Më 26 maj, anëtarët e Partisë Demokratike do të votojnë për kryetarin e ri. Deri më tani i vetmi në garë është Sali Berisha, ndërsa të tjerët që kanë shpallur dëshirën për të kandiduar, si rasti i Salianjit apo Evi Kokalarit, pritet të mos lejohen me argumentin se nuk janë anëtarë të partisë.

Për të diskutuar për këtë çështje, e ashtu si dhe për zgjedhjet lokale 2027, në ‘Sot, Live në Shqipëri’ në Report Tv ishte drejtuesi i Departamentit ‘Brain Gain’ në PD Tedi Kopliku dhe gazetari Ermal Peçi.

Tedi Kopliku tha se askujt nuk i është mohuar e drejta për të garuar përballë Berishës, por mospasja e një tjetër kandidature deri më tani, është fakti se nuk është e lehtë për të mundur liderin historik të kësaj partie.

“Çdo kush është i lirë të kandidojë përballë Berishës. Lideri historik nuk është i lehtë për tu mundur. Gara për këdo që do të tentonte të munde Berishën, nuk është  e zakonshme. Në këtë sens, shpresoj të ketë kandidatë, por nuk është diçka që është frikë siç lihet të nënkuptohet. Nuk di të ketë bërë një kërkesë zyrtare përveç betejës publike që bën. Beteja Salianjit është betejë mediatike”, tha Kopliku.

Gazetari Peçi u shpreh se me Berishën çdo kush është i qartë se nuk ka farë. Ai tha se Sali Berisha sot e ka çuar partinë në ngërç për shkak të shpalljes ‘Non Grata’ nga SHBA dhe problemeve me drejtësinë, pasqyruar kjo me largime të shumta.

“Mendoj që diskutimi për PD është e rëndësishme se PD është aset i Shqipërisë dhe jo i anëtarëve. S’mund ta privatizojmë. Salianji ka të drejtën për të kandiduar, por në këtë formë që është PD, dihet që fituesi do të jetë Berisha dhe nuk shoh ndonjë garë. Brenda PD ka tkurrje, largime të frikshme, ka një lumë akuzash që bëhen mes njëri-tjetrit. Berisha është -300 mijë vota nga rezultati i 2021.

Na intereson sesi PD do të rikthehet fituese. PD ka dy parime që knë ngërç, e para marrëdhëniet me SHBA dhe e dyta marrëdhënia me drejtësisë. Këto mendoj unë se e kanë futur PD në përplasje. Kur të zgjidhet ky ngërç, PD mund të bëhet bashkë.”, tha Peçi.

Nga ana tjetër, Tedi Kopliku thotë se të jesh pjesë e PD duhet të ndjekësh disa rregulla, por nuk ka një tkurrje, madje sipas tij, ka thirrje për afrimin e figurave të reja.

“Unë personalisht nuk e shoh kaq dramatike. PD funksion. Ka largime për çështje të caktuara, por kjo nuk tregon tkurrjen. Kushtet e betejës që ka PD nuk janë të lehta, gati gati është vetësakrifikim. PD funksion nëpërmjet një hierarkie. Ka një betejë politike që bëhet sipas rregullave dhe nëse duhet të jesh pjesë e kësaj partie, duhet të jesh sipas rregullave”, tha Kopliku.

Në studio u diskutuan dhe zgjedhjet lokale që pritet të mbahen pranverën e ardhshme ndërsa gara shihet si më e përqëndruar në kryeqytet. PS ka gati kandidaten Ogerta Manastirliu, ndërsa PD pas heqjes nga lista të Florian Binajt, nuk dihet se me kë do të përfaqësohet. Në këtë pikë, Kopliku dhe Ermal Peçi, bien dakord që PD duhet të ketë një kandidat politik dhe jo përfaqësues nga shoqëria civile. Ndërkohë nga kampi socialist dëshirën për të garuar për kryeqytetin e ka shprehur dhe deputeti Erion Braçe.

“Kam qenë gjithmonë për kandidat politik se PD ka kapacitete të jashtëzakonshme. Përzgjedhja jashtë radhe tregon një mos fuqi të PD për përzgjedhjen e kandidatit. PD duhet të ketë kandidat të saj”, tha Kopliku.

“Më duket e pakuptimtë që një partie politike të kërkojë aktor apo përfaqësues nga shoqëria civile. PD do duhet të ketë përfaqësues e vet politik se jo vetëm duhet të mbajë peshën elektorale, por duhet t’i përgjigjet dhe mbështetësve”, tha Peçi.

Ndër të tjera, Peçi tha se Tirana, Durrësi, Shkodra dhe Vlora, duhet të jenë pikat ku PD të përqëndrojë betejën. Nga ana tjetër, Tedi Kopliku tha se PD duhet të përdorë të gjithë forcën për të fituar përballë vjedhjeve masive të votës nga ana e PS.