Kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, e ka cilësuar zgjedhjen e Endri Shabanit si Avokati i Popullit, si të paligjshme.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi ka akuzuar kryeparlamentarin Niko Peleshi për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh gjatë procedurës së zgjedhjes së Avokatit të Popullit.
Bardhi deklaron se Peleshi i paraqiti Kuvendit një kandidat të rremë, i cili sipas tij nuk kishte asnjë firmë të vlefshme deputeti për t’u futur në votim, ndonëse ligji kërkon të paktën 28 nënshkrime.
Bardhi njofton se ka autorizuar ekipin ligjor të PD për të përgatitur kallëzim penal ndaj Peleshit dhe kujtdo tjetër të përfshirë në këtë proces, ndërsa paralajmëron se grupi parlamentar do të kërkojë edhe shqyrtimin e procedurës në Gjykatën Kushtetuese.
'Nëpërmjet falsifikimit të akteve parlamentare, Niko Peleshi i paraqiti dje Kuvendit të Shqipërisë për votim si kandidat të rrejshëm për Avokat të Popullit një njeri që nuk kishte mbështetjen me firmë të vlefshme të asnjë deputeti të vetëm, jo më të 28 deputetëve siç ligji kërkon për hedhjen në votim. Pikërisht duke shpërdoruar detyrën, Kryetari i Kuvendit përmbushi ambicien e sëmurë të Edi Ramës për të kapur çdo pushtet, përfshirë institucionin e fundit kushtetues që nuk ishte nën kontrollin e qeverisë. Mirëpo këtë herë Kryetari i Kuvendit ka tejkaluat çdo limit, duke keqpërdorur firmat e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë që ishin tërhequr nga propozimi i projektvendimit përkatës. Askush nuk mund të përdor jashtë vullnetit të tyre nënshkrimet/propozimet e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Prandaj sot, kam autorizuar menjëherë ekipin ligjor të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që të përgatisë kallëzim penal për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim të dokumenteve” parlamentare në bashkëpunim për Kryetarin e Kuvendit Niko Peleshin, dhe çdokënd tjetër që ka rol në këtë akt të paprecedent të Kuvendit. Ndërkohë që do të kërkoj nga grupi parlamentar autorizimin përkatës për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të verifikuar zgjedhjen e Avokatit të Popullit përmes një procedure parlamentare tërësisht të paligjshme.
Grupi Parlamentar i PD ka qenë dhe mbetet i vendosur që zgjedhja e organeve kushtetuese duhet të bëhet sipas një procedure transparente, gjithëpërfshirëse dhe që garanton pavarësinë e këtyre institucioneve, sikurse Raport Progresi i Komisionit Europian nënvizon. Vetëm kështu Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Europian. Përndryshe provohet se kemi kaluar edhe zyrtarisht në një parti-shtet!', shkruan ai.
Endri Shabani u zgjodh dje Avokati i ri i Popullit dhe do të zëvendësojë Erinda Ballancën, e cila 3 vitet e fundit ishte me mandat të mbaruar. Ai u zgjodh pas një seance maratonë ditën e djeshme me 85 vota pro të socialistëve dhe të socialdemokratëve.
Komente












