Zgjedhjet, ja mekanizimi
që çmonton skenarin e PD

Zgjedhjet, ja mekanizimi<br />që çmonton skenarin e PD
Ka një mekanizëm ligjor, i cili çmonton përpjekjet e Partisë Demokratike për të bllokuar Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, duke mos propozuar anëtarët brenda afatit ligjor.

Nëse bojkoti i opozitës paralizon konstituimin e institucioneve të Vetingut, e njëjta strategji nuk mund të funksionojë në rastin e KZAZ-ve, të cilat kanë një rol specifik për administrimin e zgjedhjeve parlamentare.

Kodi Zgjedhor, i votuar me konsensusin e të gjitha partive parlamentare, parashikon një zgjidhje nëse Partia Demokratike dhe Partia Republikane rezistojnë deri në fund, duke mos paraqitur komisionerët. Konkretisht, pika 5 e nenit 29 e Kodit Zgjedhor, parashikon që, nëse partitë politike të opozitës parlamentare, që kanë të drejtë të paraqesin kandidatura për KZAZ, nuk e ushtrojnë këtë të drejtë në afatin e përcaktuar, konkretisht brenda datës 5 mars, kjo e drejtë u kalon automatikisht partive që vijnë në radhë me numër vendesh në Kuvend pas të parave, brenda grupimit përkatës. Në rastin konkret, komisionerët e PD-PR, u kalojnë PDK, LZHK apo PBDNJ.

Në kushtet kur Nard Ndoka, Dashamir Shehi dhe Vangjel Dule janë në një linjë me Lulzim Bashës, pra sipas gjasave, nuk do të propozojnë anëtarë për KZAZ në vend të PD dhe PR, Kodi Zgjedhor parashikon një tjetër mekanizëm për konstituimin e KZAZ.

Pika 5 e nenit 29 të Kodit Zgjedhor parashikon që, nëse edhe këto parti nuk propozojnë anëtarë, KQZ-ja emëron kryesisht anëtarët e KZAZ-së deri në plotësimin e numrit të nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje.

Anëtarët e emëruar kryesisht qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e anëtarëve të propozuar nga partitë politike. Zëvendësimi duhet të kryhet jo më vonë se 30 ditë nga dita e zgjedhjeve. Pra, KQZ do të emërojë vetë anëtarët, por nga ana tjetër, opozita do të ketë afat deri në datën 18 Maji, për të paraqitur komisionerët.

Për të mundësuar bllokimin e zgjedhjeve, opozita mund t’i propozojë komisionerët, për t’i tërhequr më pas ditën e zgjedhjeve, me qëllim për prishur procesin. Edhe në rast zbatimi të një skenari të tillë, Kodi Zgjedhor parashikon një zgjidhje.

Pika 8 e nenit 29 të Kodit Zgjedhor, parashikon që kur vendi i një anëtari ose sekretarit të KZAZ-së mbetet vakant në ditën e zgjedhjeve, propozimi në KQZ duhet të dorëzohet jo më vonë se 3 orë nga çasti i krijimit të vakancës.

Në rast se subjektet me të drejtë propozimi nuk propozojnë kandidaturë në KQZ, kjo e drejtë i kalon partive politike të të njëjtit grupim që vijnë pas tyre në Kuvend për nga numri i vendeve të fituara në Kuvend në zgjedhjet pararendëse. Nëse edhe këto parti nuk propozojnë anëtarë, KQZ-ja emëron kryesisht anëtarët e KZAZ-së deri në plotësimin e numrit të nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda