë jashtë vendit se sa brenda vendit.

Inflacioni

INSTAT-i llogarit çdo muaj Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, i cili përdoret për të matur luhatjet e çmimit mesatar të shportës së mallrave dhe shërbimeve të konsumuara nga familjet shqiptare (harmonizuar me metodologjinë që përdor Eurostat-i). Nga krahasimi i vlerës së këtij indeksi në fund të vitit 2019 me fundin e vitit 2023, rezulton se çmimi mesatar i shportës së mallrave e shërbimeve në Shqipëri u rrit me 18.5% gjatë viteve kur pandemia Covid-19 dhe luftrat në Ukrainë e në Gaza sollën një rritje të përgjithshme të çmimeve kudo (si rezultat i çrregullimeve në sistemin global të lëvizjes së mallrave dhe lëndëve të para nëpër botë).

Por në Shqipëri efekti i këtij inflacioni disavjeçar u ndje më i fortë, sepse çmimi mesatar i ushqimeve dhe pijeve joalkolike, që përbëjnë plot 1/3 e shportës së mallrave dhe shërbimeve të konsumuara nga familjet shqiptare, shënoi një rritje prej 33.6%. Në veçanti, perimet e patatet u rritën plot 59% gjatë kësaj periudhe, ndërsa qumshti, djathi e vezët u rritën pothuaj 42%.

Ndërthurja inflacion-produktivitet

Siç e përmenda më sipër, sipas vlerësimit statistikor të INSTAT-it, pothuaj 1.7 milionë shtetas shqiptarë ishin në emigracion në fund të vitit 2019. Ndërsa sipas një vlerësimi tim statistikor në fund të vitit 2023, kjo shifër shkoi përafërsisht në 2 milionë (lexo këtu: https://shqiptarja.com/lajm/zaloshnja-tri-dallget-e-emigracionit-1-milion-05-milion-05-milion).

Gjatë këtyre katër viteve të fundit (siç analizova më sipër), kemi patur një rritje galopante të çmimeve në përgjithësi (18.5%), e sidomos në kategorinë e ushqimeve (33.6%). Në këto kushte, shtetasit e këtushëm afër apo mbi moshën 30 vjeç mund ta kenë konsideruar të vështirë krijimin apo mbajtjen e familjeve të tyre me rrogat që vetëm vitin e fundit kanë filluar të rriten.

Se sa nga shtetasit më produktivë shqiptarë kanë mbetur në vend e sa kanë shkuar në emigracion, do ta mësojmë konkretisht në qershor, kur të publikohen të dhënat zyrtare të Censit. Por gjasat janë që pema demografike e shtetasve të këtushëm ta ketë vazhduar hollimin në mesin e saj (tek moshat 30-55 vjeç). Pra, që produktiviteti i shoqërisë të jetë ulur nga pikpamja demografike.

Për të ndaluar këtë rrjedhje demografike të produktivitetit, duhet që Qeveria dhe Banka e Shqipërisë të ndjekin politika të ndërthurura fiskale-monetare-valutore, në mënyrë që të stimulohet prodhimi vendas nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, të mbahet nën kontroll inflacioni. Vendet e reja të punës me pagë të mirë këtu japin shpresë për moslargimin e shtetasve nga vendi, ndërsa inflacioni i ulët jep shpresë për përballimin e kostos së jetesës me pagat shqiptare.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja