Subjektet politike në Kosovë kanë afat edhe sot për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka thënë se afati 11-ditor për dorëzim të listave do të përfundojë të martën në mesnatë.
“Sot, në orën 24:00, përmbyllet afati 11-ditor për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Dorëzimi i listës me emrat e kandidatëve për deputetë, duhet të bëhet përmes platformës elektronike dhe procedura është e ngjashme me zgjedhjet e fundit që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar”, ka theksuar Elezi.
Numri i përgjithshëm i subjekteve politike që janë regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 7 qershorit është 27, prej të cilave 22 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.
KQZ-ja ka bërë thirrje që partitë, koalicionet dhe kandidatët e pavarur të dorëzojnë sa më shpejt listat e kandidatëve për të siguruar certifikim dhe përgatitjen e procesin zgjedhor në kohë./Koha
Komente









