Zbulohet shoqëria e sazeve që mori
pjesë në dasmën e Ahmet Zogut

Zbulohet shoqëria e sazeve që mori<br />pjesë në dasmën e Ahmet Zogut
TIRANE- Ato quheshin sazet e “Demkës dhe Hajros”, babë e bir, këngëtarë të shquar të sazeve të Korçës në vitet ‘20-‘40 të shek. XX dhe interpretues virtuozë në violinë. I pari është Hajroja me violinë (babai i Demkës), dhe para tij ishte i ati i Hajros-Ibrahimi me violinë.

Hajroja hodhi i pari farën që brenda familjes së tij të mbinte shoqëria e sazexhinjve “Demka & Hajro”. Vitet intensive të veprimtarisë së Hajros si sazexhi përfshihen ndërmjet 1890-1920, së bashku me Qamilin e Famës, Arifin me llautë dhe këngëtar etj. Përveç krijimit të shoqërisë “D&H”, Hajros i njihet edhe krijimi dhe interpretimi i “Të qarës së Hajros” apo “Kabaja e Hajros”, e cila mbahej si himn i asaj kohe.

Hajroja vdiq më 1920. Të tre djemtë e tij, duke filluar me Demkën, Shefkën dhe Rushanin, u bënë sazexhinj të njohur të viteve 1920-1950. Demka renditet ndër më të shquarit sazexhinj të qytetit të Korçës (1920-1950). Vazhdoi traditën e të gjyshit dhe babait të tij, dhe së bashku me sazet e Cilo Qorit patën ndikimin më të fuqishëm për konsolidimin e muzikës popullore qytetare korçare. Ishte aq i njohur për vlerat e tij, saqë shoqëria “D&H” u bë formacioni i parë popullor që mori pjesë në një ceremoni mbretërore, siç ishte dasma e Mbretit Zog.

Po me sazet, Demka gjatë një turneu në Itali në vitin 1938 zgjoi interesin e shoqërive diskografike italiane dhe afirmoi veten si një virtuoz i llojit të tij. Ky është tregues i një cikli të plotë që tradita të përcillej më tej. Në vitet ’20, Demka ka patur në sazet e tij Xhemal Gajden nga Përmeti me violinë, Qamilin e Famës me gërnetë, Kiço Podën, Malkën, Qerimenë me dajre dhe këngëtare, Sherifin me llautë etj.

Ndikimi i muzikës me sazet e qytetit të Korçës si dhe në përgjithësi i sazeve të Jugut do të konstatohet më vonë edhe në interpretimet e këngëtarëve lirikë si Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko apo dhe të kompozitorëve si Thoma Nasi, Kristo Kono etj. Regjistrimet e shoqërisë “Demka & Hajro”- Korçë janë realizuar pranë firmës diskografike “ODEON”.

Regjistrimet pranë “ODEONIT”:

“Bej me se ma munde Qyqen”- kënduar prej Çobanit.

“Ibrahimi i Tepelenës”- kënduar prej Çobanit.

“As o Perëndi më bëj një Pasha”– kënduar prej Çobanit.

“Pare kush ta preu fustanë”.

“Edhe gurët e sokakut”- kënduar prej Çobanit

“Kënga e Hajros (Rrush kuq i bardhë)”.

“Përmbi Tepelenë ma kishe shtëpinë”.

“Ky Bilbil ç’ësht një zog”- kënduar prej Çobanit.

“Gjarpërushkë e malit (gërnete)- lojtur prej Qamilit.

“Kënga e Çerçiz Topullit- Ibrahim Leskoviku.

“Kënga e Mahmudisë- kënduar prej Çobanit.

“Në merak më shkoi jeta”- Ibrahim Leskoviku.

“Dyshe Berati (valle)”- lojtur prej Rushanit

“Kanga e Jorgaq Beut” -Kënduar prej Çobanit

“Valle Devollice”-lojtur prej Qamilit

“Ali Pasha”, “E qarë e Malkës” (Gërnetë)-Lojtur prej Qamilit

“Atje ku gjendet bukuria”-Ibrahim Leskoviku

“Valle Dule Beut” (Vllahçe) -lojtur prej Qamilit

“Ti moj syçkë vetull gjërpërë” -kënduar prej Çobanit

“Valle kolonjarçe”-lojtur prej Rushanit

“Në cipë të shamisë, lidhur një flori”-kënduar prej Çobanit

“E qara e Hajros”, -lojtur prej Rushanit

“Behari ç’u lulëzua”, -kënduar prej Ibrahim Leskovikut

“E qara e Malkes te Merenkes”-lojtur prej Rushanit

“Po si Fleta Engjëll i Zotit”-Ibrahim Leskoviku

“Qan e ama të birë” -lojtur prej Rushanit

“Si kur më nxjerr xhevahire”, -kënduar prej Çobanit

“Avazi i Abidim Dudumit” lojtur prej Rushanit

“Zogë ku më qenke ritur” -kënduar prej Çobanit

“Me të qarë me gërnetë” -lojtur prej Qamilit

“A po pëlcas”-kënduar prej Ibrahim Leskovikut
 
 Shkrimi u publikua sot (01.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar